Nga vetja tek vetja – Aventura e bredhjes

Kam pasur rastin të shikoj disa versione të antidramës apo antikomedisë më të çuditshme, njëkohësisht të jashtëzakonshme të Eugene Ionesco’s, ‘Këngëtarja Tullace’. Jam kënaqur fort, aq sa edhe jam mërzitur fort. Sepse vija ndarëse midis suksesit dhe dështimit të inskenimit të kësaj komedie është në fije të perit. Dihet historia e premierës së parë të saj në Francë: u shitën vetëm 3 bileta më 1952, kurse nga viti 1955, me rivënien e re, ajo u fut në repertorin e Comedie Française të Parisit, dhe qysh atëherë nuk hiqet më por vijon të jepet në versione të ndryshme.
Bekim Lumi solli një version të “Tijën” të ‘Këngëtares Tullace’, madje, me shaka e thënë, “gjysmën” e versionit të komedisë, pasi prej saj janë marrë vetëm dy personazhe: çifti Martin. Ai e ka quajtur atë një shfaqje eksperimentale, nën titullin ‘Çifti Martin’, të realizuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ka veçse tri faqe tekst: çifti Martin në një “takim njohjeje”, por që dalin se janë prej herit bashkëshortë, se flenë në një shtrat dhe se kanë një fëmijë me njërin sy të zi dhe tjetrin të kuq. Mbi këtë mikrotekst është sajuar në formën e një parodie aventura e jetës, e njohjes dhe e rinjohjes rituale. Sado i pjesshëm, teksti fitoi identitet dhe kohezion si një performim i plotë teatror, duke mundësuar kështu spikamën e një ironie të hollë, tanimë jo vetëm dhe përjashtimisht ndaj tragjedisë së komunikimit verbal, por ca më thekshëm: ndaj konvencioneve mbytëse, falsitetit dhe “shkëlqimit” të marrëdhënieve të rrejshme në çift, sikurse e ka artikuluar vetë regjisori Bekim Lumi idenë qendrore të shfaqjes së tij.
Skena është e zbrazët, e madhe, si një grykë e zezë që të gëlltit. Janë vetëm dy aktorë, burrë-grua, dhe një fizarmonicist në cepin e majtë, që do të shoqërojë më pas krejt veprimin. Kaq. Kjo hapësirë “boshe” duhet mbushur. Ti mund të vendosësh aty dhjetëra aktorë e probistë, dekore të rënda a luksoze, dhe prapë skena të të duket e madhe, bosh, e shëmtuar, që të gëlltit. Por, mjafton vetëm një aktor i talentuar, një mag e mjeshtër i saj, një “Vic”, dhe goja e skenës jo vetëm që s’të gëlltit, porse qet prej andej veçse dritë e visare të shpirtit të bukur rrezëllitës të artit.
Këtë përjetim pata me shfaqjen ‘Çifti Martin’, sado që aty qenë vetëm dy aktorë: Gresa Pallaska - një talent i veçantë, i shumëpritur, madje do ta quaja e “mrekullueshme” (pa e bjerrur peshën e fjalës), ashtu sikurse edhe partneri i saj, Astrit Kabashi me mjaft dhuntira. Një tekst që “s’thotë kurrgjë”, e prapë thotë shumëçka. Sepse ti vetë dëshiron të thuash të “pathënën” tënde: të shkosh nga hiçi asgjësues tek pllenimi kozmik filozofik i mendimit. Kjo është teknologjia e Ionesco’s: kamuflazhi i kuptimeve, polisemantika, denotacioni (jo vetëm verbal).
Dhe s’ishte e vështirë për mua që përtej pakuptimësisë dhe absurdit të fjalëve, që përshkruajnë një peripeci të rëndomtë e paradoksale të dy vetjeve çudane, të ndjeja ankthin njerëzor, të shikoja sesi këto dy qenie të frikësuara, të dashuruara, qesharake dhe të budallallepsura ta bënin skenën që të fliste, ta bënin të parrokshmen të rrokshme, jo vizualen vizuale, duke projektuar ngulfatjen e shpirtit në makthin ekzistencial, në vrapin drejt të panjohurës, aventurës, frikës, misterit të shtratit; të shquaja qartë vetëkonsumimin e jetës (kjo tragjikë e pashmangshme), brerjen e ndërgjegjes, tjetërsimin, mërzinë, përsëritjen, mizantropinë, ritualin bisedor që veçse shqipton fjalë por nuk kupton, dhe (ah!) monotoninë vrastare. Kjo “përrallë e përbotshme njerëzore”, siç shprehet regjisori, u rrëfye bukur mirë prej tij përmjet dy bredharakëve të përjetshëm Martin që, më në fund, ja ku dhe i shohim tek lodrojnë sipër në ajrinë e skenës (“parajsës së premtuar” për shpirtrat e lodhur nga vrapi i jetës), ashtu si dy engjëj të “pranuar”: jo aq nga Hyu, sesa nga Ne. Ne, të gjallët. Ne, të vdekurit. Ne, të njëjtët.
Përpos që shfaqja ishte e rrumbullakësuar mirë qoftë si ide dhe porosi, qoftë si rrjedhë veprimi, qoftë dhe si kompozim skenash e gjetjesh të zgjuara, ajo u mbush nga aktrimi cilësor i Gresa Pallaskës dhe Astrit Kabashit. Ata të kujtonin bredharakët e peripecive dhe aventurave njerëzore me valixhen plot pluhur udhëtimesh në kërkim të ëndrrës, vetvetes së humbur dhe kujtesave dikur të lumtura, duke aktruar bukur në disa zhanre, filluar me pantomimën, teatrin e Commedia dell’Arte, operetën (vokali i bukur me sens përtallës i Pallaskës), me animacionin e trupit (loja me shputat e këmbëve si personazhe kukullorë), me kabarenë, muzikalet, lojën dramatike e tragjike, imitimet alla Çaplin (figura e vagabondit të përjetshëm, Sharlotit, nga Kabashi), melodramën që “shpotitej” si e tillë nga vetë artistët etj.
Metafora regjisoriale e “trenit të jetës”, si një piramidë e përmbysur, po ashtu si një pikë fillimisht e përbashkët që divergon dhe largohet në pafundësi (dashuria që ftohet, çifti që copëtohet, bashkësia trupore-shpirtërore që zhbëhet, ëndrra që s’realizohet), arrin një kulm tronditës kur fati i çiftit Martin vendoset pikërisht mes bombardimeve dhe luftës vrastare të serbëve në Kosovë, duke realizuar një mbivendosje kuptimore të rrokshme lehtësisht si dhe një situacion mallëngjyes, dëshpërues e pikëllues.
E qëlluar ishte edhe skena, le ta quajmë, e “zgjimit” në mëngjes. E folura e çiftit Martin, pas një nate seksi të “fortë” dhe gjumi prej ariu në dimër, bëhet pjesë e një gogësime të stërzgjatur, ku fjala përzihet me fryrje-shfryrjen e frymës duke e nxitur gjumëndjelljen ca më keq. Kjo skenë, pra “gjumëndjellja”, e shndërron fjalën në situatë qesharake, e nuancon atë si element i skajuar akumunikativ, duke e bërë edhe më të lexueshme idenë e çvlerësimit të gjuhës si pamundësi marrëveshjeje.
Ideja regjisoriale e Bekim Lumit ka bërë, sipas meje, disa mbivendosje fatlume: ajo nuk e shmang dot kritikën ndaj kotësisë, pakuptimësisë dhe përsëritjes (prej Ionesco’s) që e zhvlerëson çdo risi, spontanitet dhe të papritur njerëzore në cakun kohor të një jete pa qëllim, ndoshta edhe pa mision, por, ama, jo pa pasion, pa vuajtje, madje pa pikëllim, pa lot. Dhe skena kulmore është pikërisht ajo e bombardimit dhe e vrasjes së bredharakëve Martin.
Unë do të kisha qejf ta mbyllja shfaqjen tek ajo pikë, por regjisori nuk e ka lënë pelerinën e Ionesco’s, andaj edhe pas tmerrit të vdekjes së heronjve nga një bombardim e kthen atë në shaka. Dhe Arlekini me Kolumbinën ia nisin prapë nga e para. E qëllimta u bë sërish e paqëllimtë; misioni, një vetëlavdërim; pasioni, një idiotësi. Dhe jeta vazhdon të mbetet, si përherë, gri. Në thelb, ajo është qesharake… Ndoshta... ndoshta e “bukur” siç ajo është. Mos, vallë, këtë do deshte të thoshte Bekim Lumi përtej Ionesco’s?!
(Ky shkrim vjen pas paraqitjes së shfaqjes ‘Çifti Martin’, më 12.02.2011, në Teatrin Kombëtar të Tiranës).