Përmbytet Tirana, Edvini fshihet

Megjithëse dihet se kryebashkiaku ka frikë nga uji, ai dje ka regjistruar arratisjen e madhe, ka mashtruar në telefon Banorët e lagjeve “Kombinat” dhe “Komuna e Parisit”, duke bllokuar të gjithë infrastrukturën dhe mjetet që do t’u vinin në ndihmë banorëve. Papërgjegjshmërinë e Ramës dje e ka vijuar edhe stafi i bashkisë, i cili ka refuzuar të marrë përgjegjësi për nxjerrjen e kryeqytetit nga kolapsi. Fjalia më e dëgjuar dje në Tiranë ishte fraza “shyqyr që Edvini së shpejti s’do të ketë më asgjë në dorë”
TIRANE - Reshjet e dendura të shiut që përfshinë vendin dje, krijuan një situatë tipike kolapsi në kryeqytet, ku një pjesë e mirë e zonave u përmbytën, nga mungesa e kanalizimeve dhe apatia e punonjësve të bashkisë për të vënë nën kontroll situatën. Më rëndë nga të gjitha zonat periferike të Tiranës, e ndjenë “Komuna e Parisit” dhe zona e “Kombinatit”, ku lumenjtë e ujërave të zeza dhe të bardha vërshonin rrugëve automobilistike dhe trotuareve, ndërkohë që asnjë punonjës i bashkisë nuk e kishte vënë ujin në zjarr dhe t’u vinte në ndihmë banorëve, në ato kushte tepër të rënda klimaterike. Por ajo që u duk tallëse dhe ofenduese për të gjithë qytetarët e Tiranës, ishte premtimi direkt i kryebashkiakut Edi Rama, se menjëherë pas përmbytjeve në të gjitha zonat e kryeqytetit do të vepronin punonjësit e bashkisë, për të normalizuar situatën, gjë që jo vetëm nuk u realizua, por Edvini bllokoi edhe mjetet e ndërhyrjes dhe normalizimit të situatës, ndërsa nuk u pa për asnjë çast në orët e përmbytjes së Tiranës.
Pikërisht këtë e denoncuan banorët e Kombinatit, ku më tepër se 70 banesa u përmbytën dhe u bënë të pabanueshme, ndërsa kryebashkiaku Edvin Rama, në orët e pasdites, atëherë kur ishte piku i përmbytjes së Tiranës, drekonte i pashqetësuar nëpër mejhanet jashtë qytetit, teksa sodiste nëpërmjet medieve katastrofën e gatuar nga vetë ai dhe planet mediokre urbanistike të tij, nëpërmjet ndërtimeve pa kriter.
Në lagjen e “Komunës së Parisit” në Tiranë të Re në kryeqytet, shkak i këtyre përmbytjeve janë bërë kanalizimet dhe ndërtimet pa kriter të bëra në këtë zonë.
Në Kombinat, në lagjen e “Qelqit” përfunduan nën ujë më shumë se 70 banesa, nga reshjet e shiut dhe ishin vetë banorët e tmerruar, që denoncuan indiferencën dhe mashtrimin e Ramës.
Ata u shprehën se “Rama na premtoi gjatë një telefonate se menjëherë aty do të vinin punonjësit e bashkisë, për të normalizuar situatën”, por siç u shprehën ata, “jo vetëm që asnjë punonjës nuk u duk, por Rama bllokoi edhe fadromën që ishte nisur për të ndërhyrë në zonën problematike”.
E gjithë kjo është me siguri pjesë e nekropolitikës fobike të Ramës, që të diskriminojë disa zona të kryeqytetit që nuk i janë bindur politikës dështake të tij dhe pse jo është gati të lerë që të përmbyten.