I nderuar zoti Guvernator i Shqiperise, Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të bankave partnere Të nderuar pjesëmarrës, Kam kënaqësinë të përcjellim së bashku një dekadë veprimtari
I nderuar zoti Guvernator i Shqiperise,
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të bankave partnere
Të nderuar pjesëmarrës,
Kam kënaqësinë të përcjellim së bashku një dekadë veprimtarie dhe progresi të Bankës qëndrore të Shqipërisë dhe të orjentojmë angazhimet në modernizimin dhe integrimin e sistemit tonë bankar me atë evropian dhe global në dekadën e re.
Jo vetëm Banka e Shqipërisë, por gjithë sistemi bankar shqiptar po mbyllin ciklin e tyre tranzitor për t'u përfshirë më mirë në sfidat kombëtare të konsolidimit të ekonomisë së tregut, të rritjes së saj të qëndrueshme nëpërmjet të zhvillimit të aftësive konkuruese të sipërmarrjes vendase në tregjet rajonale, evropiane e globale, etj.
Në këtë dekadë të veprimtarisë së vet, Banka e Shqipërisë ka luajtur padyshim rolin kryesor në formimin dhe konsolidimin e sistemit bankar në vend, si dhe ka asistuar Qeveritë në hartimin dhe zbatimin e reformave që instaluan edhe në Shqipëri ekonominë e lirë të tregut. Mendoj se tashmë Banka Qëndrore ka eksperiencën dhe kapacitetet e duhura për të rritur rolin dhe ndikimin e saj në zhvillimet ekonomike të vendit, si një institucion shumë i rëndësishëm i Shtetit dhe partner ligjor i Qeverisë. Kalimi i sistemit bankar nga monopoli i shtetit në dominancë private është treguesi me pergjithesues i punës së Bankës së Shqipërisë dhe traditës që ajo tashmë ka krijuar. Më lejoni të përfitoj nga ky mjedis profesionistësh bankierë dhe financierë për të ndarë me ju si Kryeministër disa vlerësime për të kuptuar dhe vepruar së bashku në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit bankar, parametrave dhe performancës së ekonomisë kombëtare në tërësi.
Bazuar në statusin ligjor të Bankës së Shqipërisë si "Këshilltar i Qeverisë" dua të kërkoj një angazhim më të spikatur të këtij institucionui për realizimin e prioriteteve të programit, vecanërisht në luftën ndaj ekonomisë cach, ndaj evazionit fiskal, ndaj fragmentarizimit të kapitaleve të zhvillimit publike ose private. Të gjitha këto prioritete nuk do të mund të realizohen pa një angazhim të drejtpërdrejtë dhe një bashkëpunim më të ngushtë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë. Me këtë nuk po kërkoj që Banka e Shqipërisë të heqë dorë nga pavarësia e saj kushtetuese dhe ligjore, por po e ftoj të forcojmë bashkëpunimin në dobi të zhvillimit të vendit dhe formalizimit te tregut kombetar ne teresi. Kjo do të thotë se nuk mjafton të takohemi dhe bashkëpunojmë sa herë na rastis që politikat monetare të Bankës interferojnë me politikat fiskale të Qeverisë. Ne duhet të programojmë së bashku zhvillimin e një ekonomie formale të tregut, me një sistem bankar dhe financiar që i zhvendosin paratë dhe transaksionet në banka, që orjentojnë kursimet dhe kapitalet e fjetura në prioritete zhvillimi të programuar dhe të qëndrueshëm, që rrisin besimin e konsumatorëve dhe sipërmarrësve tek leku. Me paketën e re fiskale që shoqëron projekt buxhetin 2003, si dhe me disa akte të tjera ligjore e nënligjore që nxisin sipërmarrjen e ligjshme duke thjeshtuar dhe saktësuar procedurat administrative, doganore, fiskale etj, Qeveria ka programuar një transformim rrënjësor të sistemit fiskal në vend, për të futur në rrugën përfundimtare të kurimit, dizincentivat ekonomik, evazionin fiskal dhe karakterin e ende te larte informal te ekonominë.
Që kjo reformë transformuese të japë efekte të plota mbi ekonomi, duhet të shoqërohet patjetër me një reformë të thellë gjithashtu në sistemin financiar dhe atë bankar. Nuk mund të ruajmë ritme të larta të rritjes së Prodhimit të Brendëshëm Bruto duke u bazuar më tej në ekonominë familjare që investon kursimet e brendshme. Aq më pak këto ritme ruhen kur bujqësia dhe ndërtimi, dy degat kryesore kontribuese në prodhimin e Brendëshëm janë pothuajse krejtësisht jashtë skemës bankare të kontrollit apo te financimit. Si Kryeministër do të kërkoja kontributin tuaj të nderuar bankierë për një rol të ri të sistemit bankar në performancën e tregut. Me këtë dua të them se nuk është normale që psh në industrinë e ndërtimit, bankat kreditojnë blerës individualë apartamentesh, të cilët më pas shfaqen para zbatuesve të projekteve (që gabimisht quhen investues) si investitorë të vegjël, ndërkohë kur pozicioni i bankave duhet të ishte në rolin e investitorit.
Dua të ndaj me ju bindjen se progresi i sistemit bankar shqiptar nuk mund të vlerësohet vetëm me uljen e riskut të kthimit të kredive, por me portofolin e kredive që ky sistem injekton në ekonominë kombëtare. E nënvizoj këtë fakt sepse në 3 vitet e ardhëshme roli i bankave do të jetë jetik për ekonominë kombëtare. Për shkak të reformave të suksesshme të zhvilluara këto vite në ekonomi dhe në konsolidimin e parametrave makro, Shqipëria po i largohet nivelit të vendeve që përfitojnë kredi dhe donacione zhvillimi me terma të butë nga organizmat ndërkombëtare partnere apo bankat e zhvillimit. Afrimi i këtij momenti është sa pozitiv e vlerësues për ecurinë e reformave, aq edhe obligues, në vecanti për Qeverinë dhe Bankën e Shqipërisë. Ky moment bëhet më i natyrshëm pikërisht sot kur zyrtarisht Qeveria fillon procesin e negociatave tashmë për një marrëveshje Stabilizim Asociimi me Bashkimin Evropian. Zvogëlimi i financimeve të huaja me terma të butë nga njëra anë, angazhimi për të reduktuar më tej borxhin e brendëshëm dhe atë të huaj si dhe përeballimi me sukses i sfidave të stabilizim asociimit, shtrojnë dy alternativa themelore për mundësitë e zhvillimit të ekonomisë në 10 vitet e ardhëshme.
1. Mobilizimi i të gjitha kapitaleve të brendëshme për t'i orjentuar në programe investimesh prioritare zhvillimi,
2. Thithja e investimeve të huaja direkte.
Dhe besoj se askush nuk dyshon që këto dy alternativa komplementare me njëra tjetrën kanë nevojë për një partneritet krejt tjetër mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë si zemra e sistemit bankar shqiptar.
Besoj se nga kjo analizë fare e shkurtër kuptohet se vendit i duhet një sistem financiar i shëndoshë dhe i shtrirë. Kapitalet individuale apo familjare janë të pafuqishme dhe të pamjaftueshme të rriten pa mbështetjen e një sistemi financiar të përshtatshëm. Për shkak të mungesës së një sistemi financiar modern, të ndërmjetësave financiarë, të fondeve private të zhvillimit dhe më në fund të tregut të kapitaleve, investimet individuale janë orjentuar në sektorë që nxisin konsumin, por nuk prodhojnë. Qeveria mirëpret jo vetëm sugjerimet, por dhe një bashkëpunim të ngushtë me komunitetin bankar dhe financiar në vend për të mundësuar krijimin e tregut financiar dhe atij të kapitaleve në Shqipëri. Si Kryeministër dhe te patnerit ligjor ftoj Bankën e Shqipërisë të punojmë bashkarisht dhe shpejt për të krijuar instrumentat dhe institucionet që orjentojnë më drejt paranë dhe kapitalet në sektorët më produktiv dhe më konkurues të ekonomisë kombëtare tashme po behet me vulnerabel ne procesin e hapjes dhe te integrimit rajonal dhe global.
Një element tjetër që përcakton një rol të ri të Bankës së Shqipërisë dhe sistemit bankar e atij financiar në ekonominë kombëtare është dhe përshpejtimi i proceseve të hapjes dhe integrimit, ne duhet te mbetemi kompetitiv ne kete ecuri. Përvec reformave transformuese për të përballuar sfidat e integrimit evropian, Shqipëria është e angazhuar tashmë dhe në zbatimin e një sërë marrëveshjesh të tregëtisë së lirë me vendet e rajonit. Fillimi i zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të rrisë konkurencën në tregun rajonal dhe do të japë padyshim ndikim në rritjen e vëllimit të shkëmbimeve tregëtare si dhe në momedhat kombëtare respektive. Nuk dua të hyj në debatin euro-izin administrativ apo natyral të ekonomisë sonë. Por dua të kërkoj nga ju bankierët të merren të gjitha masat që leku të përballojë këtë proces hapje dhe liberalizimi të ekonomisë sonë, duke garantuar nxitjen e investimeve të sipërmarrësve vendas dhe të huaj direkte ne ekonomine e vendit.
Dhe së fundmi dua të ndalem në një pikë që ka nevojë për një këndvështrim dhe trajtim krejtësishjt të ri; deficiti i buxhetit. Qeveria ka kryer investime publike dhe ka gjeneruar deficit sepse vendi, ekonomia dhe popullata kanë nevojë t'ju sigurohen infrastrukturat dhe shërbimet bazë. Banka e Shqipërisë është në lartësinë ligjore të realizimit të detyrimeve të veta kur kërkon uljen e deficitit dhe Qeveria është e angazhuar t'a bëjë këtë gjë. Qeveria nuk do të gjenerojë deficit të dëmshëm për ekonominë dhe parametrat makro kur sistemi bankar të jetë i aftë të kreditojë projekte kombëtare apo rajonale zhvillimi dhe ritje te qendrueshme. Investimet publike edhe sot janë në minorancë përballë investimeve private në nivel kombëtar, por ritheksoj se sipërmarrja private ende në nivele të "shkëmbimit barter" na ben te ritheksojme angazhimin per plotesuar vakumet e instrumenteve dhe institucioneve te tregut financiar që thithin dhe më pas orjentojnë në investime produktive kursimet individuale te brendshme . Me këtë pohim nuk neglizhoj aspak detyrat e Qeverisë dhe të shtetit për të konsoliduar më tej mjedisin ekonomik, ligjor e social apo për të kuruar sistemin e administrimit publik dhe te drejtësisë ne vecanti. Por angazhimi ynë si ekzekutiv dhe legjislativ do të rrezikohej pa një performancë të menjëherëshme të sistemit bankar në përballimin e sfidave të zhvillimit, modernizimit dhe integrimit që kemi përpara, e ritheksoj duke mbetur kompetitiv.
Duke përfunduar me lejoni t'ju uroj edhe njëherë përvjetorin e Bankës së Shqipërisë dhe sistemit të ri bankar shqiptar dhe garantoj në emër të Qeverisë angazhimin maksimal për të reformuar së bashku ekonominë kombëtare drejt standarteve moderne dhe evropiane.
Ju faleminderit!