I nderuar zoti Minister, Të nderuar pjesëmarrës te Shtabit te Pergjithshem te Forcave te Armatosuara, I nderuar Kryetar i Komisionit Parlamentar te Mbrojtjes, Te nderuar drejtues te larte te S
I nderuar zoti Minister,
Të nderuar pjesëmarrës te Shtabit te Pergjithshem te Forcave te Armatosuara,
I nderuar Kryetar i Komisionit Parlamentar te Mbrojtjes,
Te nderuar drejtues te larte te Shtabit te Pergjithshem te Ministrise,
Te nderuar pjesemarres dhe te ftuar,
Si Kryeministër i Republikes se Shqiperise, i ngarkuar nga Kushtetuta për konceptimin dhe paraqitjen e drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, kam nderin te marr pjese në këtë analizë pune te ekzekutivit, edhe ne takimin me ju me detyrimin kushtetues dhe përgjegjësinë e drejtimit të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë në kohë paqeje, por edhe si autoritet i komandimit dhe drejtimit strategjik të këtyre forcave.
Konkluzionet e konventes tuaj ushtarake me ndihmuan qe, bazuar në dokumentet e Strategjisë së Sigurimit dhe të Politikës së Mbrojtjes, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, te vij per te ndare me ju nga afer dhe do te jem edhe me afer sot e tutje ne analizen dhe vleresimin e angazhimeve tona serioze integruese euroatlantike, të cilat ne saje te punes tuaj te perkushtuar atdhetare, profesionale dhe te bashkeveprimit shume te sukseshem me partneret euroatlantike, po fitojnë terrene të reja çdo ditë, këto vitet e fundit kanë qënë nje model përpjekjesh, arritjesh, por edhe mësimesh të nxjerra për ministrinë e Mbrojtjes, si strukturë përgjegjëse direkte e ekzekutivit për realizimin e politikës së mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, si struktura më e lartë organizative dhe komandë unike e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë.
Ashtu si ju edhe une vleresoj se historia e reformimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pas traumave të rënda që ato pësuan për shkaqe që i njohim të gjithë, ka shënuar një kurbë të ndjeshme ngjitjeje, veçanërisht në këta tre vjetët e fundit me një objektiv të qartë: përmbushjen e standarteve të NATO-s.
Me lejoni të risjell në vëmendjen tone te perbashket se, nëse viti 2000, ishte një vit i vlerësimit në politikën e mbrojtjes, viti 2001 u konsiderua një vit i reflektimit, rishikimit dhe përmirësimit te ndjeshem dhe të mëtejshëm të saj. Ndërsa viti 2002, nga Qeveria Shqiptare, ne perputhje me politikat e saj sektoriale, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë që na asistojnë në proceset tanë integrues, u vleresua zyrtarisht si vit i procesit dhe zbatimit real të reformave cilësore në fushën e mbrojtjes dhe të transformimit afatgjatë, pra të viteve 2002 –2010, të Forcave tona të Armatosura.
Jam ketu per t'ju konfirmuar se bindja dhe angazhimi i Qeverisë që unë drejtoj, në ndërmarrjen e një reforme kaq të rëndësishme, në bashkëpunim me NATO-n, përbën një sukses të trinomit integral Legjislativ, Ekzekutiv dhe lidership ushtarak, gjë të cilën, unë vazhdoj ta konsideroj dhe vlerësoj, si një risi në politikën e mbrojtjes dhe sigurisë në vend, me efekte jo vetëm në formën, përmasat dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, por dhe në përmbajtjen dhe rritjen cilësore e profesionale të tyre.
Me këto detyrime, përgjegjësi dhe angazhime direkte dhe të deleguara, vendase dhe ndërkombëtare, më lejoni të ndaj me ju disa reflektime për gjendjen aktuale dhe perspektivën e reformës në fushën e sigurisë e të mbrojtjes, si dhe në ndërtimin e një mentaliteti të ri në çështjet e integrimit në NATO, të cilat Qeveria që unë drejtoj i ka pranuar si të domosdoshme dhe nevojshme në programin e saj për t'u reflektuar dhe investimi qeverises me konsekuencë krahas fleksibilitetit te nevojshem qe duhet siguruar edhe ne marredheniet civilo-ushtarake per te garantuar vijimësinë e këtij proçesi afatgjatë dhe te rendesishem per fatet e vendit dhe të integrimit, pra te sigurise afatgjate.
1. REFORMA NË FUSHËN E SIGURISË DHE TË MBROJTJES
Kemi bindjen e perbashket se tashmë ne jemi përfshirë në një proçes reformues, të thellë e cilësor dhe ku eshte konsoliduar nje progres i pakthyeshem në fushën e sigurisë e të mbrojtjes, i cili deri tani karakterizohet nga një progres pozitiv.
Sentenca: "asnjë vend nuk mund të realizojë sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare në izolim të plotë nga vendet e tjerë" është bërë tashmë realitet edhe në vendin tonë dhe përbën një nga provat e vendosmerise tone institucionale dhe kombetare per t'u shkëpur nga vetizolimi i se kaluares.
Tashmë në rajon kemi një pamje cilësisht të re: pothuajse të gjitha vendet e rajonit synojnë integrimin në BE dhe në NATO. Reforma në çështjet e sigurisë e të mbrojtjes, ashtu si çdo reformë, është komplekse dhe e ndërthurur. Veçanërisht sot kur më shumë se kurrë qëllimi dhe objektivi i sigurisë kombëtare, sikundër edhe karakteri i vetë ushtrive në gjendje të re të proceseve integruese edhe orientimi i reformes është tjetër. Sot, kur nuk kemi më luftën e Ftohtë, kur ideologjitë kanë humbur konfliktualitetin ushtarak, kur ushtarët venë e vijnë nga njëri vend në tjetrin për të asistuar për reforma apo për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të emergjencave civile, kur bota ka identifikuar një armik te madh te perbashket: terrorizmin i cili ka për bazë fondamentalizmin, edhe pikësynimi i reformave kombetare ne fushen e sigurise dhe te mbrojtjes ka ndryshuar.
Këto sfida të reja kërkojnë zhvillimin e strategjive të reja në diplomaci, ekonomi, mbrojtje, rend, shërbimet informative etj, duke i orientuar institucionet përkatëse drejt një reforme të shpejtë dhe shumeplaneshe, te harmonizuar dhe te pershtatur me standartet e njehsuara te botes euroatlantike.
Në këtë kontekst, Qeveria Shqiptare ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë kontributin e vet për ristrukturimin dhe modernizimin me te shpejte te Forcave të Armatosura mbi bazën e Planit të Implementimit Afatgjatë 2002-2010.
Une vleresoj se planet dhe strategjia e hartuar dhe miratuar që kemi bërë është realiste dhe e orientuar drejt, sepse ato mbështeten si në misionet që duhet të permbushin Forcat e Armatosura në mjedisin e ri të sigurisë kombëtare e rajonale ashtu edhe në resurset realiste të vendit dhe ekonomisë sonë ne zhvillim.
Kjo përqasje i jep këtij projekti një karakter realist e bindës se ai do te implementohet me sukses e konsolidohet dita-dites. Nga ana tjeter mbështetja e gjerë publike dhe politike, si dhe e vendeve të Aleancës Euroatlantike, është një pikë e fortë e besimit tonë për suksesin e ketij programi afatgjatë transformues. Me këtë rast unë do të desha të shpreh mirenjohjen dhe falenderimet e qeverise, ne menyre të veçante për SHBA-në, që ka asistuar nga afër Ministrinë e Mbrojtjes si dhe per partneret e tjere te NATO-s, në ndërtimin e implementimin e këtij plani, duke u bere bashke me ta aspirante te forcimit te sigurise kombetare te rajonit dhe te efektivitetit te strukturave tona perkatese, ne fushen e mbrojtjes dhe te sigurise ne bllokimin e rreziqeve globale qe qarkullojne edhe per rreth nesh.
Në këtë analizë, do të rekomandoja për Ministrine e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm si dhe per të gjithë ekspertët ushtarakë e civilë të përfshirë në strukturat e programet e mbrojtjes që të rishikojnë në mënyrë periodike zhvillimin dhe pozicionimin e Forcave të Armatosura, përshtatjen e programeve të veprimit dhe të mentalitetit me situatat e reja të mjedisit të sigurisë dhe të gjejnë se si ato duhet t'u përgjigjen mjedisit të sigurisë në ndryshim, me organizime, misione, detyra dhe role të reja për njësitë e Forcave të Armatosura. Nuk besoj se keni pritur qe t'ju them une se bota ndryshon shume shpejt; ne jemi bërë tashmë pjesë e këtyre ndryshimeve globale, pra te gjithe se bashku, ju dhe ne, duhet të operojme ne bashkepunim me strukturat që na asistojne per te ndryshuar ne rradhe te pare mentalitetet e trasheguara tradicionale dhe te ngurta.
Sot strukturat e ushtrisë shqiptare, të reformuara, e kanë demonstruar ne realitet dhe ne publik këtë orientim të ri. Ato kane kontribuar ndjeshëm në lehtësimin e pasojave të krizës të krijuar nga rreshjet e dëborës së vitit të kaluar si dhe të përmbytjeve nga rreshjet e mëdha të vjeshtës; ato vazhdojnë të kontribuojnë ne operacionet me rendesi te jashtezakonshme kombetare dhe per integrimin e vendit tone ne boten euroatlantike sic jane ato: të Mbështetjes së Paqes, si në Bosnje e në Afganistan, si dhe të përfaqësohen denjësisht në përbërje të Brigadës Rajonale të SEEBRIG-ut dhe në përbërje të Forcës Xhenjere të Europës Juglindore etj.
Me këtë rast me lejoni te bashkoj vleresimin e Qeverise dhe te Kryeministrit per te përgëzuar të gjithë ushtarakët që kanë ditur të përfaqësohen me frymë përgjegjësie atdhetare dhe dinjitet konkurues me partneret euroatlantike në misionet paqeruajtëse e humanitare jashtë vendit, si dhe ata që kanë kontribuar në lehtesimin e pasojave të fatkeqësive natyrore brenda vendit dhe ne dobi te njerezve te vendit.
Natyrshem, sic konstatuan edhe Ministri edhe Shefi i Shtabit te Pergjithshem, krahas arritjeve dhe anëve pozitive qe na stimulojne te gjitheve, që na inkurajojnë do të mundohem të hedh dritë mbi disa çështje, të cilat, mbështetur në programin e Qeverisë që unë drejtoj, kërkojnë vëmendje të veçantë edhe në planet tuaja afatgjate:
Për të gjithë është e qartë se, më mirë se kurdoherë tjetër, Forcat e Armatosura kanë një bazë ligjore më të pranueshme e më të përafrueshme me vendet e Aleancës së Atlantikut Verior.
Kushtetuta, Strategjia e Sigurimit, Politika e Mbrojtjes, Strategjia Ushtarake, Ligji mbi Autoritetet e Komandimit e Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura, Ligji i gradave, vendime të ndryshme të Këshillit të Ministrave etj, përbëjnë një bazë ligjore të qëndrueshme dhe të nevojshme, që mbështet fuqimisht vazhdimin e transformimit te forcës ushtarake të Shqipërisë. Ashtu si ne fusha te tjera te qeverisjes dhe te reformave edhe ne fushen e mbrojtjes dhe te sigurise duhen shtuar kapacitetet funksionuese e institucioneve te sigurise te administrimit te saj, kapacitetet administrative, te fondeve publike, te vihen ne dispozion te reformes dhe te perafrimit ne standartet interoperative me NATO-n. Kjo bazë ligjore duhet respektuar me rigorozitet dhe interpretuar drejt në të gjithë nivelet e drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandat e Forcave. Përvoja e viteve të kaluara ka evidentuar disa mangësi, rezultatet e të cilave në ndonjë rast kanë qenë edhe të hidhura. Shmangiet dhe, aq më tepër deformimet, nga kuadri kushtetues dhe ligjor, nuk mund dhe nuk duhet të tolerohen me.
Bazuar mbi këtë bazë aktuale ligjore, koordinimi dhe bashkëpunimi midis aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm te FA duhet të gjenerojnë një frymëmarrje më te gjere dhe ne bashkeveprim me te plote në te gjitha nivelet.
Megjithë përmirësimet e konsiderueshme, ka akoma shfaqje të dukshme dhe shqetësuese të dualizmit dhe kolizionit midis drejtorive e sektorëve, përplasje praktikash ose shmangje nga proçedurat normale të funksionimit të brendëshëm të institucionit. Ajo që në gjuhën e NATO-s quhet përcaktimi "kush bën çfare" është tepër e nevojshme të aplikohet, te normohet dhe te kthehet ne praktike ligjore dhe automatike veprimi edhe në strukturat e mbrojtjes dhe te administrimit te sigurise ne perputhje te plote me specifiken e ligjeve kombëtare .
Asnjë person, apo titullar s'ka të drejtë në vendosjen e vetos, ushtrimin e centralizimit pa kufi, apo autorizimin e decentralizimit aty ku ka përgjegjësi, përveçse kur ligji, akti nënligjor, apo me rregullore përcaktohet si e tillë. Këto janë rregullat e shtetit të së drejtës, një nga institucionet më të ndjeshëm, të të cilit janë edhe Forcat e Armatosura.
Dua ta theksoj në mënyrë të veçantë këtë çështje, sepse ajo lidhet drejtpërsëdrejti me përmirësimin e vazhdueshëm dhe funksionimin efektiv të kontrollit civil, të profesionalizmit ushtarak dhe të raportit të balancuar të marrëdhenieve civilo-ushtarake, ne nje shoqeri demokratike dhe ne nje Republike Parlamentare. Në këtë kuadër, bazuar edhe në ndryshimet e fundit organizative të strukturave të mbrojtjes, bëhet imperativ edhe përmirësimi dhe vënia në përdorimin e Rregullores së Brendëshme në Ministrinë e Mbrojtjes, në funksion të zgjidhjes përfundimtare të këtyre problemeve.
Kam krijuar bindjen se nga një pjesë e konsiderueshme e drejtuesve të institucionit tuaj harxhohen shumë energji dhe kohë për çështje rutine dhe komforti dhe pak energji për çështje të mirëfillta të politikave të drejtimit në nivel ministerial. Kjo sepse ka shumë raste që punohet pa vizion dhe konceptet kompatibel te integrimit intensiv me partneret dhe strukturat intervepruese te NATO-s.
Ndërsa Shtabi i Përgjithshëm është në rrugën e konsolidimit si shtab i përbashkët, vetë Ministria e Mbrojtjes nuk reflekton të njëjtat ritme reformimi konceptual. Në të ka drejtori e sektorë puna e të cilëve përmblidhet vetëm në inspektimet klasike të viteve 70-të, në kontrollet financiare që nuk kanë ndëshkuar askënd, apo të strategëve të strehimit nëpër kioska e magazina të oficerëve të thjeshtë e pa përkrahje. Drejtimi me koncept dhe me vizion kërkon që këta drejtues ose te presohen per ta bere punen ne normat dhe ne standartet e kohes ose t'ua lënë vendin njerëzve të punës dhe jo servilëve, detyra e të cilëve mbetet konformimi ciklik me eprorët dhe ruajtja shekullore e ngrohtësisë së statusquo-së.
Reforma e Mbrojtjes dhe Strategjia Ushtarake që u miratua vitin e kaluar, kërkojnë nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoritë e tyre, Komandat e Forcave dhe ato mbështetëse të ndërtojnë planet e tyre te strategjive sektoriale në mbeshtetje te Reformës. Në fakt, një pjesë e konsiderueshme e Drejtorive të institucionit te mbrojtjes jane larg nivelit te reformave ligjore qe kemi per te zbatuar.
Ato kane ndenjur në hije gjate gjithe vitit 2002, ato vazhdojne me praktikat dhe strategji te viteve qe nuk do te kthehen me. Indiferenca vihet re edhe ne takimet javore me ekipin amerikan te Grupit te Reformes ku, shume nga pjesemarresit e Ministrise se Mbrojtjes per muaj te tera nuk kane marrë pjese. Reforma dhe integrimi kerkojne edhe iniciative dhe disipline, kerkojne vetperfshirje, aktivitet të programuar, impenjim ligjor dhe jo pasivitet, mefshtesi e konformizem. Drejtori te tilla eshte me mire te mos i kesh se sa t'i kesh per te infektuar, paralizuar apo fshehur gjendjen reale.
Po ashtu, me lejoni te kerkoj me insistim qe cilesia te zevendesoje mediokritetin ne nivelet e drejtimit. Ne kete fushe, rritja e kapaciteteve intelektuale te zhvillimit te ekipeve te negociatoreve civilo-ushtarake ne MM e SHP mbetet nje ceshtje kritike. Dhe kjo mund të arrihet vetëm duke krijuar një ambjent të konkurencës së hapur dhe efektive.
Edhe ne menaxhimin e burimeve qe i vihen ne dispozicion strukturave te mbrojtjes mendoj se ka nevoje qe te permiresohen e konsolidohen me tej konceptet dhe metodat praktike dhe ligjore të menaxhimit te burimeve ne interes te prioriteteve te reformes afatgjate dhe te asgjëje tjeter.
Ministria e Mbrojtjes duhet te institucionalizoje procesin e perdorimit te burimeve te mbrojtjes, sidomos tani qe ne Shtabin e Pergjithshem eshte krijuar nje drejtori per kete qellim.
Respektimi i alternativave te perdorimit te burimeve te reformes se mbrojtjes nga Shtabi Ushtarak Profesionist si dhe i autoritetit te vendimmarrjes nga Ministria e Mbrojtjes si autoritet i kontrollit civil, jane themeli dhe shtrati i bashkepunimit civilo-ushtarak edhe per ju.
Mekanizimi dhe pergjegjesite e aksionit tonë qeverisës në fushën e mbrojtjes duhet te jene te qarta dhe pa ekuivoke ne veprimitarine tuaj administrative dhe ushtarake per te evituar spontanitetin ne bashkepunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë. Nuk eshte serioze qe në disa raste mekanizmi e rregulli zevendesohen nga subjektivizmi dhe preferencat individuale.
Dua të tërheq vëmendjen edhe përsa i përket krijimit, ruajtjes dhe kultivimit të elites ushtarake te vendit dhe administrates civile te mbrojtjes. Nëse flasim për domosdoshmërinë e një administrate publike te qendrueshme dhe profesionale, kjo cështje behet akoma me e ndjeshme dhe e mprehte e nevojshme per te kapercyer Status-Quo-ne ne një sektor te tillë si forcat e armatosura ku eksperianca dhe profesionalizmi nuk mund të zevendesohen nga klanizmi dhe subjektivizmi, pra solidariteti me mediokritetin.
2. ZHVILLIM I NJË MENTALITETI TE RI TË ANGAZHIMIT AKTIV PËRÇËSHTJET E INTEGRIMIT EUROATLANTIK.
Besoj se eshte e qarte per te gjithe ju se reformat ne sistemin e sigurise e te mbrojtjes imponohen ndjeshem nga proceset integruese ne strukturat kolektive europiane dhe euro-atlantike, sidomos ne BE dhe NATO.
Shqiperia ka percaktuar si objektiv strategjik te saj integrimin ne strukturat politike, ekonomike europiane e ato euro-atlantike te sigurise. Kjo do te thote qe, sistemi i sigurise dhe i mbrojtjes sone kombetare duhet tu pershtatet, me ritmin e reformave te tjera, organizimit dhe funksionimit te ketyre strukturave te sigurise kolektive, te sigurise euroatlantike. E theksoj se tani kerkohet që më shume se kurrë në strukturat e integrimit të të gjitha niveleve të perzgjidhen njerez te afte, seriozë e te perkushtuar, te cilet te jene në gjendje te perballojne me cilesi profesionale periudhen e para-antaresimit duke e shoqeruar ate me permbushjen e te gjitha kritereve e detyrimeve te integrimit.
Mendoj se jane pjekur kushtet që, bazuar në eksperiencen e tre vendeve Balltike, edhe tre vendet aspirante te rajonit tone, Shqiperia, Maqedonia dhe Kroacia, duhet te zhvillojne nje strategji te perbashket per integrimin ne NATO ne Samitin e ardhshem. Qeveria po punon ne mirkuptim te plote me SHBA-ne, me NATO-n dhe me partnere te tjere anetare kryesore te saj, ne kete funksion ne mesin e marsit do te nenshkruhet Karta e Adriatikut, ne Washington, per te bere te mundur hartimin dhe venien ne zbatim te nje programi te perbashket, reformash dhe veprimesh ne kete funksion, midis Shqiperise, kroacise dhe Maqedonise. Une nuk mund te mos ndaj dhe kerkoj nga ju qe te jemi kompetitiv ne kete bashkepunim dhe te kemi te njejtin ritem dhe harmonizim veprimesh, te njejtin rezultat ne ndertimin e strukturave nderoperacionale me fqinjet ne procesin e integrimit ne NATO. Pra, ta bejme kete strukture treshe funksionale, ne jetën dhe veprimtarine tone per sigurine kombetare dhe ne raportet civilo-ushtarake ne Shqiperi .
Ministria e Mbrojtjes duhet te jete e pergatitur per te prezantuar nje platforme te perbashket integrimi e bashkepunimi mbi kete bazë me masa te studiuara mire dhe sa më realiste në fushen e mbrojtjes dhe te sigurise kombetare.
Mbas Samitit te Prages te gjithe i kemi bere pyetjen vehtes: Perse nuk u ftuam per anetaresim ne te? Ne tashmë kemi marrë dhe dhënë shpjegimet e duhura të cilat janë të njohura edhe për publikun e gjerë. Hapat që kanë bërë Forcat e Armatosura të Shqipërisë vecanerisht gjate viteve te fundit kanë marrë përgëzimet e duhura nga partnerët tanë ndërkombëtarë, por rruga e reformimit, rritjes së profesionalizmit dhe arritja e standarteve të kërkuara përbëjnë një stad të ri të reformimit të mëtejshëm të tyre. Ne kemi perpara 40 muaj per te realizuar keto objektiva me rendesi kombetare. Kemi tashmë një plan të qartë veprimi konkret reformues dhe bashkërendimi ndërkombëtar që do të na afrojë dhe fuse me sigurine sepse vullneti politik dhe aftesia profesionale e shtabit dhe strukturave te FA-se nuk mungojne. Në një vështrim më të gjerë procesi integrues i Shqipërisë mbetet proces kompleks per tu bashkërenduar dhe une jam ketu per te perforcuar bashkerendimin e qeverise me ju .
Në këtë kuadër grupi nderministror i eksperteve i bashkedrejtuar nga Zv/Ministrat e Jashtem e te Mbrojtjes, me gjithë punen e mire të bërë gjate procesit aktual te MAP-it, mendoj se duhet te aktivizohet cilesisht. Kjo do të realizohet duke e rikompozuar me ekspertet më të mire ne diplomaci, ekonomi, finance, mbrojtje, ligjshmeri, etj për të siguruar një mbështetje reale e te besueshme për imputet, projektet dhe aktet qe miratuam per te kaluar ne qeveri dhe ne istanca te tjera, ne Kuvendin e Shqiperise nga Komiteti Kombetar Ndërministror për Integrimin (KNI). Ky grup ekspertesh duhet t'i rekomandojë vazhdimisht Komitetit Ndërministror për Integrimin rrugëzgjidhje alternative sa më reale të cështjeve të integrimit, të ndjekë ecurinë e proceseve integruese e të bëjë analiza e konkluzione për rrugët më të efektshme e me kosto më të ulët, të përcaktojë prioritetet e procesit të integrimit ne terren, dhe të analizojë zbatimin e planeve e programeve integruese te miratuara. Duhet të sjell në vëmendjen tuaj se jo një herë detyrimet dhe pergjegjesite e Ministrive per integrimin behen me ngutje dhe në momentet e fundit dhe prandaj krijojne vonesa ne zbatimin e programeve dhe te masave qe vendosem.
Të nderuar pjesëmarrës,
Dokumentat si "Plani i Veprimit per Antaresim" i Samitit te Washingtonit dhe "Studimi mbi Zgjerimin e NATO-s", perbejne dy dokumentat baze per programet tona kombetare te integrimit edhe ne fushen e reformes ne mbrojtje dhe ne siguri. Unë vlerësoj se një punë më e kualifikuar dhe në ndihmë të procesit integrues duhet të bëjne shkollat dhe akademia ushtarake, sikunder edhe bërthamat e tjera shkencore të kësaj fushe. Ne Akademite tona akoma nuk kane marrë peshen e duhur dokumentat baze te Aleances, por shpesh studjohet nje amalgame doktrinash e konceptesh sipas perkatesise se arsimimit te pedagogeve.
Pra, une dua t'u jap kete mesazh sot per bashkeveprimin edhe me te ngushte, me te harmonizuar, me te kontrolluar, dhe me transparent qe pershpejton procesin e përafrimit të legjislacionit tonë me standartet e vendeve tashmë antare të Aleances së Atlantikut Verior kerkon një punë të koordinuar të te gjitha institucioneve, ne menyre te vecante të Ministrise se Drejtesise dhe asaj të Mbrojtjes ne funksion disiplinimi ligjor te cdo veprmi te metejshem.
Me këtë vlerësim, duke ju rifalenderuar per perpjekjet dhe rezultatet e arritura, kërkoj te angazhohemi me me shume ritem dhe rezultat ne përshpejtimin e reformës që do ta integrojë te gjitheve, institucionet, FA, Atdheun dhe qytetaret e tij ne realitetet globale.
Punë të mbarë dhe rezultate te reja!