I ngacmoi vajzën, vret fqinjin në derën e shtëpisë
I ngacmonte të bijën, vret me çifte bashkëfshatarin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Poro, të rrethit të Vlorës. Burime zyrtare të policisë së Vlorës bëjnë të ditur se 61-vjeçari Toli Bërdalli ka ekzekutuar me një armë gjahu, çifte, bashkëfshatarin e tij, Theodhori Koçi. Mësohet se konfliktet mes autorit dhe viktimës kanë qenë të hershme, për shkak të ngacmimeve të vazhdueshme që viktima i bënte vajzës së autorit të vrasjes. Të njëjtat burime saktësojnë se 50-vjeçari Theodhori Koçi kishte ngacmuar disa herë vajzën e Bërdallit, e cila prej tre vitesh jetonte me prindërit, pasi kishte mbetur e ve nga martesa e parë. Sipas burimeve policore, konflikti ka nisur vite më parë, kur e bija e Bërdallës sapo kishte ardhur të jetonte bashkë me dy fëmijët binjakë, të mbetur jetimë që prej shtatë vitesh, pas vdekjes së të atit në një aksident automobilistik. Koçi shpeshherë e ngacmonte me fjalë gruan, duke i premtuar se do të ndahej nga bashkëshortja dhe do të martohej me të. Ndërkaq, pas marrjes së dëshmive të banorëve të fshatit, policia ka pohuar se viktima njihet të ishte një person problematik. 50-vjeçari, baba i tetë fëmijëve ku më i madhi ishte 19 vjeç, kishte krijuar mjaft konflikte me banorët e fshatit Poro, madje disa herë ishte denoncuar për ngacmime.
NgjarjaMëngjesin e djeshëm, rreth orës 05:30, Theodhori Koçi ka shkuar te porta e shtëpisë së 61-vjeçarit Toli Bërdalli dhe me fjalë fyese ka nisur të shajë fqinjin dhe të bijën, që nuk u ishte përgjigjur asnjëherë propozimeve të tij. Në këtë moment, 61-vjeçari ka hyrë në shtëpi nga ku ka marrë çiften, dhe ka qëlluar dy herë mbi 50-vjeçarin. Saçmat e çiftes i kanë përshkruar pjesën e poshtme të gjoksit dhe një dorë, duke i shkaktuar vdekjen disa minuta më pas. Autori ka njoftuar policinë për ngjarjen, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje ku ka gjetur dhe trupin e pajetë të 50-vjeçarit, të mbetur në prag të derës së fqinjit. Nga hetimet paraprake, pas marrjes në pyetje të banorëve dhe vetë vrasësit, policia ka krijuar skemën e ngjarjes. Sipas burimeve nga grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje, pohohet se viktima prej tre vjetësh ngacmonte vajzën e 61-vjeçarit. Ai e ndalonte në rrugë ose i hidhte fjalë, madje dhe në prani të banorëve të tjerë të fshatit. Vajza ishte ankuar tek i ati dhe fqinjët ishin përplasur disa herë me njëri-tjetrin.
Ndërkaq, policia ka marrë trupin e pajetë të 50-vjeçarit dhe e kanë dërguar për në morgun e spitalit të Vlorës, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Pas autopsisë rezultoi se shkak i vdekjes ishin plagët e mëdha dhe hemorragjia e shkaktuar nga goditja me armën e gjahut, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale gjatë arrestimit të autorit të vrasjes.
Ndërkohë, 61-vjeçari Bërdalli, baba i pesë fëmijëve, është shoqëruar në paraburgimin e Komisariatit të Vlorës. Ai do të gjykohet për veprën penale të “vrasjes me dashje, e kryer me paramendim”.
#