Lot dhe dhimbje në ceremoninë përkujtimore
Familjarë, të afërm, miq, deputetë të PS-së kanë përkujtuar dje në përvjetorin e parë të vdekjes, deputetin Fatmir Xhindi. Kortezhi u është drejtuar varrezave të Kurjanit rreth orës 10.00 të paradites, atje ku deputeti ka lindur dhe prehet pas ekzekutimit mafioz mbrëmjen e dy majit të vitit të kaluar. Dhimbja dhe lotët ishin të njëjta si një vit më parë. Të parët që kanë shkuar në vendprehjen e tij kanë qenë djemtë dhe bashkëshortja, të cilët ndiqeshin nga e ëma, motrat dhe vëllezërit e deputetit. Më pas, pranë varrit të deputetit Xhindi, kanë shkuar përfaqësuesit politikë të forcës që ai përfaqësoi në Parlamentin shqiptar për tri legjislacione radhazi.
Fatmir Xhindi u ekzekutua në mënyrë misterioze më 2 majin e vitit 2009, vetëm pak ditë para hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare. Xhindi u vra me plumbat e një arme zjarri automatike, të cilat shtinë mbi të në momentin që ai po hynte në banesën e tij, e cila ndodhet në unazën e qytezës së Roskovecit.
#