Vetëvaret me litar, 26-vjeçarja gjendet nga i vëllai
Gjendja e rëndë depresive ka çuar një 26-vjeçare nga Fushë- Arësi drejt vetëvarjes me litar. Vajza është gjendur nga i vëllai, e varur në një nga pemët e oborrit të shtëpisë.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në një lagje periferike të qytezës së Fushë-Arësit. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se viktima është Vera Doda, 26 vjeçe. Të njëjtat burime kanë sqaruar se me gjithë ndihmën e dhënë nga i vëllai i viktimës, i cili menjëherë ka prerë litarin ku ishte varur e motra dhe e ka çuar në spital, gjithçka ka qenë e kotë, pasi 26-vjeçarja ka ndërruar jetë vetëm pak çaste pasi ishte vetëvarur. Mësohet se në momentin kur 26-vjeçarja i ka dhënë fund jetës, ka qenë e vetme në shtëpi dhe kjo duket se i ka krijuar më shumë mundësi për të kryer aktin e vetëvarjes. Burime nga policia bëjnë të ditur se në lidhje me ngjarjen janë intervistuar familjarët e viktimës për të mësuar më shumë në lidhje me shkaqet e ngjarjes, të cilët kanë pohuar se vajza e shtëpisë prej disa ditësh ishte në gjendje depresive.
#