E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai i Xhindit: Gjeni autorin sa më shpejt

Familjarët, letër të hapur kryeprokurores dhe krerëve të shtetit Një vit pas vdekjes së deputetit, familjarët akuzojnë qeverinë

Familjarët e deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi, në përvjetorin e parë të vdekjes së tij kanë përsëritur apelin ndaj autoriteteve më të larta në vend për zbardhjen e vrasjes dhe gjetjen e autorit. Në emër të familjarëve, vëllai i deputetit të ekzekutuar, Ilir Xhindi, me anën e një letre të hapur ka kërkuar që kryeprokurorja Ina Rama të shprehet brenda një kohe shumë të shkurtër lidhur me vrasjen. Dyshimet e familjarëve janë përforcuar lidhur me autorin dhe gjithnjë e më shumë akuzojnë shtetin. Ilir Xhindi, vëllai i Fatmirit, ka bërë një letër të hapur drejtuar qeverisë, kryeprokurores Ina Rama, Parlamentit shqiptar, përfaqësive diplomatike në vend dhe veçanërisht ambasadës amerikane. Në letrën e tij, Ilir Xhindi është shprehur për një mosbesim ndaj angazhimit të qeverisë për zbardhjen e vrasjes dhe i ka bërë apel shtetit të mbajë përgjegjësi për çdo gjë që ndodh me qytetarët e tij, aq më shumë për personat me mandat. Më tej Xhindi ka ripërsëritur kërkesën për një hetim ndërkombëtar, ndërkohë që është shprehur se “në rast të mosekzistencës së shtetit, zbardhja e vrasjes le të na lihet ne familjarëve. Nëse shteti nuk ekziston, atëherë ne jemi të gatshëm të hetojmë në mënyrë private. Një vit ka munguar deklarata e prokurores së përgjithshme. Vetëm fjalë boshe të ish-ministrit të Brendshëm Bujar Nishani kemi dëgjuar. Vetëm fjalë dhe asgjë më shumë, ndërkohë që duam një deklarim të shpejtë zyrtar”, thuhet në letrën e hapur të bërë publike nga vëllai i deputetit, Fatmir Xhindi. Vrasja e ish-deputetit Fatmir Xhindi është duke u hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërkohë që organi i akuzës fierake është i përfshirë në këtë ngjarje vetëm në momentin e parë, atë të regjistrimit si vrasje. E njohur prej kohësh me autoritetet që po merren me zbardhjen e kësaj ngjarje, familja e Fatmir Xhindit u ka dërguar apel pikërisht kryeprokurores, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, qeverisë, Parlamentit, përfaqësive të ambasadave të huaja në vend dhe veçanërisht drejt ambasadës amerikane.

Letra

Mes të tjerash, në letrën e Ilir Xhindit thuhet: “U mbush plot një vit nga vrasja e vëllait, kryefamiljarit, të afërmit e përfaqësuesit tonë në Parlamentin shqiptar për tri legjislatura Fatmir Xhindi. Për 365 ditë të vërtetën e ka mbuluar heshtja dhe vetëm heshtja. Kujtojmë një vit më parë deklaratat e përfaqësuesve më të lartë të shtetit shqiptar, për zbardhjen e vrasjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve të këtij krimi makabër. Kujtojmë sot deklaratat e Prokurorisë së Përgjithshme, përfaqësuesve të politikës dhe ndihemi të zhgënjyer totalisht. Asgjë nuk është bërë për të zbuluar të vërtetën. Kemi besuar te shteti dhe institucionet e tij të drejtësisë. Kemi besuar te ju i nderuar President, te deklaratat tuaja Kryeministër i Shqipërisë, tek impenjimi juaj zonja kryeparlamentare, te drejtësia juaj zonja kryeprokurore. Ne ndihemi moralisht të rënë dhe shpirtërisht të vrarë. Shteti ka dështuar plotësisht në zbardhjen e kësaj vrasjeje. Atë ditë, nuk u vra vetëm njeriu, familjari, qytetari, por edhe Parlamenti shqiptar dhe vetë shteti. Ju bëjmë sërish apel. Kërkojmë drejtësi. Kërkojmë një të drejtë legjitime në emër të familjes, në emër të bashkëqytetarëve dhe në emër të mijëra zgjedhësve të Fatmir Xhindit. Kërkojmë zbardhjen e vrasjes dhe autorët e saj, në të kundërt kjo heshtje, ky dështim do të në japë të drejtën të vëmë gishtin e të themi se vrasësi mund të jetë vetë shteti”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›