I ngacmonte vajzën, vret fqinjin
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Vret bashkëfshatarin se i ngacmonte vajzën. Autori i krimit, 61-vjeçari Toli Bërdalli nga fshati Poro i Vlorës, pohoi para policisë se nuk kishte zgjidhje tjetër. Sipas tij, viktima Theodhori Koçi, 50 vjeç i kishte nxirë jetën së bijës, e mbetur vejushë prej disa vitesh. Ngjarja e rëndë tronditi fshatin në orët e para të mëngjesit, kur saçmet e një çifteje i morën jetën Koçit. Konflikti mes dy protagonistëve pohohet nga policia dhe dëshmitarët se ka qenë i hershëm, pasi disa herë radhazi viktima i kishte ngacmuar publikisht të bijën autorit. Sipas burimeve policore zanafilla e historisë mes dy komshinjve që pasoi krimin e djeshëm ka nisur që para tre vitesh. E bija e Bërdallit mësohet se ishte kthyer për të jetuar në familjen e të atit në Poro, pas vdekjes së të shoqit në aksident 7 vite më parë. Ai kishte lënë jetimë dy fëmijë binjakë. Që nga momenti i shpërnguljes, policia ka mësuar se fqinji përballë ka nisur të ngacmojë vejushën, duke i thënë dhe se do të martohen të dy bashkë. “Unë do të ndahem nga gruaja dhe do të të marr ty” besohet të jetë shprehur 50-vjeçari si dhe shumë fjalë të tjera. Vetë Theodhori Koçi ishte i martuar dhe kishte 8 fëmijë, ishte dhe person me probleme në fshatin Poro. Nga burimet policore Theodhoriu ishte dhe problematik në fshat pasi kishte dhe shumë konflikte të tjera me banorët e zonës. Shpeshherë ai ishte bërë dhe objekt i denoncimeve të shumta ndaj tij për ngacmime, por që nuk kishin qenë aq të rënda sa për ta ndaluar atë.
Mëngjesin e djeshëm, ndërsa ora shënonte 05:30, Koçi ka shkuar tek porta e shtëpisë së Tolit ku dhe jetonte me dy fëmijët vajza e tij dhe me fjalë të rënda ka filluar të fyejë si kryefamiljarin Tolin për vajzën e tij, ashtu dhe vetë të bijën. Në këtë moment, 61-vjeçari ka hyrë në shtëpi ka marrë armën e gjahut tip çifte dhe e ka drejtuar nga Theodhoiriu duke e qëlluar dy herë. Saçmet e armës së zjarrit e kanë përshkuar viktimën në pjesën e gjoksit dhe në dorë. Plagët e shkaktuara i kanë marrë atij jetën pas pak minutash.
Pas kësaj ngjarje ka qenë vetë autori, i cili ka njoftuar policinë. Forcat e saj, nisur nga telefonata, shkuan me urgjencë drejt vendngjarjes, duke gjetur aty viktimën, por dhe personin që e qëlloi. Ai ka treguar se krimin e ka bërë për shkak të ngacmimeve që fqinji i tij i bënte vajzës dhe çdo ditë e fyente. Po ashtu dhe banorët e fshatit Poro që kanë deponuar në ambientet e policisë së Vlorës gëzonin respekt për Tolin, i cili ishte i respektuar dhe punëtor. Ata e kanë mbrojtur 61-vjeçarin, duke thënë se krimin e ka bërë ngaqë nuk mund të duronte më. Veç vajzës së mbetur e ve, në banesën e Bërdallit jetonin dhe dy vajza të tjera, ndërsa dy fëmijë të tjerë ishin në emigracion. 61-vjeçari Bërdalli është shoqëruar në paraburgimin e Vlorës, ku do të gjykohet për veprën penale të vrasjes me dashje me paramendim.
Autori, largohen fëmijët e mitur
Pas ngjarjes, në familjen e Koçit mbizotëronte “qetësia”, pasi dhe fëmijët e tij të vegjël ishin hequr nga shtëpia menjëherë pas ngjarjes. Fëmija më i madh i viktimës ishte 19 vjeç e më pas vinin 7 fëmijët e tjerë. Trupi i pajetë i 50-vjeçarit Koçi i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, nga ku doli se shkak i vdekjes ishin plagët e rënda dhe hemorragjia e shkaktuar si pasojë e saçmeve të armës së gjahut.