Minjtë mësyjnë Burgun e Burrelit, të dënuarit letër autoriteteve
BURREL - Minjtë mësyjnë qelitë e burgut të Burrelit, ku vuajnë dënimin më shumë se 200 persona. Janë vetë të dënuarit që e bëjnë të njohur këtë fakt, pasi ata kanë kërkuar ndihmë tek zyrtarët. Nëpërmjet një letre drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Burgut të Burrelit ata shprehen se ndjehen më të shqetësuar se çdo herë pasi numri i minjve që dalin nga kanalet e ujërave të zeza apo mjedise të tjera kanë mbipopulluar qelitë, korridoret, magazinat e ushqimeve dhe rrobave, oborrin e mjedise të tjera të burgut. Rritja e menjëhershme e temperaturave ka bërë që këto gjallesa të shumta të dalin nga “strofkat” e tyre duke mbushur mjediset e burgut e duke krijuar kështu një situatë paniku jo vetëm për të dënuarit, por dhe për personelin e këtij institucioni të rëndësishëm. Ngjitur me burgun e Burrelit kalon një kanal i madh i ujërave të zeza të lagjes periferike të qytetit, nga ku dalin minjtë që “mësyjnë” burgun. Të dënuarit kanë kërkuar nga ana e institucioneve që të marrin masa për të shfarosur ose parandaluar brejtësit në ambientet ku janë të detyruar të qëndrojnë. “Ka shumë ditë që detyrohemi të mos fikim dritat e qelive për asnjë moment. Ata janë të rrezikshëm sepse shkaktojnë sëmundje, sidomos nëse hyjnë në magazinat e ushqimeve”. Ky shqetësim është marrë parasysh nga drejtuesit e burgut. është urdhëruar ngritja e grackave me helme apo ilaçe të ndryshme për këta brejtës. Brejtësit, sipas të dënuarve kanë nisur të dalin ditët e fundit pas rritjes së menjëhershme të temperaturave, duke u strehuar në vrimat e mureve të burgut, kanalet e ujërave të zeza, banja e kudo gjejnë një “strehë”. Të dënuarit janë shprehur se situata është shqetësuese dhe se masat duhet të jenë të menjëhershme dhe efiçente, ndryshe numri i minjve do të vijë duke u shtuar. Pritet që grupe të posaçme të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të inspektojnë mjediset e burgjeve dhe të marrin më shumë informacion nga të dënuarit rreth situatës së pazakontë që është krijuar në këtë burg të rëndësisë së veçantë. h.p