E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD, vë rregulla për emërimet në Apelet Tiranë, Durrës dhe Vlorë



TIRANE - Gjykatat e apelit Tiranë, Durrës dhe Vlorë do të plotësohen me numrin e duhur të anëtarëve sipas një rregulloreje të re të publikuar vetëm pak ditë më parë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e fundit të KLD, bëhet e ditur se anëtarët e këtij institucioni pasi kanë diskutuar dhe paraqitur mendimet mbi kriteret që duhet të ndiqen nga Këshilli, në shqyrtimin e kërkesave të paraqitura për emërime dhe transferime në vendet vakante të shpallura publikisht, në Apelet Tiranë, Durrës e Vlorë, në përfundim ka përcaktuar kriteret dhe procedurën e votimit. Sipas KLD për plotësimin e vendeve vakante nuk do të realizohet vlerësimi i aftësive të tyre profesionale, me procedurë të përshpejtuar. Po kështu, kandidatët për në apele, që kanë qenë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë apo funksione të tjera shtetërore, kërkesat e tyre do të shqyrtohen në mbledhjen plenare të Këshillit, duke iu nënshtruar konkurrimit, njëherazi me kandidatët e tjerë. Më tej thuhet se në konkurrim për emërim apo transferim në këto apele do të përfshihen kandidatët, që ushtrojnë detyrën e gjyqtarit në ato gjykata ku me ligje të posaçme, ju është caktuar një mandat, si dhe kryetarët e gjykatave që ushtrojnë këtë funksion prej me pak se katër viteve. “Ish-gjyqtarët e Apelit Ushtarak, që kanë paraqitur kërkesë për emërim në apelet Tiranë, Durrës dhe Vlorë, do t’i nënshtrohen konkurrimit njëherazi me kandidatët e tjerë. Ndërsa për gjyqtarët e tjerë të asaj gjykate të suprimuar, KLD do të vendosë kryesisht emërimin në vendet vakante, në një mbledhje të ardhshme”. Më tej KLD thotë se të drejtën për të kandiduar në vendet vakante në apele, nuk e kanë ata që aktualisht nuk kanë statusin e gjyqtarit. Për rrjedhojë, kjo kategori nuk do të përfshihet në konkurrim. Ndërsa në fund pohohet se në listat e votimit do të pasqyrohen me një shenjë të posaçme, kandidatët që pak kohë më parë kanë marrë transferim apo propozim për emërim nga Këshilli. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›