E Shtunë, 31 Tetor 2026

I nxehti afrikan, vjen dy muaj "me pushime" në Shqipëri

Shqipëria do të pushtohet nga vala e të nxehtit për dy muajt e ardhshëm, duke zyrtarizuar kështu edhe përfshirjen në ngrohjen globale. Temperaturat priten të kalojnë mbi 42 gradë Celsius, duke i bërë ditët verore përvëluese. Parashikimet e meteorologëve flasin për një verë tepër të nxehtë. Sipas tyre, vendi ynë pritet të goditet në dy muajt e ardhshëm nga i nxehti afrikan, duke bërë që temperatura maksimale të kalojë mbi 42 gradë Celsius. Sipas sinoptikanëve, temperaturat e larta për këtë stinë pranvere në Shqipëri nuk janë konsideruar normale. Megjithatë ata parashikojnë që në ditët e fundit të kësaj jave të ketë ulje të temperaturave. Madje priten edhe reshje të pakta shiu. Por e gjitha kjo nuk do të zgjasë shumë. Kështu në Tiranë temperaturat e larta pritet të ulen nga rreth 30-32 gradë në fund të javës në rreth 23-25 gradë, ndërsa ato të ulëtat do të kenë pak ndryshim, nga 16 gradë në 15 gradë Celsius.
Rritja e temperaturave dhe "çrregullimi i stinëve" është një nga ndikimet e ndryshimeve klimatike në vendin tonë, sipas specialistëve të mjedisit. Nën këtë ndikim duket se Shqipëria, pavarësisht se ka një klimë mesdhetare, në ditë të veçanta është prekur nga fenomene të klimës kontinentale.
Ndërkohë, rritja e temperaturave ka vënë në gatishmëri strukturat shëndetësore në vend, por dhe urgjencat e kryeqytetit, veçanërisht atë të pediatrisë. Gjatë fundjavës u shënua një numër i lartë i pacientëve të paraqitur në urgjenca për shkak të temperaturave të larta. Moshat më të prekura kanë qenë fëmijët dhe të moshuarit.
Sipas mjekëve, nënat duhet të kujdesen të mos i ekspozojnë në temperatura të larta fëmijët, t‘u japin sa më shumë lëngje dhe ushqim të kontrolluar brenda kushteve higjieno-sanitare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›