E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitjet në ekonomi ngecin në vendnumëro

Shitjet në ekonominë shqiptare duket se kanë qenë praktikisht zero gjatë tremujorit të parë të këtij viti, pasi Ministria e Financave ka arritur të arkëtojë të njëjtën shumë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar si në tremujorin e parë të vitit të kaluar. Lajmi bëhet i ditur nga të dhënat e vetë Ministrisë së Financave. Të ardhurat nga TVSH-ja për periudhën janar-mars 2009, ishin 24.4 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 0.4 miliardë lekësh ose 1.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008, bëhet e ditur nga statistikat që u publikuan vetëm pak ditë më parë. TVSH-ja përdoret njëkohësisht për të matur qarkullimin e mallrave në ekonominë shqiptare dhe ecuria e këtij treguesi flet për gjendjen ekonomike të vendit në tërësi. Në vlera reale, shitjet në ekonominë shqiptare kanë pësuar rritje zero në krahasim me një vit më parë, për shkak se inflacioni për periudhën ka qenë rreth 1.6 për qind.
Më herët qeveria pati këmbëngulur se "gjithçka shkon mirë në ekonominë kombëtare".
"Të ardhurat në administratën tatimore janë konform programit dhe rreth 12% më të larta në krahasim me një vit më parë", deklaroi pak javë më parë ministri i Financave, Ridvan Bode. Por shifrat e publikuara nga vetë Ministria e Financave flasin për një situatë shumë më të vështirë. Të ardhurat e tremujorit të parë u plotësuan me tërheqje fitimesh nga Banka e Shqipërisë dhe me të ardhura nga privatizimet, të cilat duket se kanë mbaruar sakaq.
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi rritje ekonomike të papërfillshme prej vetëm 0.4 për qind për vitin 2009 për Shqipërinë, por qeveria vijon të këmbëngulë se parashikimet e FMN-së janë të gabuara dhe se rritja ekonomike këtë vit do të jetë 4.5 për qind. Por të ardhurat në zërin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar konfirmojnë parashikimin e FMN-së.
Ministria e Financave nuk e ka zbatuar kalendarin e publikimit të të dhënave zyrtare që prej gjashtë muajsh dhe të dhënat e publikuara prej saj janë sporadike. Gj. Erebara

Deficitet në të ardhura (në miliardë lekë)
Treguesi Mars ‘08 Mars ‘09
TVSH 24 24.4
Doganat 2.06 1.66
Tatim-fitimi 6.05 5.5

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›