E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teza e Letërsisë, 20 mësues do të ngujohen për një javë

Nuk bëhet fjalë për ndonjë spektakël të ri, por për përgatitjet e provimeve të Maturës Shtetërore 2009. Plot 20 mësues të përzgjedhur nga ana e Ministrisë së Arsimit do të izolohen nesër nga kontaktet e jashtme, për të qëndruar një javë në ambientet e Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve (AVA). Ata kanë për detyrë që mes një fondi pyetjesh të servirura tashmë nga një numër i madh specialistësh dhe mësuesish të Letërsisë, të përzgjedhin disa variante për tezën finale të provimit të detyruar të kësaj lënde. Fondi i pyetjeve, sipas drejtorit të AVA-s, Alfons Harizaj, këtë vit është 10-fish më i lartë.

Lidhur me përgatitjen e tezës finale nga MASH janë zgjedhur dy emra profesorësh që kanë për detyrë të përgatisin zarfet alternative me tezat e përzgjedhura. Ato do të mund të dalin nga ambientet e AVA-s vetëm ditën e provimit të Gjuhës dhe Letërsisë dhe të nisen drejt Ministrisë së Arsimit për të përfunduar në duart e kreut të këtij institucioni. Në përputhje me rregulloren e maturës shtetërore është vetë ministri i Arsimit ai që vendos për tezën finale, e cila më pas shumëfishohet dhe dërgohet po ditën e provimit nëpër të gjitha shkollat e vendit.

Hartuesit e tezave, së bashku me punonjësit e tjerë të AVA-s, nuk do të kenë asnjë mundësi komunikimi. Madje atyre nuk u lejohet as përdorimi i celularëve apo i internetit përgjatë gjithë javës para provimit. Për të shmangur presionet nga jashtë, për ta godina e AVA-s do të ruhet nga forca të policisë.

"Edhe pse mbarojnë punën në ditën e parë të futjes brenda në ambientet e AVA-s, ata do të dalin vetëm pasi të jetë shpallur e të jetë hapur testi në mjediset publike, pra në shkolla", shprehet për këta mësues drejtori i arsimit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. Ai shton se ata janë përzgjedhur në bazë të disa kritereve, si ai i aftësisë, përvojës, seriozitetit, por edhe ndershmërisë dhe mungesës së konfliktit të interesit.

Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, maturantët kanë të drejtë të të kërkojnë rivlerësim të tezave të tyre, që do të bëhen nga komisione të posaçme, të cilat do të ngrihen pranë AVA-s.

"E drejta e nxënësve për të kërkuar rivlerësim mbetet përsëri. Ata mund të marrin fotokopjen e testit të tyre dhe pasi ta shohin atë, mund të kërkojnë dhe rivlerësim", thekson Vejsiu.

Dy provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore këtë vit pritet që t‘u nënshtrohen mbi 35 mijë të rinj. Kjo, pavarësisht numrit prej 47 mijë formularësh A1 dhe A1Z që janë depozituar në AVA. Numri maksimal i të rinjve pritet të jetë në provimet e lëndëve me zgjedhje për garën universitare.

Provimi i parë, ai i Gjuhës dhe Letërsisë, për të gjithë maturantët e gjimnazeve dhe shkollave të mesme të profilizuara do të zhvillohet në datën 2 qershor, për të vazhduar me provimin e Matematikës më 11 qershor. Ndërsa provimet me zgjedhje do të mbahen në të njëjtën datë në të gjithë vendin, pikërisht më 10 korrik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›