E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, mjekët realizojnë dy ndërhyrje "luksoze" në zemër

Kjo ka qenë një javë relativisht e suksesshme për mjekët dhe dy pacientë të shërbimit të Kardiologjisë. Ekipi i mjekëve të Hemodinamikës, kanë realizuar dy ndërhyrje të vështira për pacientët, që vuajnë nga sëmundjet e zemrës. Aparatura ICD (implantable cardioverter-defibrillator), një defribilator i implementuar në zemër i është vendosur dy pacientëve të moshës rreth 50 vjeç. Kjo ndërhyrje konsiderohet e vështirë, por realizimi i saj ka treguar se mjekët dhe kapacitetet mjekësore nuk mungojnë në Shqipëri. Ajo për të cilën kanë nevojë pacientët shqiptar dhe shërbimi i Kardiologjisë janë pajisjet, të cilat janë të kushtueshme, por të domosdoshme, për një pjesë të mirë të të sëmurëve. Pajisja e defribilatorit të implementuar është një aparaturë e krahasueshme me një bateri, e cila si një "gjenerator" shërben për të dhënë impulse elektrike.

Kjo aparaturë i vendoset pacientëve, të cilët vuajnë nga sëmundjet e vështira të zemrës dhe mund të jenë në rrezik nga vdekja e befasishme kardiake apo rrahjet e shpeshta të këtij këtij organi. Kjo pajisje ndihmon zemrën për mbajtjen e ritmit dhe i jep jetë asaj, duke u kujdesur për proceset normale që duhet të kryejë ky organ.

Ndërhyrja

Ndërhyrja për të dy pacientët është realizuar nga stafi i hemodinamikës në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Pajisjet ICD, implantable cardioverter-defibrillator biotronik, janë blerë nga drejtoria e QSUT-së, duke u nisur nga kërkesa zyrtare e shërbimit. Ndërkohë që një tjetër pajisje e tillë pritet të vendoset në zemrën e një pacienti të 3-të.

Mjekët kanë vendosur një aparaturë në zemrën e pacientëve.

Ajo më pas i jep zemrës goditjet që ka nevojë. Në vendet e zhvilluara kjo ndërhyrje kryhet në 100 raste në 1 milion banorë. Në vende të tjera kemi 20 deri në 30 raste në 1 milion banorë. Pavarësisht infrastrukturës që mund të kenë spitalet, apo kostos së lartë të kësaj ndërhyrje, mjekët mendojnë se ky problem duhet të shihet nga disa këndvështrime. Kur flitet për kostot, specialistët mendojnë se duhet të mbahet në vëmendje se sa ndikon kjo në uljen e sëmundshmërisë, në incidencën, në preokupimin që sjellin shqetësimet kardiovaskulare. Vendet fqinje kanë metoda të tilla moderne, dhe nisur nga kjo, vendi ynë në vitin 2009-të nuk mund të mbetet pas. Të gjitha i shërbejnë përmirësimit të shëndetit.

Sëmundjet kardiovaskulare

Rreth 50 për qind e shqiptarëve vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare. Por jo vetëm kaq. Rreth 87 për qind e tyre vdesin në shtëpi. Statistikat i bën publike Shoqata shqiptare e Kardiologjisë. Shqipëria bën pjesë në një nga vendet që cilësohen me rrezik të lartë kardiovaskular. Sipas Shoqatës së Kardiologjisë, këto shifra janë tregues i qartë i shkallës së sëmundshmërisë dhe rrezikut të popullatës nga ky grup sëmundjesh. Kur bëhet fjalë për të parandaluar rrezikun e humbjes së jetës, pacientët ndërgjegjësohen, duke marrë përsipër edhe shpenzimet në mënyrë private. Mendohet që në vitin 2009-të, blerja private e një pajisje të tillë kap shifrën e 8 mijë eurove.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›