I obsesionuar me strategji
Që prej se ka ardhur në krye të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj nuk ka pushuar duke e përmendur strategjinë për njohje, në të cilën ky dikaster është duke punuar menjëherë pas krijimit të Qeverisë së re.
Kryediplomati kosovar duket i obsesionuar me këtë dokument, të cilin më në fund e ka dorëzuar edhe te Presidentja e vendit.
Por asgjë më shumë se kaq. Hoxhaj deri më tani nuk ka arritur të bëjë diçka më shumë se pararendësit e tij, Skënder Hyseni dhe Vlora Çitaku, e cila për disa muaj ishte ushtruese e detyrës së Ministres së Jashtme.
Ai ka arritur vetëm një herë të dalë jashtë vendit duke bërë një vizitë në Kroaci. E, vendi deri më tani nuk ka as ndonjë njohje të re.
Sido që të jetë, Hoxhaj vazhdon të jetë i bindur se strategjia që ka në duar është çelësi për njohje të reja.
Në një intervistë për Kosovapress të publikuar të dielën, Hoxhaj ka elaboruar këtë dokument për të cilën thotë se analizon se pse shtetet të ndryshme nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e që në botë ka mjaft të tilla.
Por “strategjia e njohjeve” nuk është dokumenti i vetëm. Hoxhaj tashmë është dëgjuar duke folur edhe për një dokument tjetër si kyç për qasjen e re në politikën e vendit.
“Gjatë kësaj kohe, unë kam vendosur që ta kem një strategji që do të na ndihmojë neve ta rrisim numrin e njohjeve dhe përveç kësaj, do ta kemi edhe një dokument të dytë, një strategji për politikë të jashtme, meqë politika e jashtme duhet të ketë parime dhe orientime afatgjata dhe objektiva të qarta. Na pret një punë shumë e madhe. Ne do të pranojmë edhe staf të ri, do të ketë edhe ambasadorë të rinj dhe do të kemi edhe energji të reja”, ka thënë Hoxhaj.
Por çka në fakt është dokumenti që e ka hartuar MPJ’ja?
“Ky dokument është një analizë e gjendjes së pozitës aktuale të Kosovës në politikën ndërkombëtare dhe përbëhet nga tri pjesë. Pjesa e parë është një analizë shumë e përgjithshme, ku tregohet për sfidat, për prioritetet dhe objektivat që duhet t’i kemi që ta rrisim numrin e njohjeve”, ka thënë Hoxhaj.
Por, jo vetëm kaq.
“Pjesa e dytë është një analizë më e veçantë, pse një vend nuk e ka njohur Kosovën, cilat janë motivet e tij politike, etnike apo kulturore, cila është pozita e tij në rajon dhe me cilat vende të tjera ka relacione ky vend, do të thotë, cilat vende të tjera të treta mund të ndikojnë te ky vend që ta njohë Republikën e Kosovës, kush janë aktorët kryesorë në politikë, kush është presidenti, kryeministri, ministri i Punëve të Jashtme dhe në çfarë forme duhet t’i qasemi një vendi të caktuar”, ka shtuar Hoxhaj.
Në këtë dokument, sipas Hoxhajt, duket të jetë edhe një pjesë më operative, e cila implikon lobimin direkt por të cilat ministri nuk ka dhënë hollësi.
“Pjesa e tretë e strategjisë është një plan konkret veprimi në të cilin përfshihen emra dhe mbiemra, orare të udhëtimit, që përfshin konferenca, samite, forume dhe aktivitete të tjera që zhvillohen në politikën ndërkombëtare, në të cilat ne planifikojmë që të jemi të pranishëm dhe krahas kësaj, vizita konkrete bilaterale në shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka shpjeguar se strategjia do të miratohet në Qeverinë e Kosovës, derisa ka shpjeguar se tashmë është duke pritur edhe komentet e Presidentes në lidhje me dokumentin.
E, kur është fjala për dokumentin tjetër, Hoxhaj ka shpjeguar se ai dokument është duke u përkrahur edhe nga ekspertë amerikanë.
”Ne kemi një grup të ekspertëve amerikanë, të cilët janë duke na ndihmuar që ta kemi edhe një strategji për politikë të jashtme”.
Një rol tjetër që deri më tani nuk ka ekzistuar në institucionet e vendit, është edhe angazhimi i Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, i cili është emëruar në këtë pozitë pikërisht për të lobuar.
Hoxhaj nuk ka asgjë kundër Pacollit, madje e vlerëson rolin e tij në këtë çështje.
“Ai në të kaluarën ka qenë një mbështetës i fuqishëm i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka kontribuar shumë për njohje dhe ka sjellë po ashtu investime ekonomike në Republikën e Kosovës. Ka një përgatitje jashtëzakonisht të mirë, ka një profil jashtëzakonisht të mirë, ka kontakte të mira dhe mendoj që ky përshkrim i punës së tij do ta mbështesë fuqishëm Qeverinë e Kosovës që në këto fusha të kemi më shumë njerëz, më shumë profile që të jenë edhe shumë më aktivë.
Sido që të jetë, numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën është 75.
E, kur është në pyetje çështja e njohjeve të reja, Hoxhaj nuk mund japë përgjigje precize.
“Disa ambasadorë dhe të dërguar tanë kanë komunikuar me shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën dhe mendojmë që duhet të kemi një valë të njohjeve dhe duhet të punojmë që kjo punë të ndodhë. Neve si Ministri na mbetet që të punojmë realisht shumë për njohje”, ka thënë ai.
Kuvendi i PDK’së, më 2012?
Enver Hoxhaj ka folur edhe rreth mundësisë që PDK’ja të mbajë Kuvendin Zgjedhor partiak, por ka përjashtuar mundësinë që kjo të ndodhë para vitit 2012.
Ai ka thënë se PDK’ja, në të cilën aktualisht ka përçarje mes krerëve të saj, nuk ka frikë t’i hyjë një procesi të tillë.
“Absolutisht, jo. Partia Demokratike e Kosovës nuk i frikësohet një procesi të tillë, por nuk ma merr mendja që aktualisht ne do të duhej ta organizonim një gjë të tillë. Kuvendet zgjedhore zakonisht mbahen në situata parazgjedhore dhe nëse zgjedhjet mbahen më 2013, mendoj që 2012’ta, ose 2013’ta është koha më e përshtatshme, meqë mund të riaktivizohen energji të reja, meqë mund të ketë përshkrime të reja të punës për shumë njerëz në Partinë Demokratike të Kosovës dhe meqë kuvendet zgjedhore dhe zgjedhjet brendapërbrenda partisë i shërbejnë një partie para se të hyjë në beteja zgjedhore dhe nuk duhet të jetë vetëm çështje e procedurës”.