Multi Drenica
Bëjnë jetë të qetë dhe lëvizin lirshëm. Rreth 150 serbë jetojnë dhe punojnë pa asnjë problem, së bashku me fqinjët e tyre shqiptarë. Kjo nuk ndodh në Graçanicë, e as në ndonjë enklavë të tyre, por midis Drenice.
Fshatrat Banjë dhe Suhogërllë të komunës së Skenderajt janë të banuara me serbë. Por, bashkëjetesa në mes dy popujve atje mund të merret si shembull edhe për tjerët.
Në këto dy fshatra jetojnë bashkë serbët dhe shqiptarët. Shtëpitë dhe çdo gjë tjetër i kanë pranë e pranë dhe deri më tash nuk është shënuar ndonjë incident. Madje, para luftës ata kanë shkuar edhe në shtëpitë e njëri-tjetrit, gjë që nuk ndodh tash. Për këtë ka një shpjegim Grahama Kragojevic.
Kjo e moshuar nga Suhogërlla thotë se e kupton ftohtësinë që kanë në mes vete, për shkak se shqiptarëve u kanë ndodhur shumë gjëra të këqija në luftë. “Por nuk i kemi fajet ne. Politika i ka fajet. Tash paksa jemi larguar, mirëpo nuk ankohem”, thotë 65-vjeçarja. Ajo kujton ditët kur kanë shkuar të pinë çaj te fqinjët e tyre shqiptarë. Madje, burrin e saj e ka marrë malli për çajin që e ka pirë shpesh te fqinjët.
Ky çift i moshuar ka dy djem të martuar dhe që të dytë jetojnë në fshat. Atyre asnjëherë nuk iu ka ardhur ndërmend që të ikin nga Kosova. “Kush do me punu, ka ku punon. Ne e kemi tokën këtu, punojmë, probleme kemi, por ato janë ekonomike”, thotë Kragojevic.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...