Gjoba për naftëtarët
Importuesit e mëdhenj të naftës më nuk do të kenë atë komoditet që çmimet e tyre t’i caktojnë me marrëveshje mes tyre. Ata janë në shënjestër të Komisionit të Konkurrencës. Javët e fundit, ky komision ka intensifikuar punën e tij për të hulumtuar arsyet e kësaj praktike të bashkërenduar në mes të importuesve për caktimin e çmimeve. Shumë shpejt, Komisioni do të dalë edhe me vendimin për hetimin e rreth 30 kompanive që merren me këtë biznes.
Gjatë tërë javës së kaluar, udhëheqësit e Komisionit i kanë raportuar në Bruksel Komisionit për këtë veprimtari, e që puna e tyre iu është vlerësuar atje. Udhëheqës të Komisionit të Konkurrencës thonë se kanë përfunduar fazën e parë, ku të gjithë importuesit kanë plotësuar pyetësorët e këtij komisioni. Krejt ky hetim ka ardhur si pasojë e dyshimit të Komisionit për fiksimin e çmimeve nga kompanitë importuese të naftës. Këta tregtarë mund të pësojnë të njëjtin fat, sikurse kompanitë e sigurimeve që vitin e kaluar ishin dënuar me nga 100 mijë euro për një marrëveshje të fshehtë të tyre. Osman Ejupi, drejtues i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, tha se janë duke bërë punë intensive në hetimet e nisura për naftëtarët e mëdhenj dhe gjatë javës ai thotë se mund të priten edhe vendimet për ta.
“Ndryshimet e çmimit të së njëjtës kompani kanë qenë pjesë e hetimeve tona, sepse me këtë ne do të mundohemi të stabilizojmë tregun në vend”, tha kryetari Ejupi. Ai shton se të gjitha këto po i kryejnë në bazë të Ligjit për konkurrencën. Të gjitha këto parregullsi në tregun e naftës, sipas tij, e kanë një prapavijë.
“Ne kemi mbaruar fazën e parë, ku të gjithë tregtarët e mëdhenj të naftës i kanë plotësuar pyetësorët e Komisionit. E, tash ne kemi filluar analizën e të gjithë këtyre, ku pjesë e hetimit kanë qenë rreth 30 kompani importuese të naftës, të cilat tani janë pjesë e analizës në Komision”, tha Ejupi.
Kjo javë, sipas tij, do të jetë intensive për Komisionin, pasi pritet që pas përfundimit të analizës, të marrin edhe vendimin për ta.“Nga analiza e pyetësorëve rezulton se këta importues i kanë kryesisht çmimet e njëjta, e në veçanti kur lokacionet e pompave të tyre janë afër njëri-tjetrit. E, njëjtë nuk po na rezultojnë edhe çmimet furnizuese, të cilat nuk i kanë të njëjta.
Në krejt këtë fshihet një praktikë e bashkërenduar apo të them një marrëveshje e pashkruar mes tyre”, ka thënë ai. Përveç naftëtarëve, ai tregon se janë duke u hetuar edhe kreditë e bankave, ku tregon se edhe këtu kanë përfunduar fazën me pyetësorë dhe tani janë duke kryer analizat e tyre. Ai ka bërë të ditur se dënimet për kompanitë importuese të naftës janë nga 1 deri në 10 për qind në bazë të qarkullimit vjetor.
Ai ka treguar se pjesë e hetimeve kanë qenë edhe disa prej naftëtarëve të vegjël. Javën e kaluar, ai tha se për punën e tyre kanë raportuar edhe në Komisionin e Konkurrencës në Bruksel. Komisioni e ka vlerësuar monitorimin, hetimin dhe vendimet që autoriteti kosovar i kishte marrë gjatë vitit të kaluar.
Por Shoqata e naftëtarëve nuk e pranon se mes tregtarëve kosovarë ka marrëveshje për fiksimin e çmimeve. Nazmi Bytyqi, kryetar i kësaj shoqate së naftëtarëve, ka thënë për Express, se ata bashkëpunojnë me Komisionin dhe si shoqatë nuk i ikin ligjit, por nuk pranon se ka marrëveshje në tregun vendor.
‘Nuk mendoj se qëndron marrëveshje mes tyre, e nëse veç ata hetojnë këtë, atëherë është Ligji i konkurrencës në bazë të cilit edhe Komisioni mund t’i marrë vendimet”, ka thënë Bytyqi. Ndërsa, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tani është duke ndryshuar edhe Udhëzimin administrativ për cilësinë e naftës. Në këtë ministri thonë se ata bëjnë vetëm inspektimin e naftëtarëve, e çmimet sipas tyre nuk janë problem i tyre, pasi këtë e përcakton konkurrenca në treg.