E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pari ishte Balli apo PKSH

Në një analizë të botuar në ‘Gazetën Shqiptare’, historiani Kristo Frashëri trajtonte themelimin dhe veprimtarinë e organizatës Ballit Kombëtar. Në të njëjtën gazetë ditore ndaj kësaj analize shumë shpejt kundërpërgjigjet, historiani Uran Butka, sipas të cilit Balli Kombëtar u krijua dy vjet para Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH).

Butka këmbëngul se themelimi i Ballit Kombëtar nga Mithat Frashëri ka ndodhur në ditët e pushtimit fashist, respektivisht, në prill të vitit 1939.

"Në Tiranë, nga data 3 prill 1939 e deri në 6 prill 1939, u zhvilluan demonstratat e studentëve... Kërkonin armë. Nuk iu dhanë as armë e as mbështetje nga qeveria e paralizuar.

Vetëm në mbrëmjen e 6 prillit, qeveria shqiptare u bë e gjallë të deklaronte se kërkesat e qeverisë italiane ishin të papajtueshme me dinjitetin e një shteti të pavarur. Kështu, së paku, Italia fashiste do ta zaptonte Shqipërinë pa pëlqimin e shprehur të Parlamentit (6 prill) dhe të qeverisë shqiptare. Të nesërmen ushtria italiane sulmoi Shqipërinë.

Fuqitë e Mëdha evropiane heshtën, ose u shprehën se nuk kishin interesa në Shqipëri... Asambleja Kushtetuese kuislinge shpalli më 12 prill 1939 ‘Bashkimin personal të Shqipërisë me Italinë’, vendosi t'i jepej mbretit italian, Viktor Emanuelit III, kurora mbretërore e Shqipërisë, dhe krijoi një qeveri ‘shqiptare’ kukull, me kryeministër Shefqet Vërlacin...", shkruan Butka, derisa risjellë disa nga rrethanat në Shqipëri në prill të vitit 1939.

Ndryshe nga Frashëri, Butka pretendon se Balli Kombëtar u themelua (ose, siç thotë, hodhi themelet) pikërisht në ato ditë.

"Mit'hat Frashëri reagoi politikisht menjëherë, dhe më 7 e 8 prill 1939 hodhi në Tiranë themelet e një organizate nacionaliste të rezistencës, me emrin Balli Kombëtar. Komiteti organizativ u themelua në shtëpinë e Mit'hat Frashërit, në Tiranë. Sipas Hasan Dostit, Komiteti ‘i ngushtë’ i Ballit Kombëtar u themelua në prill të vitit 1939, ‘pas të Premtes së zezë’, dhe u riorganizua në shtator të vitit 1939", shprehet ai.

Për datën e themelimit të Ballit Kombëtar ka pasur dhe ka mendime të ndryshme. Ato "vijnë nga konfondimi i ditës së formimit të Komitetit të fshehtë organizativ (prill 1939), me datën që mban Dekalogu i Ballit Kombëtar (29 shtator 1942)”, thotë Butka, i cili sjell një seri shkrimesh të gazetave të kohës për të mbështetur tezën e tij.

Butka pastaj kapet drejtpërdrejt me Frashërin (sepse për Frashërin, Balli Kombëtar është krijuar një vit pas PKSH), dhe e quan atë "falsifikues i historisë dhe shërbëtor i zellshëm i regjimit".

"Asnjë historian nuk ka gjetur nëpër arkiva ndonjë akt zyrtar, gjysmëzyrtar, apo privat, që të ndriçojë themelimin e organizatës Balli Kombëtar... Të gjithë mbështeten në ‘kujtime’ personale, të cilat duket se janë më tepër fryt i hamendjeve ose i dëshirave", shkruante Frashëri në ‘Gazetën Shqiptare’, të datës 6 tetor.

(ResPublika)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›