Problemi i veriut, shkaku i përçarjeve në NATO

Ai ka folur edhe për çështjen e investimeve që ai mendon t’i bëjë në Kosovë, ku ka thënë se është shumë i interesuar të investojë në Kosovë, duke shtuar se nëse ky projekt realizohet, atëherë Kosova do të përfitojë miliona e besa edhe miliarda dollarë, si dhe shumë vende të reja të punës.
Në një konferencë për media, ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, në një konferencë për media ka thënë se çështja e veriut të Kosovës zanafillën e ka në NATO, në të cilën ka pasur përçarje rreth anëtarëve të kësaj aleance se çka të bëhet me këtë pjesë të vendit.
“Ka pasur përçarje edhe brenda NATO-s se si të merremi me këto probleme. Tani pas 13 vitesh ne po i përjetojmë ato ndarje që kishin ndodhur atë kohë brenda NATO-s. Burrat dhe gratë e KFOR-it po bëjnë një punë të mrekullueshme dhe ata e bëjnë punën për të cilën janë këtu, po ashtu i respektojnë urdhrat që u jepen. Problemi i veriut mbetet si problem që rrjedhë nga mospajtimet që kanë ndodhur brenda NATO-s nga shtetet e ndryshme sovrane. Dhe në fund ata duhet të japin orientimet e sakta se çka kërkojnë nga KFOR-i në mënyrë që kjo të rregullohet”, ka thënë ai.
Kurse, sa i përket ndërhyrjes së qeverisë në veri të vendit, ai ka thënë se e mbështet atë aksion, pasi qëllimi i tij ka qenë të kthehet kontrolli dhe siguria edhe në atë pjesë të vendit.
“Isha pro asaj se çfarë bëri Qeveria e Kosovës për ta rikthyer autoritetin dhe hapjen e dy pikave në veri. Shumica e vendeve në Evropë dhe shumica e vendeve të tërë botën e njohin pavarësinë e Kosovës, rritja ekonomike po vazhdon këtu dhe unë mendoj se vendi duhet të shkojë edhe më tej në vendosjen e kontrollit dhe sovranitetit të plotë në tërë vendin e Kosovës dhe unë shpresoj se fqinjët e Kosovës do ta kuptojnë këtë dhe do ta respektojnë këtë”, ka thënë ai.
Ndërsa i pyetur nga gazetarët rreth interesimit të tij për të investuar në Kosovë, ai ka thënë se është shumë i interesuar ta bëjë një gjë të tillë në Kosovë, duke shtuar se ka lidhje emocionale me popullin e këtij vendi.
Sa i përket projektit të tij, ai ka thënë se është duke u hulumtuar rajoni i Ballkanit në përgjithësi, duke shtuar se Kosova është caku i tij ku mendon ta realizojë këtë projekt.
“Jemi duke punuar me disa vende të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Pra ju kemi burime të ndryshme natyrore ndër të tjera edhe thëngjillin dhe shpresojmë që të ndërtojmë strategjitë e duhura në mënyrë që të zhvillohet edhe kjo pjesë e ekonomisë. Këtu ka edhe konkurrencë edhe nga vendet e tjera, ku po ashtu edhe vendet e tjera kanë resurse të ndryshme, ku qeveritë duhet të zhvillojnë politikat e tyre në mënyrë që jenë garues në këto zhvillime ekonomike në rajon”, ka thënë ai.
Sipas tij, bazuar në analizat dhe informacionet që ai ka, Kosova do të ishte një prej vendeve më ideale për projekte të tilla me thëngjill. Ai ka thënë se nëse këto investime do të ishin të mundshme në Kosovë, kjo e fundit do të përfitonte miliona e besa edhe miliarda dollarë, hapje të vendeve të punës, si dhe do të përfitonte edhe ekonomia e vendit. Ai ka shtuar se nëse projekte të tilla do të realizoheshin në Kosovë, këtë të fundit do ta vënin në një pozitë shumë të mirë ekonomike dhe gjeostrategjike.
I pyetur nëse qeveria e Kosovës nuk shpreh interesim për këtë investim a rrezikon që ky projekt të zhvendoset diku në rajon, Clark ka thënë se do të bëjnë çka është e mundur që ky projekt të realizohet në Kosovë, duke shtuar se bëhet fjalë për një teknologji që nuk ekziston në këtë vend, prandaj, duke marrë parasysh këtë, ky projekt hynë në kategorinë e investimeve direkte në Kosovë.
Kurse sa i përket Fondit Kosovaro-Amerikan për Edukim, ai ka thënë se është një fond shumë i mirë, i cili ua mundëson shumë bursistëve që të studiojnë në Amerikë, t’i marrin përvojat nga atje, pastaj të vijnë në Kosovë dhe të shërbejnë për dy vjet në vendin e vet, e më pastaj mund të punojnë kudo në botë. Ai ka falënderuar të gjithë ata që kontribuojnë në këtë fond, duke shtuar se investimi në edukim është një investim në të ardhmen./kosovapress/