I penduari: Bëni gjyqin e "Bandës së Durrësit" edhe pa avokatin tim
• TIRANE - I penduari i "Bandës së Durrësit", Adriatik Coli kërkoi dje që Gjykata e Krimeve të Rënda të zhvillojë gjyqin ndaj të arrestuarve edhe pa praninë e avokatit të tij.Kërkesa u bë gjatë kohës që trupi gjykues po verifikonte praninë e avokatëve të personave të pandehur. I penduari ishte dakord që gjyqi të zhvillohej pa avokatin e tij, por gjykata shtyu seancën pasi mungonin avokatët e të akuzuarve të tjerë. Shumica e të arrestuarve të "Bandës së Durrësit", edhe dje janë çuar në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, mes tyre edhe i penduari Adriatik Coli, mungesa e avokatëve mbrojtës ka detyruar trupin gjykues të shtyjë për javën e ardhshme seancën. Dëshmia e të penduarit Adriatik Coli, cilësohet si provë e fortë në duart e prokurorisë për të faktuar veprimtarinë kriminale të personave të pandehur të "Bandës së Durrësit", të cilët akuzohen për disa ngjarje kriminale mes tyre vrasje dhe trafik droge. "Banda e Durrësit", e cila e ka zanafillën në vitet 1999 dhe fillimisht ka vepruar si një e vetme, nën drejtimin e të pandehurit Lulzim Berisha, ndërsa me kalimin e kohës ajo u shpërbë. Të akuzuarit si anëtarë të saj u grupuan në dy kampe rivale dhe filluan konfliktet me njëra-tjetrën, duke lënë pas shumë episode kriminale, që janë objekt shqyrtimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Shumë prej të pandehurve të këtij procesi janë ndaluar në tre vitet e fundit në operacione të ndryshme të organizuara nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Madje disa prej tyre janë vendosur në pranga edhe jashtë vendit, si në rastin e të pandehurit Lulzim Berisha, i cili u arrestua në Maqedoni dhe më pas u ekstradua në vendin tonë. Të arrestuarit po shoqërohen me masa të forta sigurie në gjykatë nga forcat speciale për shkak të kontradiktave dhe konflikteve mes tyre që në kohën e ndarjes së bandës në dy fraksione të drejtuara nga Lul Berisha dhe Indrit Dokle. Procesi IIMungesa e avokatëve mbrojtës të së dashurës së Lul Berishës Fiorentina Kotorri dhe mikut të tij Indrit Taullari u bë shkak që të dështonte dje në Gjykatën e Tiranës seanca gjyqësore në ngarkim të tyre, të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të autorit të krimit.