Kryeprokurori i ri i Tiranës, rregullore strikte për vartësit
• TIRANE - Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Tiranës, Genti Xholi ka firmosur rregulloren e re të institucionit të akuzës në kryeqytet.Dokumenti që u është komunikuar gjithë punonjësve të institucionit është hartuar vetëm pak ditë pas një takimi që Kryeprokurori i Tiranës ka zhvilluar me vartësit e tij. Në këtë takim por edhe në rregullore, kërkohet disiplinë maksimale nga prokurorët dhe hetuesit në respektim të orareve të punës dhe rregullave të brendshme të institucionit. Në këtë mënyrë rregullorja parashikon qartë se prokurorët dhe hetuesit duhet të lënë adresë në momentin që dalin jashtë institucionit, duhet të respektojnë oraret e punës së përditshme dhe afatet ligjore të hetimit të dosjeve. Gjithashtu, rregullorja parashikon edhe përcaktime që lidhen me marrëdhëniet që prokurorët duhet të kenë me gazetarët ku kërkohet që të bëhet kujdes lidhur me sekretin e hetimeve. Prokurorëve dhe hetuesve u është kërkuar të tregohen të kujdesshëm edhe me kohën e qëndrimit në kafe duke mos dëmtuar në asnjë rast ushtrimin e ndjekjes penale për dosjet që u janë ngarkuar. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i rregullores është ai që përcakton se prokurorët nuk duhet të bëhen shkak për zvarritjen apo shtyrjen e proceseve gjyqësore. Ata duhet që të lajmërojnë paraprakisht para se të mungojnë në një seancë gjyqësore dhe kjo duhet të ndodhë vetëm nëse prokurori është i angazhuar në një detyrë tjetër të rëndësishme. Forcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me policinë dhe me gjykatat preket në rregulloren e cila kërkon disiplinë, korrektësi dhe seriozitet në komunikimin dhe marrëdhëniet me institucionet tjera.