Gurakuqi çon në prokurori Ndokën: T‘i hiqet imuniteti
Anton Gurakuqi padit në prokurori kreun e PDK-së, Nard Ndoka. Dje në mesditë, zv/ministri i Jashtëm, Anton Gurakuqi, ka deklaruar se do të depozitojë ditën e hënë një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka, për shpërdorim detyre. "Ministri Ndoka ka abuzuar me detyrën, duke përdorur administratën publike të Ministrisë së Shëndetësisë dhe strukturat e saj në të gjithë vendin për veprimtari partiake dhe personale të tij", tha Gurakuqi, duke kërkuar në këtë mënyrë heqjen e imunitetit të deputetit dhe ministrit Nard Ndoka. Ndërkohë, përçarja në PDK vazhdon të thellohet. Nën siglën e PDK-së, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Kol Tonaj, ka bërë me dije se në këshillin kombëtar, nga 101 anëtarë që janë gjithsej, ishin të pranishëm vetëm 15 anëtarë. Burime pranë PDK-së bëjnë me dije se kongresi i lënë për t‘u zhvilluar më datë 10 maj për të shkarkuar Nard Ndokën nga drejtimi i partisë do të zhvillohet më 7 maj, një ditë përpara atij që është vendosur të zhvillohet nga kryetari Ndoka.