E Shtunë, 31 Tetor 2026

I përgjigjen Serbisë

Delegacionet e Prishtinës që do të marrin pjesë në takimet rajonale, do të zbatojnë parimin e reciprocitetit nëse përfaqësuesit serbë i referohen Kushtetutës së tyre kur të përmendin Kosovën. Sipas një udhëzimi të qeverisë, të cilin e ka siguruar Express, përfaqësuesit kosovarë me këtë rast duhet të përmendin Republikën, numrin e njohjeve dhe faktin që vendi është anëtar i FMN’së dhe Bankës Botërore. E të gjithë ata që marrin pjesë në takime të tilla së pari duhet ta njoftojnë Ministrinë e Jashtme.

Pala kosovare do të zbatojë masa reciprociteti në takimet rajonale, ku janë pjesëmarrës edhe përfaqësuesit e Serbisë, nëse këta të fundit i referohen Kushtetutës së tyre kur përmendin Kosovën.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje gjatë muajit shkurt për përfaqësimin e Kosovës në organizata rajonale.

Marrëveshja e arritur parasheh që delegacioni kosovar të prezantohet si Kosovo * (me yll ose asterisk) dhe fusnotën, ku shkruan se kjo bëhet pa paragjykim të qëndrimeve për status dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KSKB’së dhe opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Pavarësisht se zyrtarë të BE’së kanë deklaruar se marrëveshja është e qartë dhe se nuk ka vend për keqkuptime, pjesëmarrja në takime rajonale po has në vështirësi.

Pala serbe po kërkon që në tabelën e emrit ku shkruhet “Kosovo” përveç yllit (asteriskit), të figurojë edhe fusnota, ku përmendet Rezoluta 1244 dhe mendimi i GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Një delegacion i Serbisë në Sarajevë e ka lëshuar takimin kur në tabelën e emrit ka parë vetëm Kosovo *, duke kërkuar që aty të prezantohet edhe fusnota, pavarësisht se në një takim në Danilovgrad të Malit të Zi përfaqësuesja nga Kosova ishte përfaqësuar në këtë mënyrë përkrah përfaqësuesit serb.

E një delegacion i Kosovës në Serbi ka lëshuar takimin në Beograd, kur në tabelën e emrit përveç asteriskut, ka parë edhe përmbajtjen e fusnotës.

Autoritetet e Beogradit tashmë kanë udhëzuar delegacionet e tyre që në takimet ku marrin pjesë edhe përfaqësuesit kosovarë të refuzojnë pjesëmarrjen, nëse nuk është edhe përmbajtja e fusnotës në tabelën e emrit.

Po ashtu atyre u është rekomanduar që të lexojnë me zë edhe përmbajtjen e fusnotës, kur të përmendin praninë e delegacionit të Kosovës.

E pikërisht për këtë, Qeveria e Kosovës me propozim të Zëvendëskryeministres Edita Tahiri ka dërguar në të gjitha ministritë modelin se si duhet të prezantohen delegacionet e Kosovës në këto takime, nëse pala serbe i referohet siç thuhet Kushtetutës së tyre.

“Në të gjitha takimet rajonale, delegacioni i Republikës së Kosovës duhet të respektojë parimin e reciprocitetit ndaj delegacionit të Serbisë, përkatësisht nëse pala serbe lexon tekste të ndryshme nga Kushtetuta e tyre, atëherë pala e Kosovës duhet të lexojë tekste nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, thuhet në udhëzimin e dërguar nga Zyra e Kryeministrit në të gjitha dikasteret e qeverisë, të cilin e ka siguruar Express.

Bashkë me këtë udhëzim është bashkëngjitur edhe sugjerimi se çfarë duhet të thonë përfaqësuesit kosovarë si përgjigje ndaj palës serbe.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur , sovran dhe demokratik i qytetarëve të saj. Shteti i Kosovës është njohur nga pjesa më e fuqishme botës, si nga shtetet e Bashkuara të Amerikës , 23 shtete anëtare të Bashkimit Europian, shumica e shteteve të rajonit dhe më gjerë si dhe është anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar”, thuhet në dokumentin e Zyrës së Kryeministrit i cili është cilësuar si një propozim nga Zyra e Zëvendëskryeministres Tahiri.

E çështja e pjesëmarrjes së delegacioneve të Kosovës në takime të organizatave rajonale është adresuar edhe në një dokument tjetër të Zyrës së Kryeministrit.

Ky dokument ka shpalosur një kërkesë të Ministrisë së Jashtme, e cila ka kërkuar që të gjitha delegacionet e Kosovës që kanë ftesë për të marrë pjesë në takime rajonale duhet paraprakisht të njoftojë këtë ministri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›