Berisha si dënim për pasardhësin
Sali Berisha po tenton ta mbyllë garën për pasardhës me të njëjtin falsitet që ngulmoi ti jepte fushatës elektorale. Në rendjen e tij butaforike drejt 23 qershorit, ai iu shmang pyetjeve themelore për qeverisjen e tij. Ai kërkoi ta ngërthente debatin në akuzat: nëse vishte apo nuk vishte antiplumb; ishte apo nuk ishte një gjysh politik, duke anashkaluar deri në mashtrim përballjen me problemet reale të vendit. Duke fabrikuar emisione televizive false, duke mos debatuar me kritikë apo kundërshtarë, duke folur vetëm me qytetarët, që ishin të lumtur që e preknin dhe e bekonin për sukseset, ai u mundua të shpëtonte duke rrëshqitur. Natyrisht, ashtu si mali i madh i gabimeve të mandatit të dytë, edhe kjo strategji e rreme ndikoi në disfatën e tij.
Sot, kur gjithçka ka mbaruar, shumëkush ka ngritur pyetjen: a do të kishim një rezultat tjetër nëse Berisha do të ishte përballur me akuzat kundër tij? A do ta zbuste zemërimin e elektoratit dhënia e përgjigjeve për shumë çka ndodhi gjatë qeverisjes? A do të qe ndryshe nëse se ai do të kish servirur një variant se përse i dështuan privatizimet më të rëndësishme dhe pse administrata e tij përfundoi si bashkëpunëtore e sharlatanëve më të mëdhenj? A do të qe ndryshe nëse ai do të kish dhënë qoftë edhe një version të vetëm se përse u detyrua të gënjejë për vrasjet e 21 janarit? A do të qe ndryshe nëse ai do të thurte një alibi se përse për të marrë firmën e të atit, lekët e punës i kërkonte e bija? A do të qe ndryshe nëse ai do ishte ndarë, ashtu sikurse di ai, me betejë me LSI-në, duke pranuar që edhe njerëzit e Metës të përdornin dosjet shantazhuese me të cilat ishin larguar nga zyrat e shtetit?
Të gjitha këto pikëpyetje sot mbeten një enigmë. Një enigmë mbetet gjithashtu se cili do të qe rezultati i kësaj strategjie tjetër. Por, ajo që mund të thuhet me siguri është se Berisha ashtu si veproi, doli nga natyra e tij. E tjetërsoi profilin e vet politik. U soll për dy muaj si frikacak, kur për dy mandate me radhë ishte përpjekur të shtirej si burrë. Pikërisht kjo piruetë, ky ndryshim radikal, e do një shpjegim. Kjo strategji e mospërballjes e ka pasur një plan.
Dhe plani ka qenë i qartë: të dilte nga kjo lojë me sa më pak njolla dhe sa më pak akuza. Sali Berisha e ka ditur, sondazhet publike dhe ato private që ai i ruajti deri në fund me fshehtësinë më të madhe, ia kishin parathënë se 23 qershori do të qe dita e daljes së tij nga skena politike. Se ky do të qe fundi i tij. Dhe pikërisht për të përgatitur këtë ditë, ai nuk u soll si një politikan modern perëndimor, që lufton deri në fund, duke mbajtur mbi vete shpresën e fitores dhe riskun e disfatës. Ai u soll me mendësinë tipike të një autokrati, që më shumë se për fatin e forcës së vet politike, mendon për portretin që do i shkruajë historia. Që më shumë se rezultati, i intereson emri që do të lërë pas. Që më shumë se njerëzit që kish hedhur në garë, i interesonin fëmijët që rrinin pas perdeve të kësaj gare. Që më shumë se partia, i interesonte shtëpia. Që më shumë se fati i ithtarëve, i interesonte e nesërmja e familjarëve.
Fatkeqësisht këtë rrugë disfate, për të njëjtat qëllime, po i imponon PD-së kryetari i dorëhequr që vazhdon të drejtojë procesin e zgjedhjes së trashëgimtarit. Menjëherë ai doli të pranojë humbjen duke mbajtur mbi vete të gjitha përgjegjësitë. Por, askush ende dhe sot nuk e di se cilat qenë këto përgjegjësi. A ishte përgjegjës për moshën e tij, për veshjen me antiplumb apo për të gjitha ato pyetje që nuk pranoi ti përballte kurrë?
Ai vijoi me të njëjtën strategji kur vendosi, pa pyetur kërrkënd, se fushata për pasardhësin e tij duhej zgjidhur në më pak se një muaj. Askush nuk mund ta përligjë këtë nxitim, veçse me merakun për të zhvilluar një fushatë false, ku përgjegjësitë dhe arsyet e humbjes të mos debatohen lirisht. E ky vendim absurd, i marrë personalisht nga Berisha, u vijua edhe nga të tjera kinezëri. Ai shpalli, po vetë, se analiza për 23 qershorin do të bëhej pas garës dhe praktikisht i ndaloi të gjithë ata që mbanin poste drejtuese në PD, të flisnin për këtë temë.
E pra, ngjashmëritë midis garës kombëtare deri në 23 qershor dhe asaj partiake pas kësaj date, nuk mungojnë. Por, ato të dyja kulmojnë tek një pikë, të cilës me sa duket Berisha i trembet edhe më shumë se vetë humbjes. Bilancit të qeverisjes së tij, korruptive dhe arrogante. Për të shmangur këtë bilanc real, ai pranoi gjithçka, deri dhe sakrifikimin e forcës së tij politike. Po për tu ruajtur nga kjo llogaridhënie, ai po bën dhe harakirin e dytë, po e shndërron në farsë garën për pasardhësin e tij. Duke e dënuar kështu rëndë trashëgimtarin e tij. Duke i vënë në kokë bashkë me kurorën edhe tabutë që sduhet të prekë në të ardhmen. Duke emëruar një kryeopozitar me duar të lidhura dhe duke programuar një opozitë që më shumë sesa një force politike që mëton pushtetin, do ti ngjajë një shoqate vullnetarësh nostalgjikë, në ruajtje të kujtimit të prijësit të larguar.
