I riu: Fshati më përgojonte, ndaj desha të vrisja vëllezërit që më ngacmonin nënën
Gulit Stafa nga Borizana e Krujës është arrestuar ditën e djeshme pasi ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të dy vëllezërve, për të cilët dyshonte se i ngacmonin nënën.
21 vjeçari hapi zjarr mbi një furgon ku udhëtonin vëllezërit, por edhe nëna e tij.
Murat Maja, 42 vjeç dhe vëllai i tij, J. Maja, 34 vjeç, shpëtuan ndaj këtij atentati.
Në polici, Guliti ka treguar se ai kishte qëllim të trembte vëllezërit që të mos i ngacmonin më nënën.
Isha vënë në një situatë shumë të rëndë. Të gjithë në fshat përflisnin nënën time. Nëna është e papunë dhe mua më kishin lindur shumë dyshime në kokë dhe për këtë kisha nisur ta ruaja kur ikte nga shtëpia. Dje e pashë kur hipi në furgonin e Murat Majës, i cili është shofer furgoni. Kisha dyshime të shumta se bashkëfshatari im Murat Maja më ngacmonte mamanë. Shikoja që nëna ime nuk po sillej mirë. Kishte disa muaj, edhe me ne në familje, edhe me njerëzit e fshatit. Shikoja që nëna hipte shpesh në furgonin e tij dhe ai i fliste sapo e shikonte, në fshat, në rrugë apo edhe në Fushë-Krujë.
Pashë që nëna ishte në furgonin e Muratit. Ai ishte me të vëllanë e tij dhe një shokun e tyre. Në furgon ishte edhe nëna ime. Nuk durova dot. Vajta në shtëpi, mora armën e gjahut të babit me një karikator fishekësh dhe u dola përpara. Qëllova ndaj furgonit fillimisht. Ata dolën menjëherë të tre nga mjeti dhe po largoheshin me vrap.
Ne merremi me punët e fshatit si familje. Unë jam i madhi i fëmijëve. Edhe babai, edhe nëna, të papunë janë; me punët e fshatit, me bagëtitë dhe tokën punojmë për të jetuar, ka rrëfyer 21 vjeçari në polici./ep