Mustedanagiç premton: Shqipëria, dinjitoze në Raundin Elitë për U-17
Presidenti Duka ka takuar dje kuqezinjtë, duke u konfirmuar mbështetjen maksimale dhe i ka uruar për një përfaqësim sa më pozitiv
Kuqezinjtë e kombëtares U-17, të drejtuar nga trajneri boshnjak Xhemal Mustedanagiç, po u japin dorën e fundit përgatitjeve për të përballuar tri ndeshjet kualifikuese të Elite Round të Kampionatit Europian të kësaj moshe. Shqipëria ndodhet në grup me Holandën, që është vendi organizator i i këtij raundi, së bashku me Serbinë dhe Irlandën. Ndeshjet e grupit do të zhvillohen nga 22-27 marsi.
Federata Shqiptare e Futbollit i ka kushtuar një vëmendje të posaçme këtij evenimenti, pasi është hera e tretë që vendi ynë merr pjesë në turin e dytë, pas atyre në vitin 1994 dhe 2003. Ende nuk është publikuar lista zyrtarëve futbollistëve që do të ketë me vete trajneri kombëtares U-17. Gjithsesi, është thënë se me kuqezinjtë e vegjël do të bashkohen edhe tre talente të rinj, për të cilët janë në përfundim procedurat e pajisjes me pasaportë shqiptare:
Berat Beqiri i B93 të Kopenhagenit (në Danimarkë), Fabian Lokaj i Jang Bojs (në Zvicër) dhe Almedin Murati (pjesë e Teutës). Dje presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zhvilluar një takim me stafin dhe futbollistet e ekipit kombëtar të grup-moshës U-17. Presidenti Duka ka kërkuar nga lojtarët e rinj qetësi, performancë e mbi të gjitha të tregojne vlerat e tyre më të mira sportive, pa u ndikuar nga emrat e kundërshtarëve apo emocionet që të japin ndeshje të tilla.
Më pas kreu i federatës u ka uruar kuqezinjve suksese në raundin Elitë të Holandës, ku 17-vjeçarët janë kualifikuar me meritë të plotë. Gjatë takimit presidenti Duka ka biseduar përzemërsisht me trajnerin Mustedanagiç, si dhe me lojtarët e seleksionuar, duke marrë prej tyre premtimin e një ballafaqimi sa me të mirë.
Trajneri Mustedanagiç Një ditë përpara nisjes për në Holandë, ku do të zhvillohen ndeshjet e Raundit Elitar të Kampionatit Europian U-17, trajneri Xhemal Mustedanagic ka deklaruar se qëllimi kryesor i kombëtares shqiptare për këtë grup-moshë është përfaqësimi me dinjitet. Trajneri Mustedanagiç është i kënaqur me kontigjentin e lojtarëve që ka në përbërje dhe me modesti tregon kuqezinjtë U-17 nuk do të dorëzohen përballë askujt, dhe në këtë turne ata do të tregojnë vlerat e futbollit shqiptar.
Trajneri boshnjak ka vlerësuar kushtet e krijuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, si dhe ndeshjet e shumta miqësore, të cilat u zhvilluan gjatë kësaj periudhe përgatitore. Ekipin në Holandë do ta shoqërojë shefi i ekipeve kombëtare, Redi Jupi. Takimin e parë skuadra jonë përfaqësuese do ta luajë më 22 mars me Holandën.
