E Shtunë, 31 Tetor 2026

I riu Pamuk, shkruante bukur



Këto ditë “Skanderbeg books” hodhi në qarkullim romanin “Shtëpia e Heshtjes” të nobelistit të vitit 2006, autorit turk, Orhan Pamuk. Romani “Shtëpia e heshtjes” është libri i katërt nga veprat e publikuara nga ky autor prej “Skanderbeg books”, që është edhe botuesi i tij ekskluziv në gjuhën shqipe. Romani është përkthyer nga origjinali nga përkthyesi Hysen Voci. Pas suksesit të romanit të rëndësishëm “Unë jam e kuqja”, që bëri prezantimin e Orhan Pamuk për lexuesin shqiptar njëherësh me çmimin Nobel, prezantimi i tij në shqip u ndoq me botimet e romaneve “Bora” dhe “Kështjella e bardhë” si dhe esesë “Baulja e babait”. Romani i sapopublikuar “Shtëpia e heshtjes”, dallohet si një nga veprat më të bukura të shkruara nga Pamuk. I shkruar në një moshë fare të re, Pamuk ka përdorur mjete dhe një strukturë eksperimentale dhe tërheqëse, duke hedhur themelet e një letërsie që shumë shpejt do të ndiqej nga vepra të rëndësishme të shkruara më pas nga ky autor. Në verën e këtij viti “Skanderbeg books” prezantoi romanin “Kështjella e bardhë” dhe në pranverën e vitit të ardhshëm do të prezantojë para lexuesit romanin më të ri të shkruar pas marrjes së çmimit Nobel, “Muzeu i pafajësisë”, i cili do t’i prezantohet lexuesit mbarëbotëror në të gjitha gjuhët, si edhe lexuesit shqiptar në shqip në të njëjtën kohë. Gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2009, “Skanderbeg books” do të prezantojë në shqip edhe romanet “Jeta e Re” dhe një nga librat më të rëndësishtëm të Orhan Pamuk, “Stambolli, kujtime dhe qyteti”.

Fatma, një zonjë te të nëntëdhjetat, së bashku me xhuxhin shërbestar të familjes, Rexhepin, fëmija i jashtëligjshëm i burrit të saj të vdekur, jeton ende në shtëpinë e vjetër e të heshtur me pamje nga deti. Tashmë shtëpia e saj, ku u transferua dikur me të shoqin, një mjek dështak dhe aktivist politik, është duke u rrënuar. Qysh nga koha kur është larguar nga Stambolli, në fillimet e revolucionit të 1908, Fatma shtyn ditë e netë të trishta, e shtypur nga kujtimet. Çdo verë asaj i vijnë nga Stambolli për ta vizituar dy nipërit, Faruku, një historian i dëshpëruar, Metini, i cili ëndërron të emigrojë në Amerikë dhe e mbesa, Nilguni, një studente progresiste e hijshme. Për arsye krej të ndryshme, të tre ata duan që Fatma ta shesë atë shtëpi ogurzezë, që duket se e ndjek një vijë tragjike fati. Përmes kujtimeve të Fatmës, Rexhepit dhe opinioneve të të nipërve, Pamuk vizaton mjeshtërisht vitet e fundit të historisë së popullit turk deri në ditët e grushtit të shtetit të Evrenit, duke spikatur përpjekjen e shoqërisë turke për rreze të reja drite, nevojën e ndryshimeve sociale dhe ekuilibrin e vështirë mes traditës dhe ndikimit perëndimor.

“Shtëpia e heshtjes” është një roman intrigues për lojën e tij me strukturën, përshkrimin universal të shoqërisë së luhatur mes Lindjes dhe Perëndimit. Romani i Pamukut, nuk mban vetëm sekretin dramatik të një familjeje turke. Ai është një roman i ndjenjave njerëzore, por edhe një afresk i madh i Turqisë moderne.

“Ky libër i bukur dhe i trishtueshëm, bën fjalë për dy vëllezër dhe një motër, fatkeqë, që kalojnë një javë në shtëpinë e së gjyshes së tyre nëntëdhjetëvjeçare në një qytezë të vogël në afërsi të Stambollit… Një sukses marramendës…”, e vlerwson gazeta “The Times Literary Supplement”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›