E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtari Saviano: "Rrëfej mafiozin e martuar me një shqiptare

Nga Fatmira Nikolli
 

Tani mafia italiane po krijon lidhje edhe me mafien shqiptare dhe atë nigeriane. Si testament mund të marrim edhe faktin që ata kanë shkuar aq larg sa po bëjnë edhe martesa ndërkombëtare…". Roberto Saviano e thoshte pa iu trembur syri këtë frazë një vit më parë, në një bisedë me gazetarin Adriano Farano. Madje ai shkon edhe më larg. Kur Farano e pyet për një shembull konkret, Saviano saktëson: "Augusto La Torre, anëtar i 'Kamorrës', është i martuar me një grua shqiptare. Për të theksuar edhe një fakt tjetër interesant: i pari i penduar (pentito: anëtar i mafies i cili rrëfen dhe denoncon bashkëpunëtorët), në Itali është një tunizian, i cili ka pranuar të ketë qenë i përfshirë në klanin e frikshëm Casalesi, pjesë e 'Kamorrës'. I pari qytet që mafia italiane ia la në dorë për ta kontrolluar klaneve të huaja është Castel Volturno, i cili i është lënë 'Rapaces', klan nga Lagos dhe Benin City në Nigeri. Kështu tani ata mund të kontrollojnë trafikimin e kokainës dhe prostitutave..."
Kjo intervistë shkaktoi reagime të ashpra. E publikuar në datën 16 tetor 2007 në "Cafébabel", e para revistë europiane on line në 7 gjuhë, ai i ka rrëfyer gazetarit me origjinë nga Napoli, Adriano Farano, aktualisht drejtor i redaksisë së revistës on line, fakte reale nga aktiviteti i mafies. Ky rrëfim ishte vetëm njëri prej shkaqeve që Saviano u detyrua të pranonte një eskortë mbrojtje, pasi "Kumbarët" e denoncuar me emra prej tij e kërcënuar se do ta vrisnin. E lexuar një vit më vonë, kjo intervistë e Savianos është edhe më goditëse. Këto ditë në Itali, mijëra njerëz firmosin për të bërë thirrje në mbrojtje të shkrimtarit. Ai kërkon ta lërë vendin e tij e të arratiset.
Roberto Saviano është shprehur për gazetën "La Repubblica", se është kërcënuar nga mafiozët që ai ka denoncuar në roman. Sipas tij, ata kanë në plan ta vrasin para Krishtlindjeve. Titulli i romanit është një fjalë që personifikon 'Kamorran', mafien napoletane dhe kërkon të godasë një klan të kësaj mafie me bazë në Casal di Principe, vendlindja e Savianos. "Do të largohem nga Italia për një periudhë kohe, dhe më pas do shoh", - këto kanë qenë fjalët e thëna nga shkrimtari. Ai ka qenë në shënjestër të kërcënimeve të vazhdueshme pas suksesit të madh të romanit që u shit në mbi 1 milion kopje. Filmi i bazuar në këtë libër është kandidat për çmimin 'Oscar'. "Unë dua një jetë, një shtëpi. Unë dua të dashuroj. Kam dëshirë të dal të pi një birrë në një vend publik, të shkoj në një librari dhe të zgjedh një libër pa pasur frikë se dikush po më ndjek nga pas", - ka thënë Saviano. "Unë dua të dal shëtitje, të shijoj diellin, të ec në shi, të takoj nënën time pa pasur frikë për veten apo për atë. Unë jam vetëm 28 vjeç", - ka shtuar ai. Roberto Saviano ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj karabinierëve që po e mbrojnë, por ka deklaruar se kjo situatë e dëmton atë, edhe si shkrimtar, sepse për të shkruar duhet të prekë realitetin. Kushtet në të cilat ai është i detyruar të jetojë, kanë pasur edhe një efekt të papritur, sepse shkrimtari mendon se njerëzit e shohin me dyshim. Roberto Saviano ka lindur në datën 22 shtator 1979 në jug të Italisë dhe është një shkrimtar dhe gazetar italian. Në shkrimet, artikujt dhe librat e tij, ai përdor një stil ku ndërthur prozën, rapor-timin e lajmit dhe narracionin për të treguar historinë e 'Kamorrës', një mafie e fuqishme napoletane. Rrëfen historinë e një mafie të organizuar, duke përshkruar me hollësi "territorin" dhe lidhjet e saj me biznesin. Pas publikimit të librit bestseller "Gomorra", në vitin 2006 ai mori kërcënime serioze për jetën nga "kumbarët" e Napolit. Pas kësaj, Ministri i Brendshëm italian i vendosi atij një eskortë mbrojtje të përhershme. Për shkak të qëndrimit të tij kuarajoz, ai sot cilësohet si një "hero kombëtar", nga personalitete si Umberto Eco.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›