I rritet mirëqenia
Isa Mustafa, kryetar i Komunës së Prishtinës, sivjet është goxha më i pasur sesa vjet. Përveç që i është rritur pasuria e paluajtshme, atij i janë fryrë edhe llogaritë nëpër bankat e Kosovës.
Përveç profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Mustafa del të jetë edhe kursimtar i mirë. Derisa vitin e kaluar ai posedonte 27 mijë e 300 euro para të gatshme nëpër institucionet financiare, gjatë këtij viti ka arritur t’i grumbullojë gjithsej 55 mijë e 903 euro. Kjo pasi atij i janë shtuar edhe të hyrat vjetore personale.
Në vitin 2010, si të hyra vjetore, Mustafa ka deklaruar 22 mijë e 200 euro, kurse këtë vit kjo shumë ka shkuar në 36 mijë e 187 euro.
Mustafa merr para nga posti i kryetarit të Komunës, si profesor në UP, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, nga Libri Shkollor e Riinvesti.
Ndërkohë, Mustafa ka shtuar edhe pasurinë e paluajtshme. Në vitin 2010, ai ka deklaruar se e ka vetëm një shtëpi dhe një tokë në pronësi, por këtë vit, pasurisë së tij i është shtuar edhe një tokë tjetër, e përfituar në vitin 2009 dhe një shtëpi pushimi, e përfituar në vitin 2010.
Fryrja e llogarive bankare, sipas të dhënave që Mustafa i ka bërë publike në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ka një arsye. Derisa paga si kryetar komune ka një ulje të vogël nga ajo e vitit të kaluar, prej 13 mijë e 200 eurosh në 12 mijë e 681 euro, të hollat nga institucionet e tjera, në të cilat ai punon me honorar apo është aksionar, janë rritur. Kështu, një vit më parë, ai për çdo vit përfitonte 2 mijë euro nga aksionet në Riinvest, kurse tash kjo shumë është rritur në 8 mijë euro.
Për këtë vit, Mustafa, sipas standardeve të kërkuara, në formular ka bërë ndarjen e pasurisë së tij personale nga ajo e dy djemve të tij. Kjo i ka krijuar mundësi që aksionet, të cilat vjet i ka prezantuar si të tijat, t’i hedh te të hyrat vjetore të djemve, Arbenit dhe Besnikut.
Por, ka edhe një ndryshim. Në deklarimin e fundit të pasurisë, Mustafa ka bërë publike se përveç që familja e tij i ka 49 për qind të aksioneve në kompaninë “Mac car”, Besniku, djali i tij, merr edhe një rrogë nga po e njëjta kompani.
E, përveç këtij detaji që në vitin 2010 nuk e kishte përmendur, Mustafa është kujdesur që aksionet, të cilat i kishte prezantuar si të vetat, t’i bartë në emër të djemve.
Kjo ka ndodhur me 1.6-përqindëshin e aksioneve në Klubin e Futbollit “Prishtina”, që këtë vit i ka prezantuar në emër të Besnik Mustafës, kurse aksionet në kompaninë “Intereuropa”, në emër të Arben Mustafës.
Ka edhe diçka që dallon deklarimin e këtij viti të pasurisë së Mustafës. Këtë vit ai është kujdesur që mos ta prezantojë fare pasurinë e gruas së tij, Qevseres. Më 2010, ato rubrikat në të cilët do të duhej të prezantonte pasurinë “Zonja e parë” e Prishtinës ishin krjtësisht të zbrazëta.
T’ardhurat e Isa Mustafës
Komuna e Prishtinës (paga) - 12 mijë e 681 euro
Honorare UP, Prishtinë - 9 mijë e 506 euro
Honorare ASHAK, Prishtinë - 4 mijë e 500 euro
Honorare Libri Shkollor, Prishtinë - 1 mijë e 500 euro
Dividendë Riinvest, Prishtinë - 8 mijë euro