E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ruajnë vendet

Minoritetet kërkojnë që edhe një mandat t`i kenë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Ata nuk pajtohen që të kalohen në ulëse të garantuara. Kërkesat e pakicave i kanë përkrahur edhe ndërkombëtaret, përfshirë mbikëqyrësin e pavarësisë, Pieter Feith. Nga Faton Ismajli më 17 korrik 2011 në ora 08:06

Minoritetet në Kosovë janë bërë bashkë kundër propozimit të Komisionit për Ndryshime Kushtetues për sa u përket vendeve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës.
Ata kërkojnë që vendet e rezervuara për minoritetin serb, turk, ashkali, goran, rom dhe boshnjak të vlejnë edhe për një mandat, pasi në dy mandatet e parapara të Parlamentit nuk kanë qenë të plota.

Në Planin e Ahtisaarit ishte paraparë diskriminimi pozitiv për pakicat, duke ua siguruar 20 vende në Parlamentin e Kosovës, plus vende shtesë në bazë të votave të fituara.

Në zgjedhjet e fundit, grupet minoritare në Kosovë kanë fituar edhe pesë vende të tjera, duke siguruar 25 deputetë.

Tash, Komisioni i udhëhequr nga Arsim Bajrami ka paraparë të zbatojë pikën e Pakos së Ahtisaarit që parasheh ndryshime pas dy palë zgjedhjesh nacionale.

Me vendet e rezervuara minoritetet i kanë pasur 20 vende në Parlament dhe kanë mund të marrin ulëse shtesë vetëm nëse marrin vota që tejkalojnë këtë shifër.

Me kalimin në vendet e garantuara, pakicat do të mund të marrin ulëse tjera vetëm nëse marrin vota që e tejkalojnë këtë shifër.

Më këtë rast, pakicat nuk do të mund të merrnin asnjëherë më shumë se 20 vende për shkak se minoritetet në Kosovë nuk e përbëjnë as dhjetë për qind të popullatës në Kosovë.

Udhëheqësi i ndryshimeve kushtetuese, Arsim Bajrami, ka përsëritur, të premten, se do të kalohet nga vendet e rezervuara në vende të garantuara për minoritetet.

“Do të thotë është një ndryshim në përfaqësimin e pakicave. Nuk do të kemi një mbipërfaqësim, por një korrektim të përfaqësimit, sepse me vendet e garantuara është limiti deri ku mund të shkojnë pakicat dhe ai limit me këtë sistem tani mbyllet me 20 ulëse. Jo, 20 plus ulëset e fituara. Por, fillimisht merren ulëset e fituara dhe nëse nuk arrijnë në 10, i shtohen edhe tri ta zëmë dhe mbyllet në dhjetë dhe ky është ndryshimi sa i përket komuniteteve pakicë”, ka thënë Bajrami.

Anëtari i komunitetit boshnjak në Komisionin për ndryshime kushtetuese, Rasim Demiri thotë se minoritetet janë bashkë kundër ndryshimit të statusit të vendeve të tyre në Kuvendin e Kosovës.

“Unë kam qenë në mbledhje dhe kam thënë se nëse preket diçka atje ku kemi interes si minoritet, ne jemi kundër”, ka thënë Demiri.

Ai i ka bërë një interpretim Pakos së Ahtissarit dhe ka treguar kërkesën e minoriteteve.
“Ne duam edhe një mandat qysh i kemi pasur vendet e rezervuara sipas Pakos së Ahtissarit. Ne kemi pasur vendet e rezervuara për dy mandate sipas Pakos së Ahtissarit, por s`jemi pajtuar sepse janë shkurtuar mandatet. Asnjë mandat nuk ka shkuar katër vjet, qysh e parasheh Kushtetuta. Ne, të gjitha pakicat, jemi bashkë kundër kësaj nisme dhe kemi një vendim”, ka thënë ai.

Ky deputet boshnjak ka thënë se e kanë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, dukë përfshirë edhe mbikëqyrësin e pavarësisë, Pieter Feith.
“Pieter Feith na ka përkrah dhe na ka thënë se kërkesat tona do t`i përkrahë”, ka shtuar ai.

Edhe kryetari i Partisë Boshnjake Vakat, Sadik Idriz thotë se nuk do të ndryshohet statusi i vendeve të komuniteteve në Parlament.

“Ne kemi folur edhe më Kryeministrin dhe partitë tjera. Nuk ka shans të ketë ndryshime”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri dhe kryetari i SLS’së, Sllobdon Petrovic është shprehur se vendet e rezervuara duhet të mbesnin edhe më tej të tilla me Kushtetutën e vendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›