E Shtunë, 31 Tetor 2026

I sëmuri mendor shpërthen me makinë derën e Presidencës

 

Pas arrestimit dhe gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari nuk përgjigjej, por ai shfaqte shenja të një sëmundjeje mendore

 

TIRANË- Një 50-vjeçar me probleme mendore ka gjetur një mënyrë të dhunshme për të kërkuar drejtësi. Mevlan Fezaj, në shenjë proteste, ka mundur të hyjë me forcë me makinën e tij në oborrin e Presidencës duke thyer portën kryesore. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 të ditës së djeshme në ambientet e jashtme të Presidencës në Tiranë, kur Mevlan Fezaj, me banim në Patos të Fierit, ka mundur të hyjë më automjetin e tij në ambientet e jashtme të Presidencës duke dëmtuar portën e hyrjes nr.2. Shërbimet e Gardës së Republikës lajmëruan menjëherë policinë e kryeqytetit, e cila mbërriti para vendit të ngjarjes. Efektivat blu kryen shoqërimin e 50-vjeçarit. Burime zyrtare nga policia thanë se Fezaj ka deklaruar se kërkonte drejtësi, pa dhënë detaje të mëtejshme për tentativën për të hyrë në ambientet e Presidencës. Nga policia bëhet e ditur se janë marrë në pyetje familjarët e 50-vjeçarit, që nga hetimet rezulton se ai vuan nga depresioni mendor, por nuk kishte probleme drejtësie me asnjë institucion dhe se ishte i qetë me të tjerët.

Ngjarja

Megjithëse kurohej prej kohësh, pasi vuante nga sëmundje mendore, Mevlan Fezaj nuk është penguar të udhëtojë me automjet në Tiranë. Mësohet se ditën e djeshme ai kishte mbërritur në kryeqytet, nga Patosi i Fierit ku jetonte, për të marrë mjekime në Spitalin Ushtarak. Duket se Fezaj nuk ka shkuar në destinacion, por ka devijuar rrugën drejt Presidencës. 50-vjeçari, që sipas policisë është i sëmurë mendor, ka udhëtuar me automjetin e tij tip-"Benz 200", me targa "Fr 5462 C" duke iu afruar Portës nr.2, të Presidencës. Ai ka goditur me automjet portën kryesore duke e dëmtuar atë me qëllim për të hyrë në ambientet e Presidencës. Shërbimet e Gardës kanë reaguar menjëherë pas incidentit për të ndaluar 50-vjeçarin. Ngjarja e rrallë ka mbledhur kalimtarë të shumtë të cilët janë larguar me pas nga policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes.

Shoqërimi

Presidenca, megjithëse nën masa të rrepta sigurie, duket se është sfiduar nga një 50-vjeçar i cili ka guxuar të dëmtojë portën kryesore. Shërbimet e Gardës së Republikës menjëherë njoftuan sallën operative të Policisë së Tiranës, për ngjarjen. Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr.2, të cilët kanë në juridiksion zonën ku ndodhi ngjarja mbërritën menjëherë për të sqaruar rrethanat e incidentit. Burime zyrtare nga policia thanë se pas marrjes në pyetje të 50-vjeçarit Mevlan Fezaj u konkludua se ai ka shfaqur probleme psikike mendore. "Fezaj nuk u përgjigjej pyetjeve, ai shfaqte shenja të dukshme të një sëmundjeje mendore, ndërsa pritet të merren në pyetje familjarët e tij, të cilët jetojnë në Patos të Fierit", thanë për "Shekullin" burime zyrtare nga policia e kryeqytetit. Mësohet se Mevlan Fezaj prej kohësh vuan nga depresioni mendor, ndaj dhe vinte shpesh në Tiranë për të marrë mjekime. 50-vjeçari është mbajtur dje në ambientet e Komisariatit të Policisë nr.2, pasi ka dëmtuar portën e hyrjes së Rezidencës, ndërsa policia po vazhdon hetimet për të zbardhur me saktësi motivin e këtij incidenti. Ndërkohë që policia e Fierit ka marrë në pyetje familjarët e 50-vjeçarit, të cilët kanë deklaruar se ai prej kohësh vuante nga sëmundja mendore, por ishte i qetë dhe nuk shfaqte probleme te të tjerët. Sipas familjarëve të tij, Fezaj nuk ka pasur probleme me asnjë institucion shtetëror, ndërsa vetë autori ka treguar në polici se kërkonte drejtësi, por pa dhënë shpjegime konkrete.

11:30

ka qenë ora ditën e djeshme kur Mevlan Fezaj, nga Patosi i Fierit, ka goditur me makinë portën e hyrjes së Presidencës në Tiranë.

Portën nr.2

ka dëmtuar me automjetin e tij, Fezaj, i cili dyshohet se vuante nga problemet psikike mendore, ndërsa ka qenë i lirë të lëvizë në kryeqytet me makinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›