E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panik në Rinas, 28-vjeçari i dehur hyn me kallashnikov

 

Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme

 

TIRANË- Një 28-vjeçar ka alarmuar për rreth një orë aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas, pasi ka hyrë i armatosur. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme kur Besim Zela ka hyrë me një automatik tip-kallashnikov në ambientet e aeroportit. Punonjësit e sigurisë dhe pasagjerët janë alarmuar kur kanë parë të riun me një automatik në dorë. Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka mbërritur pranë aeroportit në Rinas. Forca të shumta policie kanë rrethuar 28-vjeçarin dhe i kanë bërë thirrje atij të vetëdorëzohet. Ndërkohë pas rreth 30 minutash negociata, policia ka mundur të kapë 28-vjeçarin Zela. Ky i fundit u shoqërua në ambientet e policisë, ku dhe u mor në pyetje. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi automatikun që posedonte i riu. Burime nga policia thanë se Besim Zela në momentin e ndalimit ka qenë nën efektin e alkoolit. Mësohet se në gjendje të dehur ai ka rrëmbyer automatikun dhe ka hyrë në ambientet e Aeroportit, duke krijuar panik te pasagjerët. Burimet policore thanë se Zela nuk ka lënduar njeri. Ende nuk dihen motivet që kanë shtyrë të riun të shkojë i armatosur në aeroportin e Rinasit. Sipas policisë, ai ka qenë në gjendje të dehur dhe është marrë në pyetje disa orë më pas, por nuk ka deklaruar një motiv të qartë për veprimin e tij. Ndërkohë që forcat e policisë kanë ushtruar një kontroll në banesën e Zelës, si dhe kanë marrë në pyetje familjarët e tij. Policia bëri të ditur se Besim Zela është banor i zonës pranë aeroportit të Rinasit. Pasi u mor në pyetje, policia i ka komunikuar të riut masën e arrestit për "armëmbajtje pa leje". Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit, thanë se po punohet për të zbardhur me saktësi shkaqet e kësaj ngjarjeje. Ndërkohë që materialet në ngarkim të 28-vejeçarit i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›