E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, OBSH: pritet infektimi i 2 miliardë personave



Shifrat në rritje të personave që preken nga virusi i gripit të derrit, parashikohet të arrijë në shifra të frikshme. Numri i të prekurve nga gripi mund të jetë shumë më i madh nga sa është raportuar zyrtarisht. Organizata Botërorë e Shëndetësisë shprehet se janë njoftuar vetëm rastet e konfirmuara në laborator. OBSH mendon se gjatë dy viteve të ardhshme numri i të prekurve mund të shkojë deri në 2 miliardë ose një ndër tre njerëz në botë do të jenë prekur nga gripi. Epidemia botërore është në fazat e hershme dhe në një raport të ri të OBSH-së, mësohet se gripi ka shkaktuar 800 të vdekur. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qendrat e kontrollit mund të rriten në 40 për qind në dy vitet e ardhshme.
Në 4 muaj, influenca ka bërë xhiron e botës. Ndërsa në vendin tonë duket se shifrat po shtohen çdo ditë e më tepër. Tashmë emri i Shqipërisë i është shtuar hartës së vendeve të botës, që janë prekur nga virusi AH1N1. Specialistët e shëndetësisë pretendojnë se as vendi ynë nuk do t’i shpëtojë shtimit të numrit të personave që do të jenë mbartës të këtij virusi. Megjithatë, ata kërkojnë të sensibilizojnë qytetarët se virusi nuk është shfaqur agresiv, ashtu si dhe në vende të tjera të Europës. Ministria e Shëndetësisë, po merr masat paraprake për përballimin e situatës në rast se do të ketë fluks pacientësh. Ministria e Shëndetësisë ka mundur të sigurojë një sasi të konsiderueshme dozash Tamiflu. Dozat e ardhura në vend mendohet të përdoren për rreth 1200 persona. Shumë shpejt, do të vijë një sasi e madhe për rreth 10-15 mijë pacientë. Drejtori i ISHP-së theksoi se kjo sasi është e konsiderueshme për të përballuar situatën edhe gjatë sezonit të dimrit. Gjatë sezonit të vjeshtës dhe atij dimëror, pritet që të ketë një shtim të madh të rasteve të personave që do të preken nga ky virus. Në këtë periudhë, qytetarët preken nga gripi i zakonshëm dhe janë më të prirur për t’u prekur edhe nga gripi i derrit. Shëndetësia shqiptare do të ofrojë falas këtë preparat për individët që kanë nevojë në të gjitha spitalet rajonale. Tamifluja që do të blihet nga vetë qytetarët në farmaci kap shifrën e 3700 lekëve. Ndërkohë që sasia e sapoardhur do t’u shpërndahet urgjencave, spitaleve rajonalë etj. Medikamenti mban përsipër dhe datën e skandencës, ku tek dozat e ardhura është përcaktuar që të skadojnë në janar të vitit 2011. Specialistët kanë bërë thirrje që askush të mos e blejë Tamiflunë në farmaci dhe ta përdorë pa rekomandimin e mjekut, pasi mund të lërë pasoja në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›