Studimet në Amerikë, rregullat e reja për studentët që duan të marrin vizë
Orari i takimit fiksohet në internet, rregullat për të mos rrezikuar anulimin e tij
Studentët fillestar do të hyjnë në SHBA 30 ditë para nisjes së studimeve
Jonida Tashi
Ambasada Amerikane detajon procedurat që duhet të ndjekin të rinjtë shqiptarë për sigurimin e vizës për studimet në SHBA. Sipas kushteve të vendosura nga autoritetet amerikane, studentët fillestar do të hyjnë në SHBA jo më shumë se 30 ditë përpara datës së fillimit të kursit të studimit. Ndërsa përsa i përket caktimit të takimeve për vizë, prej ku nis edhe procedura për marrjen e saj, aplikantët e vizave studentore do t’u duhet t’i vendosin takimet e tyre për vizë në rrjet (online), duke ndjekur udhëzimet e dhëna në faqen: Si të aplikoni. Caktimi i takimeve online është i detyrueshëm, pasi Ambasada nuk pranon më kërkesa me e-mail, faks, ose postë.
Aplikantët
Në qoftë se ju shkoni në SHBA për turizëm, por dëshironi që të ndiqni një kurs studimi më pak se 18 orë në javë, ju mund ta bëni këtë duke marrë një vizë vizitori që mund ta merrni në konsullatën përkatëse të SHBA. Në qoftë se kursi i studimit është më shumë se 18 orë në javë, juve do ju duhet një vizë studenti. Duhet të keni parasysh që korriku dhe gushti janë muajt më të zënë në zyrën konsullore, përsa i përket intervistave për viza. Studentët duhet të planifikojnë të bëjnë kërkesën shumë kohë përpara se të aplikojnë për një intervistë vize. Studentët janë të inkurajuar të aplikojnë për vizat e tyre shumë kohë përpara procedimit të aplikimit të tyre për vizë. Zyrtarit konsullor do t’i duhet të ketë qartësi maksimale bazuar nga lloji i kursit të mësimit dhe të kombësisë të studentit. Kjo mund të marrë shumë kohë. Për më shumë informacion për aplikantët që mund të kenë kërkesa speciale shtesë vizitoni faqen http://travel.state.gov/visa/temp/info/info_1300.html. Studentët duhet të mbajnë shënim që konsullatat janë në gjendje të lëshojnë vizën e studentit 120 ditë a më pak, më përpara datës së regjistrimit të kursit të studimit. Në qoftë se ju aplikoni për vizën 120 ditë përpara datës së fillimit apo të regjistrimit, ashtu si është shkruar edhe në Formularin I-20, konsullata do të mbajë aplikimin tuaj derisa të jetë në gjendje të lëshojë vizën. Zyrtarët konsullor do ta përdorin këtë kohë për të kontrolluar më mirë aplikimin për ndonjë dokument shtesë që mund të kërkohet. Kjo gjë aplikohet vetëm për studentët që hyjnë në SHBA për herë të parë me këtë lloj vize. Sipas rregullores së Departamentit të Sigurisë Kombëtare kërkohet që të gjithë studentët fillestar, të hyjnë në SHBA jo më shumë se 30 ditë përpara datës së fillimit të kursit të studimit që ndodhet në Formularin I-20. Ndërsa një student, i cili kërkon të hyjë në SHBA më herët (më shumë se 30 ditë përpara datë së fillimit të kursit të studimit), duhet të kualifikohet dhe të marrë një vizë vizitori. Një shënim i veçantë do të shkruhet në vizën e studentit dhe mbajtësi vizës duhet t’ia bëj të qartë inspektorit të emigracionit në hyrje të SHBA qëllimin për të studiuar. Përpara se të fillojë studimet, ai ose ajo duhet të marrin një ndryshim klasifikimi, duke plotësuar Formularin I-506 (Aplikim për ndryshim të Statusit të Jo-Emigrimit), gjithashtu t’i paraqesë, Formularin I-20, Zyrës së Departamentit të Sigurisë Kombëtare ku është bërë aplikimi. Për këtë proces duhet bërë një pagesë prej 140.00 dollarësh, dhe personi nuk mund t’i nisë studimet derisa ndryshimi i klasifikimit të miratohet.
Takimet
Për të parandaluar prenotime të shumëfishta nga i njëjti person, Ambasada Amerikane në Tiranë rezervon të drejtën për të anuluar çdo takim që nuk duket i vlefshëm. Për këtë arsye, ju duhet të shqiptoni emrin tuaj saktësisht. Mos përdorni germat “ç” dhe “ë”; zëvendësojini me germat “c” dhe “e”. Emra të shumëllojshëm me të njëjtën numër pasaporte mund të jenë subjekt anulimi. Orari i takimit që është shënuar në faqen e konfirmimit tuaj, është orari në të cilin do të hyni brenda në konsullatë. Por ky nuk është orari i intervistimit tuaj. Letra juaj e takimit si dhe dokumentacioni i kërkuar do të kontrollohen dhe përzgjidhen sapo ju të paguani për aplikimin. Për këtë, ju duhet të siguroheni që dokumentet të jenë sipas rashës. Intervista juaj do të zhvillohet sapo të grumbullohet dokumentacioni i nevojshëm për intervistim. Paraprakisht ju duhet të jeni të përgatitur për të qëndruar në Ambasadë deri në orën 12:00 paradreke. Materiale të lexueshme lejohen t’i keni me vete, por pajisje elektronike (duke përfshirë celularët), ushqimet, pije të ndryshme dhe çanta të madha nuk do të lejohen në Ambasadë. Pajisjet elektronike mund të lihen në hyrje të Ambasadës/Konsullatës, gjithsesi, për të përshpejtuar hyrjen, mos i merrni ato me vete. Për shkak të hapësirës së limituar që Ambasada ka në dhomën e pritjes, vetëm njëri nga aplikantët (nëse aplikoni si familje ose shoqëri) do të lejohet brenda për të paraqitur dokumentacionin, me përjashtim të rasteve kur aplikanti shoqërohet me fëmijë nën moshën 16 vjeç, ose në raste të veçanta të tjera. Pjesëtarët e tjerë (duke përfshirë të afërmit, shoqëria, bashkëpunëtorë, avokatë, etj.) nuk do të lejohen të hyjnë në ndërtesë, vetëm në rastet kur kërkohen nga zyrtarët konsullorë.
Kërkesat e fotografisë
Formati i fotografisë që kërkohet kur aplikon për vizë jo-emigrimi ka ndryshuar. Ky format është i njëjtë me atë që kërkohet kur procedohet një pasaportë amerikane. Fotografët, duhet të shikojnë udhëzimin për Fotografinë, për informacion më të detajuar që ndihmon për të përgatitur fotografi me cilësi. Aplikantët, duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit për vizë jo-emigrimi, DS-156 me formatin e ri të fotografisë, ashtu si shpjegohet më poshtë.
Përgjithësisht
Fotografia për secilin aplikant të vizës duhet të jetë me fytyrë të plotë, ashtu si shpjegohet më poshtë;
Fotografia duhet të jetë e shkrepur brenda 6 muajve të fundit;
Një fotografi duhet të dorëzohet e kapur ose e ngjitur në vendin e caktuar të formularit DS-156.
Përmasat e fotografisë
Fotografia për secilin aplikant të vizës duhet të ketë këto përmasa:
5 cm me 5 cm (pra: 50 mm katror) dhe koka duhet të jetë në qendër të kornizës së fotografisë;
Koka (e matur nga flokët lart deri në fund të mjekrës poshtë) duhet të jetë rreth 2.5 cm me 3.5 cm dhe niveli i syrit rreth 2.8 cm dhe 3.5 cm nga i matur fundi i fotografisë.
Paraqitja e fotografisë
Fotografia duhet të jetë e kohëve të fundit, dhe jo më e vjetër se gjashtë muaj;
Fotografia duhet të ketë pamje të plotë të fytyrës në të cilën aplikanti shikon drejt e në aparat. Shikoni një shembull të fotografisë që tregon pamje ballore të fytyrës, dhe më shumë;
Aplikanti nuk duhet të shikojë poshtë dhe as anësore, dhe fytyra duhet të mbulojë rreth 50 për qind të sipërfaqes së fotografisë;
Pamje anësore ose këndore nuk pranohen;
Fotografia duhet të jetë me ngjyra dhe duhet të jetë me sfond të bardhë pa shkëlqim. Fotografi të errëta, flu, ose me sfond tjetër nuk do të pranohen;
Në përgjithësi, koka e aplikantit, duke përfshirë fytyrën dhe flokët, duhet të tregohet nga maja e kokës deri në fund të mjekrës. Preferohet që veshët të jenë të ekspozuar;
Mbulime të kokës dhe kapelet pranohen vetëm në raste të besimit fetar, por edhe në këto raste, nuk duhet të mbulojë asnjë shqisë të fytyrës së aplikantit;
Syzet e diellit apo çfarë do lloj veshje tjetër që mbulon një pjesë të madhe të fytyrës nuk pranohen, vetëm në rast kur kërkohet ashtu ose për arsye mjekësore (një fashë syri);
Një fotografi që përshkruan një person me maskë tradicionale në fytyrë ose vello që nuk lejon identifikim të përshtatshëm të fytyrës nuk është e pranueshme;
Fotografi të personelit ushtarak, marinar, forcave ajrore, apo të çfarëdo shërbimi që u duhet të mbajnë kapele nuk pranohen. Fotografi të aplikantëve që mbajnë veshje farefisnore, kostumi kombëtar, apo çfarëdo lloj veshje, jo specifikisht fetare në natyrë, nuk pranohen.
Fotografitë dixhitale
Fotografitë që riprodhohen elektronikisht duhen riprodhuar pa e ulur cilësinë e tyre. Fotografi të fotokopjuara nuk pranohen.
Si të bashkëngjisni fotografinë formularit DS-156
Kapeni me kaps ose ngjiteni me vinovil fotografinë në vendin e caktuar të formularit DS-156. Nëse fotografia kapet me kaps, kapësja duhet vendosur sa më larg fytyrës të jetë e mundur.
Mos e bashkëmbyllni fotografinë në qese apo zarfe. Fotografia duhet kapur ose ngjitur në vendin e caktuar të formularit DS-156.
27 Korrik 2009