E Enjte, 5 Nëntor 2026

I shpallur në kërkim si pjesë e dosjes “Plumbi i artë 2”, arrestohet në Prishtinë Arben Lamçe

TIRANË, 4 gusht 2024 / ATSH /  Policia e Shtetit njoftoi sot se është kapur dhe arrestuar në Prishtinë shtetasi Arben Lamçe, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gordonët”.

Arrestimi i Arben Lamçes u realizua falë një operacioni të finalizuar me sukses nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Njësia FAST Albania, në bashkëpunim të ngushtë me FAST Kosova, pas shkëmbimeve të informacioneve mes dy njësive.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë kishte lëshuar më datë 29 korrik 2024, urdhërin për arrestimin e tij, duke caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg” për një sërë veprash penale. Akuzat përfshijnë “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunim në formën e organizatës kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Organizata kriminale” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga nenet 80, 28/1, 333, 334 dhe 287 të Kodit Penal.

Lamçe, lindur dhe banues në Elbasan, ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për këto akuza të rënda. Emri i Arben Lamçes është në mesin e 33 urdhërarresteve të “Plumbit të Artë 2” të lëshuara nga SPAK dhe firmosura nga GJKKO. Tashmë pritet që Lamçja të ekstradohet në Shqipëri dhe të njihet me masën e sigurisë.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›