Zbutet Gashi

Futbollisti kosovar, Ardian Gashi njihet si një futbollist shumë i ashpër në fushën e blertë. Gjatë edicionit të kaluar në elitën e futbollit suedez, ai ishte ndëshkuar nëntë herë me kartonë të verdhë.
Por, sivjet mesfushori Helsingborgut është ‘zbutur’ dukshëm. Ai ende nuk është ndëshkuar asnjëherë me kartonë të verdhë. Me këtë rast, kosovari ka tërhequr edhe vëmendjen e opinionit në Suedi, pasi ai njihej si një futbollist shumë i ashpër nëpër ndeshje të futbollit.
Madje, edhe vetë Gashi habitet kur kujton se ende gjyqtarët nuk ia kanë treguar kartonin e verdhë sivjet. “Nuk e di nëse jam bërë më pak i ashpër apo gjyqtarët tani po më njohin mua më mirë. Por sidoqoftë, tani gjërat janë duke shkuar mirë”, ka thënë Gashi për të përditshmen suedeze, Expressen.
Pavarësisht këtij përmirësimi, tashmë 30-vjeçarin në Suedi të gjithë e njohin si futbollist të ashpër. “Kundërshtarët e kanë dhënë këtë vlerësim, sepse mendojnë se jam futbollist i vështirë për t’u përballur. Ata mund të mendojnë çfarë të duan, por unë jam i fokusuar vetëm në lojën e futbollit dhe mund të them se kurrë nuk e kam lënduar asnjë futbollist me qëllim”, ka theksuar ai.
Madje, Gashi tërthorazi ka sqaruar se në përgjithësi futbollistët kosovarë luajnë ashpër sikur ai. “Bashkëvendësit e mi nga Kosova më thonë se e vetmja herë kur unë dukem se jam kosovar, është koha kur unë jam në fushë”, ka pohuar ai.
Ndërkohë, ish-futbollisti i klubit norvegjez, Valerenga ka kujtuar edhe kohën kur ishte burgosur në Norvegji. “Ishte diçka e keqe. Kam vozitur shumë shpejt në autostradë, ku shpejtësia ishte e paraparë deri në 80 km/h, kurse unë vozitja 136 km/h. Ishte diçka e keqe kur mendoja se jam në burg vetëm pse kam vozitur shpejt. Aty kisha rastin të bisedoja me një vrasës, edhe pse nuk kishte kriminelë të mëdhenj”, ka përfunduar ai.