I silli Messi

Argjentina e ka mposhtur Kombëtaren shqiptare në ndeshjen miqësore, të zhvilluar në Buenos Aires, me rezultat të lartë 4:0.
Të përzgjedhurit e Josip Kuzes, të cilët kanë qenë kryesisht lojtarë nga kampionati i Shqipërisë, janë mbajtur mirë përballë yjeve argjentinas që udhëhiqeshin nga futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi.
Argjentinaseve nuk u janë dashur shumë kohë për të kaluar në epërsi. Në minutën e 6’të sulmuesi i Napolit, Lavezzi e mposhti Arian Beqajn, pasi mori një top të mirë nga Messi. Ky i fundit shtoi epërsinë në 2:0, vetëm dy minuta pa përfunduar pjesa e parë.
Ylli i Barcelonës edhe në pjesën e dytë ishte në qendër të vëmendjes, derisa ishte i pandalshëm nga mbrojtësit shqiptarë. Në minutën e 75’të ai asistoi për Agueron, i cili nuk e pati të vështirë ta dërgojë topin në rrjet. Kurse vulë këtij takimi i dha Carlos Tevez në minutën e fundit, duke e shënuar golin e katërt të argjentinasve.
Në anën tjetër, Kuqezinjtë janë munduar që nëpërmjet kundërsulmeve ta rrezikojnë portën e gauçosëve, por pa sukses, pasi sulmet e tyre përfundonin pranë zonës së rrezikshme. Ky takim i ka shërbyer Josip Kuzes për t’i testuar disa lojtarë të rinj, që në të ardhmen mund të jenë pjesë e rëndësishme e kuqezinjve.
Trajneri i Argjentinës, Sergio Batista, ishte i kënaqur me lojën që shfaqi ekipi i tij. “Janë disa gjëra që mund të arsyetohen, sepse kundërshtari nuk sulmoi shumë dhe nuk e pa shumë topin, por jam i lumtur sepse shfaqëm gjithë atë që e kishim praktikuar në stërvitje”, ka thënë ai.
Ndërsa kapiteni i Argjentinës, Javier Zanetti tha se kuqezinjtë ishin larg nivelit të tyre. “Kishte gati një muaj që kur kemi filluar të punojmë. Kjo na ka ndihmuar shumë ndaj Shqipërisë, e cila, ta themi realitetin, nuk është e nivelit tonë”, theksoi mbrojtësi i Interit.
Kurse Carlos Tevez tha se kjo ishte mënyra më e mirë për t’u përgatitur për Copa America. Sipas sulmuesit të Manchester Cityt, në Copa America Argjentina do të hasë në kundërshtarë më të fuqishëm sesa Shqipëria.