I tronditur nga ca të vërteta të pathëna
Rreth filmit dokumentar “Mallakastra, siç ka qenë”
Edhe pse ka kaluar pak kohë nga premiera, ne tru më sëmbon mendimi se deri në çfarë feje mund te denigrohet e vërteta nga pushteti.
Më bën të kuptoj edhe njëherë se, përse historianët apo dhe kineastët e vërtetë nuk mund te zinin vend në një mjedis pa liri, ku, në vend që të thuhej e vërteta, përkundrazi, në mënyrë ciklike mund ta donte puna, karriera, apo ambicia, që të kritikojë, të denigrojë, apo cilësojë armik shokun në krah, e pse jo, të kërkojë përjashtimin nga partia, apo dënimin me burg, edhe për mikun tënd të vjetër, qoftë edhe nga koha e luftës partizane.
Në këtë kontekst, e kuptoj se si është sjellë e pasakte, dhe shpesh e përmbysur, edhe historia e Mallakastrës, nga librat apo filmat që kemi parë.
Por, fortë, lartësoj tentativën e autorëve dhe sponsorëve te dokumentarit “Mallakastra siç ka qene”, për tu dhënë brezave të tanishëm dhe atyre të ardhëm, te vërtetën e vërtetë mbi këtë krahinë te lavdishme. Pra, të vërtetën për Isa Toskën, Hajredin Fratarin, Ismail, Klosin, te ashtuquajturit “Këshilltarë te Hekalit”, Mehmet Shehun, Rauf Fratarin dhe figura të tjera qëndrore, që dominuan me veprën e tyre, dekada të tëra ne historinë e kësaj krahine,
Tronditëse vjen një pyetje:
Ne Mallakastër, (po edhe gjetkë), është bërë me shume luftë civile dhe vëllavrasëse apo luftë me italianin e gjermanin?
Kush i vrau në të vërtetë të ashtuquajturit “Këshilltarë te Hekalit”? Kush qe në të vërtetë Isa Toska? Ishte ideali i partisë apo i atdheut ai që e bëri Rauf Fratarin simbol të sakrificave për liri? Pse vriste pa gjyq Mehmet Shehu dhe pse është glorifikuar deri në mani figura e tij?
Nuk mund të përmendësh asnjë sekuence të filmit ku të pavërtetat me të cilat na kanë mësuar, (me zor madje), te mos ballafaqohen me një realitet krejt te ndryshëm.
Energjia e popullit, zelli i mallakastriotit, për punë e liri, shfaqet fortë, sepse është real.
Por tjetër gjë është aspirata e bijve te saj më të ndritur për liri, tjetër gjë janë shtrembërimet e historisë.
Mallakastra, duke u pastruar nga të pavërtetat, jo vetme ruan por e forcon fuqinë dhe energjinë e saj jetësore.
Duke ballafaquar te vërtetat që ofron filmi me ato që na kanë mësuar nëpër libra apo filma, te mëparshëm më vjen në mend krahasimi i rërës që ngihet lart si stuhi, por ky është vetëm një iluzion. Edhe pse zgjati gjate gjithë diktaturës, koha e mirë doli, sepse ligji i tërheqjes universale, pra ballafaqimi me të vërtetën, në këtë rast është i pashmangshëm.
Nuk është vetëm dashuria për atdheun dhe kultura e larte që ka orientuar grupin e krijuesve dhe sponsorëve e tij zotërinjtë F. Murati dhe H. Fratari.
Është edhe instinkti për të vërtetën, për t’u lënë brezave historinë siç ka qenë dhe jo deformuar. Nuk pretendoj me këto shkrime modeste të kem monopolin e të vërtetës, përkundrazi pres me shumë dashamirësi dialogim dhe debat.
Habitem ndërkohë sesi mediat nuk reagojnë fort për të thënë assesi mendimin e tyre; apo ndoshta e kanë më të lehtë të përcjellin klishe.
Po Mallakstra ka qene ashtu siç e thotë filmi, përmes aq e aq dokumenteve të pakontestueshme.
Të thuash të vërtetën është një shenje e lartë qytetërimi.