E Shtunë, 31 Tetor 2026

I urryeri i hokejit

Hokej në akull njihet si baza e problemeve në mes të lojtarëve, të cilët dëshirojnë të përfitojnë nga aftësia e tyre fizike për t’u bërë heronj. Në listën e hokeistëve më të urryer në histori të këtij sporti gjendet edhe ish hokeisti me prejardhje kosovare, Tahir Domi. Nga Express më 21 dhjetor 2010 në ora 12:29

Historia e kampionatit më të fortë në botë të hokejit në akull, NHL, është e mbushur me lojtarë të pistë dhe të bezdisshëm. Ata mundohen që ta shfrytëzojnë fuqinë e tyre fizike për t’u bërë heronj.

Disa lojtarë lulëzojnë falë egërsisë së tyre, duke ia bërë kundërshtarit jetën më të vështirë. Me ngacmimet dhe bezditë që i shkaktojnë, ata e nxjerrin kundërshtarin nga kontrolli dhe përfitojnë nga situata.

Njëri prej tyre është edhe ish hokeisti me prejardhje kosovare, Tahir Domi. Fizikusi i një ‘përbindëshi’ ia kishte mundësuar atij që të dominonte ndaj kundërshtarëve, por nuk munguan as përleshjet e kohëpaskohshme të tij, me çka u shqua karriera e tij.

Me këtë rast, ueb faqja amerikane bleacherreport.com e ka publikuar listën e 20 hokeistëve më të urryer në histori të këtij sporti, ku figuron edhe emri i 41 vjeçarit shqiptar, që ka nënshtetësi kanadeze. Ai gjendet në pozitën e 18-të.

“Ai ishte një kafshë e dëmshme dhe nuk e përdorte trurin e tij gjatë gjithë kohës. Domi ishte suspenduar për tetë ndeshje dhe ishte gjobitur për goditjen prej nokauti ndaj Ulf Samuelsson të ekipit New York Rangers dhe kjo nuk ishte gjëja e vetme që e kishte bërë ai”, shkruan ueb faqja bleacherreport.com.

Domi po ashtu ia kishte ‘dhuruar’ një bërryl në kokë mbrojtësit të New Jersey Devils, Scott Niedermayer, duke ia humbur vetëdijen në vitin 2001 në gjysmëfinale të Konferencës Lindore.

Momenti më i turpshëm i Tahir Domit, i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si Tie Domi, ishte kur e kishte lagur me ujë një tifoz dhe një tjetër fans e kishte thyer xhamin plastik dhe e kishte kapërcyer atë, duke përfunduar në fushë.

Me atë rast, ish lojtari i Toronto Maple Leafs, New York Rangers e i Winnipeg Jets ia kishte dhënë disa grushte fansit, derisa kishte ndërhyrë gjyqtari për t’i qetësuar gjakrat.

Domi, i lindur më 1 nëntor të vitit 1969 në Windsor të Kanadasë, ishte marrë me hokej në akull për 16 vjet. Ai luajti në krah të djathtë dhe roli i tij në fushën e akullt ishte që të bënte presion dhe ta impononte lojën e kundërshtarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›