Rogova provohet në Turqi
E ardhmja e Dardan Rogovës mund të jetë e lidhur me Turqinë. Sulmuesi gjakovar mund ta vazhdojë karrierën në elitën e futbollit turk, pasi që janë dy skuadra të atjeshme tek të cilat mund të provohet ai në janar.
Këto prova, Rogovës ia ka mundësuar ish trajneri i Vëllaznimit, Blerim Mula, i cili ka lidhje të mira me klubet turke, ku pati eksperienca edhe si trajner. “Gjatë janarit mund ta kem një mundësi për t’u provuar në Turqi. E di se janë dy skuadra nga liga e parë, por më shumë nuk di”, u shpreh futbollisti për Express.
Natyrisht, numri 9 i Vëllaznimit nuk po rri duarkryq. Derisa shokët e tij janë lënë të lirë për një kohë nga klubet, sulmuesi i shkathtë po bën ushtrime individuale intensivisht për t’u përgatitur sa më mirë për testin që e pret. “Po ushtroj dy herë në ditë, ngase, nëse më jepet rasti, duhet të jem sa më i përgatitur për provat në Turqi”, vazhdoi ai.
Me ushtrime të forta, Rogova, i cili në të kaluarën pati një eksperiencë të shkurtër në futbollin shqiptar, beson se mund t’ia dalë mbanë – t’i kalojë provat dhe të nënshkruajë kontratë me njërin nga ekipet ku do të provohet.
Rogova ishte njëri prej sulmuesve kryesorë të Vëllaznimit në 2-3 vitet e fundit, para se të transferohej nga skuadra e juniorëve.