I veçanti
Çdo njeri në jetë e kërkon fatin në mënyra të ndryshme. Ka njerëz që mbajnë gjësende të ndryshme, të cilat mendojnë që u sjellin fat, por ka edhe të tjerë që bëjnë veprime të ndryshme për të njëjtën arsye.
Një gjë të tillë gjen vend edhe në botën e sportit. Vite më parë, futbollisti i Romës, Daniele de Rossi e kishte lëshuar mjekrën, të cilën nuk e hiqte derisa të humbasë ekipi i tij, duke menduar se po i sjell fat. Sot trajneri i Juventusit, Antonio Conte, kur futet në fushë, derdh disa pikë ujë, të cilat ai mendon se i sjellin fat.
Kurse në Kosovë, në një mënyrë krejt të veçantë e kërkon fatin trajneri i futbollit Emin Ajvazi. Kur futet në stadium, trajneri llapjan nuk shkon direkt në bankinë, por shkon prapa portës, futet në fushë deri te fundi i 16 metërshit, rikthehet prapa portës dhe më pas shkon në bankinë. Ai mendon se kjo i sjell fat në lojë.
“Para fillimit të çdo ndeshjeje shkoj prapa portës dhe hyj deri tek 16 metërshi, prej të cilit nuk ka gjasa të shkoj drejt e në bankinë. Në ndërkohë i lutem Zotit të mos lëndohet ndonjë futbollist imi dhe të kem sukses. Pastaj kthehem prapa portës dhe jashtë vijave shkoj deri te bankina. Këtë gjë e praktikoj që kur kam filluar të merrem me zejen e trajnerit. Këtë e bëj pasi që mendoj se më sjell fat. Mendoj se ky veprim më ka ndihmuar në karrierë”, thotë Ajvazi.
Ai e ka nisur karrierën në vitin 1987, për ta udhëhequr klubin e futbollit Llapi për 10 vjet. Ndërkohë, ishte protagonist dhe pjesëmarrës në pavarësimin e futbollit kosovar nga ai i ish Jugosllavisë, duke dhënë kontribut të madh për futbollin në vend.
Pas luftës, ai e kishte marrë në dorë Besianën, për t’u kthyer sërish tek Llapi. Gjatë karrierës, Ajvazi e ka drejtuar edhe Fushë Kosovën, ndërsa së fundmi ishte trajner i Ulpianës.
Ai ka arritur ta rikthejë Llapin dy herë në Superligë, ndërsa ishte pjesëmarrës në sukseset e Besianës, e cila kishte fituar titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Me ekipet që ka drejtuar, ai i ka mposhtur trajnerët më të mëdhenj të futbollit kosovar. “Po, të gjithë trajnerët e njohur kosovarë kanë humbur nga unë. Unë ndoshta nuk jam më i miri, por jam më i madhi”, shton Ajvazi.
Ai e tregon edhe një ves interesant të tij. Ajvazi nuk e pëlqen fare numrin 6, të cilin e konsideron si numër ‘baksuz’.
“Nuk e kam aspak në qejf këtë numër, bile as ta përmend. Lojtarët e mi nuk kam dëshirë që ta mbajnë në fanellë këtë numër. Madje, në stërvitje nuk e përmendi fare. Në vend të tij them 5+1 ose nga 5 kaloj numërimin në 7”, vazhdoi ai.
Kjo nuk ishte e tëra. Ajvazi është ndoshta trajneri i vetëm në botë që i ka shtyrë lojtarët e tij që ta bëjnë betimin. Dhe, kjo ka sjell rezultat.
“Nuk besoj se ndonjë trajner tjetër në botë ka vepruar njëjtë. Futbollistët e kanë bërë betimin para meje në fillim të kampionatit si vijon: Betohem që urdhrat e trajnerit do t’i zbatoj edhe nëse trajneri e ka gabim. Pastaj ata kanë nënshkruar për këtë, edhe pse nuk ka qenë e obligueshme. Kjo formë e betimit ka funksionuar, sepse Llapi pati suksese në atë sezon”, shtoi trajneri i njohur kosovar, i cili falënderon të gjitha kryesitë e klubeve me të cilat ka pasur punë.
Ajvazi e pranon se ia ka parë hairin futbollit. Nëse nuk do të merrej me këtë sport, ai e pranon se do të ishte një ‘mangup’, por futbolli e ndryshoi. Si futbollist nuk pati ndonjë karrierë të bujshme sikur ka si trajner. Ai kishte luajtur për Llapin dhe për ekipin Medicinar, tash Ramiz Sadiku.
Ajvazi është tifoz i flaktë i Brazilit dhe për këtë edhe picerinë e tij e ka emërtuar ‘Brazili’. Ai kishte 5 futbollistë brazilianë në ekip, kur e drejtonte Llapin. Për brazilianët thotë se janë të veçuar në futboll.
Karriera e Ajvazit nuk ka përfunduar me kaq. Ai planifikon të kthehet shumë shpejt. Tregon se ka oferta nga 2-3 klube, prej tyre njëra nga Superliga. Ose do ta marrë një ekip nga Liga e Parë, të cilin do të inkuadrojë në Superligë, ose do ta drejtojë një ekip të rrezikuar të Superligës, të cilin do ta shpëtonte.
“Për mua topi fshehtësi nuk ka. E njoh mirë këtë sport, pasi që punoj që 20 vjet. Do të kthehem për të arritur suksese tjera”, nënvizoi Ajvazi i cili shpreson që futbolli ynë në vitin 2012 të marrë pjesë në garat e UEFA-s dhe të FIFA-s.