“I vetmi “korrupsion” që kam bërë janë tollonat e naftës që i kam dhuruar Flamur Nokës”Nga TemaIntervistë me Apostol Goçin, kandidatin për deputet të qarkut të Kukësit Zoti Goçi, jeni kandidat për deputet në qarkun e Kukësit si pjesë e koalicion
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“I vetmi “korrupsion” që kam bërë janë tollonat e naftës që i kam dhuruar Flamur Nokës”Nga TemaIntervistë me Apostol Goçin, kandidatin për deputet të qarkut të Kukësit
Zoti Goçi, jeni kandidat për deputet në qarkun e Kukësit si pjesë e koalicionit të majtë, ndërkohë që sapo keni botuar një libër biografik për një disident që keni mbajtur në shtëpinë tuaj gjatë komunizmit? Si shpjegohet ky kapërcim?
Unë i përkas brezit të parë të biznesmenëve të demokracisë në Shqipëri dhe kam kohë që i kam fshirë nga mendja ndarjet ideologjike. Unë nuk kam pyetur për komunizmin gjatë regjimit komunist dhe kam mbajtur në shtëpi për vite të tëra Muhamet Hoxhën, i cili ishte realisht një agjent i CIA-s, i hedhur si diversant në Shqipëri. Libri që ju keni në dorë e dëshmon qartë këtë.
Për këtë arsye as që më shkon në mendje të mendoj se çfarë ndarjeje mund të sjellë e majta apo e djathta në Kukës. Kam kandiduar këtu, pasi më kërkuan shumë bashkëpunëtorë të mi në biznes nga Kukësi. Unë kam bizneset e mia këtu, dhe do t’i zhvilloj edhe më shumë duke nxitur punësimin, pasi të bëhem deputet.
Si ju kanë pritur në qarkun e Kukësit?
Ndjehem si në shtëpinë time. Bashkëpunëtorët e mi në biznes më kanë takuar me qindra- mijëra njerëz. Ajo që konstatoj në Kukës dhe në Has është varfëria. Është e turpshme të flasësh lart e poshtë në emër të veriut, dhe ta lësh veriun në skamje të plotë. Nuk kam parë fshatarë më të varfër se në Has, një zonë e persekutuar nga regjimi komunist, që po vuan ende sot në “regjimin” demokratik.
Është kollaj të krekosesh si gjel në Tiranë dhe të thuash, jam kuksian, por e ke të vështirë të vish në Kukës e t’i shikosh në sy bashkëfshatarët e tu të varfër, që të mbajnë mend, dhe kur ke ngrënë bukë misri, dhe kur ke pasur pantallonat me arna. Zengjinët e rinj, që flasin në emër të Kukësit në Tiranë, nuk i kanë vënë paratë me djersë, por me abuzime në emër të pushtetit. Unë dua t’i ndihmoj njerëzit e kësaj zone të kenë punën e tyre, dinjitetin e tyre dhe jo të bëhen njerëz qesharakë, duke iu servilosur pushtetit.
Kandidati i PD, Flamur Noka, ju ka sulmuar në një takim duke ju akuzuar se ju, biznesmenët e naftës, jeni trafikantë? Cili është komenti juaj?
Ne jemi biznesmenë të mëdhenj dhe s’do ishim bërë të mëdhenj, nëse do ishim trafikantë. Nëse Flamuri pranon që ka shtet ligjor dhe ka luftuar korrupsionin, nuk besoj se do më kishte falur mua dhe kolegët e mi. I vetmi korrupsion që kam bërë në jetë dhe që tani s’ia fal vetes, është që i kam pas dhënë tollona nafte falas këtij Flamurit, kur më vinte te kompania në Tiranë, dhe hiqej si fukara. Për këtë kërkoj ndjesë. Për të tjerat nuk ka se çfarë të sqarojë njeriu me Flamurin.
Si i shikoni shanset për t’u bërë deputet?
Unë ndjehem i sigurt në mbështetjen që kam gjetur në Has, Kukës, por dhe Tropojë. Unë komunikoj me njerëzit që kanë halle dhe që duan të ringrihen në këmbë për ta fituar vetë bukën e gojës, nuk flas me drejtorët e Flamurit, që i ka zgjedhur të gjithë nga fshati i vet. Unë shpresoj te mirëkuptimi me ta dhe te besimi që kanë për njerëzit e biznesit. Unë jam vërtet një kandidat përtej të majtës dhe të djathtës, se kështu kam jetuar gjithë jetën time. Dhe njëqind jetë të kisha, kështu do t’i jetoja. Nuk jam fanatik partiak dhe as krahinor. Jam njeri që vlerësoj punën dhe aftësitë te të tjerët dhe jo teserat që shpërndan Flamuri.
Së fundmi, një pyetje për librin “Unë agjenti i CIA-s, Muhamet Hoxha”. Çfarë është ky personazh dhe ky libër që po bën bujë në Tiranë?
Është historia e Muhamet Hoxhës, një njeriu të jashtëzakonshëm që ka provuar një jetë të pazakontë, ka qenë me Zogun, italianët, gjermanët, amerikanët, me reaksionarët dhe intelektualët, por dy gjëra nuk i kanë ndryshuar kurrë, të qenit shqiptar dhe antikomunist. Ai u arrestua dhe dënua nga regjimi komunist si diversant i hedhur nga CIA në Shqipëri dhe ashtu ishte vërtet. Qeveria amerikane më ka shpërblyer mua për strehimin e tij. Libri është një ditar i tij, që ma ka lënë amanet me shkrimin e tij. Për ta bërë më të kuptueshëm për lexuesin, unë i kërkova ndihmë shkrimtarit Pirro Loli, i cili arriti ta takonte sa ishte gjallë Muhametin dhe më pas unë i sqaroja gjithë momentet e jetës së tij në familjen time pas daljes nga burgu. Është një libër rrëqethës për një histori të zakonshme shqiptare, për një familje që e mbajti si djalin e saj një antikomunist të vendosur dhe që e respektoi deri ditën e fundit të jetës së tij duke iu bërë familje e dytë. Jam krenar dhe i qetë që kam realizuar amanetin e tij dhe, kur shikoj se në Has dhe Kukës ka shumë njerëz me histori të tilla, ndihem dyfish krenar që e kam bërë këtë vepër.
Unë ndjehem mirë që gjatë komunizmit kam qenë në anën e një të persekutuari dhe tani jam njeri i lirë, ndryshe nga disa që dikur pështynin mbi kufomën e Havzi Nelës dhe sot bëhen drejtues të Kukësit.