E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Ka sigurimsa në listat për deputetëNga TCHKryetari i shtetit, Bamir Topi, duke folur në emisionin “Top Story” tha se në listat e kandidatëve për deputetë ka bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Por Topi tha se ky nuk është faji i tyre, por i

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Topi: Ka sigurimsa në listat për deputetëNga TCH

Kryetari i shtetit, Bamir Topi, duke folur në emisionin “Top Story” tha se në listat e kandidatëve për deputetë ka bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Por Topi tha se ky nuk është faji i tyre, por i drejtuesve që i kanë vendosur në lista.

Në vijim, presidenti është përqendruar në fushatën elektorale, Kodin e ri Zgjedhor dhe zgjedhjet e 28 qershorit. “Fushata është në dinamikën e saj dhe nuk besoj se ka ngjashmëri me fushatat e tjera. Kjo fushatë po imponohet edhe nga ligji i ri zgjedhor që ka një strukturë totalisht të ndryshme nga ai që kemi pasur. Ky ligj të detyron të sillesh ndryshe për fushatën dhe ta trajtosh ndryshe për të pasur një vizion të caktuar për rajone të caktuara”, - shprehet Topi.

Presidenti i ka cilësuar si të shëmtuara rastet e ndryshme të dhunës, duke nënvizuar se këto nuk janë elementë qytetarie, por shtoi se gjithçka është amplifikuar nga politika. “Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 duhet të konsiderohen si festë e demokracisë, pasi ne jemi në mbyllje të tranzicionit, sepse Shqipëria sot është një vend i NATO-s që do të thotë që përgjegjësia për administrimin e zgjedhjeve duhet të jetë maksimale. Ngjarja e Qerretit është tragjike. Janë ngjarje që nuk i takojnë një vendi që aspiron të jetë anëtar i BE. Aty ku ndodhin incidente të tilla, ka sfond politik”, - shton kreu i shtetit.

Në vijim të intervistës se tij, Topi ka shprehur besimin se zgjedhjet do jenë të qeta. “Duhet të jemi selektivë në analizë. Debatet i kam ndjekur me vëmendje, por ka pasur dhe debate që u jam larguar me dëshirë. Ai debat që precipiton në tensione dhe shkëmbime batutash besoj se pas 20 viteve demokraci nuk është i këndshëm për publikun që e ndjek. Kam ndjekur nga televizionet një lloj sondazhi qytetar dhe me kënaqësi mund të them se niveli qytetar është i pëlqyeshëm, çka do të thotë se njerëzit sot nuk janë të painformuar politikisht. Lidershipi politik i të gjitha partive duhet të kuptoje që mesazhet politike dhe elektorale nuk mund të jepen në mënyrë të papërpunuar. Por, nga ana tjetër, më vjen keq që disa politikanë vazhdojnë me nivelin e një gjuhe retrospektive politike”, - qartësoi presidenti.

Topi hodhi dhe një note kritike ndaj medieve për qëndrimin e tyre në këtë fushatë zgjedhore. “Në të gjithë aktivitetin tim kam qenë korrekt me mediet dhe ato me mua, por për të analizuar performancën e medias në lidhje me politikën, media ka çeduar në orientime të caktuara politike dhe gati-gati ka marrë orientimin e politikës. Ka gjasa që një grup politik të orientojë një media të caktuar apo një grup tjetër një media tjetër dhe mua nuk do më vinte mirë që kjo tendencë të theksohej. Gati-gati kemi media që orientohen më shpejt sesa një forcë politike e caktuar. Sot unë dëgjoj që njerëzit ndërrojnë kanal. Njeriu nuk ka nevojë të intoksikohet vetëm me një mesazh elektoral, por duhet ta zhvillojë jetën në harmoni dhe të dëgjojë mesazhe të ndryshme. E ke të vështirë të dallosh një parti të djathtë nga një e majtë dhe ka nga ata që marrin pjesë në garë dhe nuk dallojnë dot thelbin e një programi të caktuar. Kam besim se këto zgjedhje do kalojnë në mënyrë shumë të qetë dhe shumë korrekte, pavarësisht betejës elektorale”, - nënvizoi presidenti.

Ai mbështeti gjithashtu edhe Kodin e ri Zgjedhor. “Kam qenë një nga partizanët e ligjit proporcional rajonal, sepse ky ligj për një vend si Shqipëria të jep mundësinë që të futësh zonja në parlament, të jep mundësinë që të rrisësh kualitetin e përfaqësimit dhe kualitetin e qeverisjes së nesërme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›