E Diel, 1 Nëntor 2026

Telashet e Flamurit me Fatmir Mediun Nga Antena brenda familjesFlamuri e ndërpreu thuajse fare fushatën dje në Kukës. Fjalimi i asaj zonjës në Shkodër i kishte prishur terezinë. Sado që u përpoq ta mbulonte që të mos jepej, nuk ia arriti. Porosia e t

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Telashet e Flamurit me Fatmir Mediun Nga Antena brenda familjes

Flamuri e ndërpreu thuajse fare fushatën dje në Kukës. Fjalimi i asaj zonjës në Shkodër i kishte prishur terezinë. Sado që u përpoq ta mbulonte që të mos jepej, nuk ia arriti. Porosia e tij urgjente për t’i hequr antenën Vizion Plusit në Shkodër, prapë nuk funksionoi, se ai dreq sinjali vinte dhe nga sateliti dhe atje “Lart” as ai burri s’kishte pushtet.

Problemi nuk ishte Shkodra, por gjithë Shqipëria. Sapo kishin dëgjuar lajmin, e marrin në telefon nga Berati. Kryetari i PD i bërtiste i çartur sikur t’ia kishte fajin Flamuri.

- E kupton apo jo, që vetëm Kuqua ka për të dalë këtu, - i thoshte. - I rruat PD që luftoi, vetëm Kuqua do dalë.

- Ore për kë Kuqo e ke fjalën ti, se unë di që Kuqua i Beratit u arrestua një herë, - tha Flamuri, - se kërkohej nga italianët?

- Jo ai Kuqo o jo, t’u bëfsha, Kuqua që na keni nis nga Tirana, se atij i marrim të keqen ne, të lirë e ke prapë.

- Aha, e ke fjalën për Genc Pollon, po pse, si është muhabeti?

- Po ja o, si të them unë i shkreti. Erdhi ky kandidati republikan, ky pronari i UFO-s. Po e njeh tërë Berati atë ere, se është biznesmen. Dhe i futi një reklamë në medien lokale këtu, që do bëjë universitet privat me status publik, d.m.th., pa pará. Po çmendi dynjanë, o aman. Hapi dhe zyra për regjistrim. Shkon fshat më e fshat dhe thotë: “Kush do fëmijë për shkollë, t’i bjerë tek unë, se i shkolloj pa lekë.” Po është i tmerrshëm, o aman. E di ç’u thotë o? U thotë që “u garantoj shkollim dhe diplomim cilësor, po deshët për siguri ua jap diplomën paraprakisht me datën e pas katër viteve.” Ore është kiamet i madh të them, dëgjon o?

- Dëgjoj o dëgjoj, po unë ç‘të bëj tani?

- Po si o ç’të bësh, mirë e ka ajo zonja, është republikan ky, t’u bëfsha, si ç‘të bësh? Do na marrë votat. Se këta kanë gjithë paratë e Beratit ore. Njëri ka punuar në Poliçan, ka lekët e fishekëve të Gërdecit, tjetri si Rrapushi premton universitet, këta na lanë batall ne o të keqen. Ne vetëm Kuqua na del, po vazhdoi kështu

- Po ç’të të bëj unë o? - i tha Flamuri. - Bëni ç’të doni, mbylljani zyrat.

- Ia mbyllim o ia mbyllim, po kemi hall se na thoni mos u fusni në sherr me republikanët, se pak telashe kemi ne.

- Jo mo mbylljani, mos çani kokë fare, - i tha Flamuri.

Sa e mbylli telefonin me Beratin, ia plasi Fieri.

- Aman o, si t’ia bëjmë këtyre republikanëve, se na çmendën? - i tha kryetari i PD.

- Pse o, çfarë bëjnë? - i tha Flamuri.

- Po ja o, është një Fatmir tjetër, jo Mediu, po që thotë jam vëllai i Fatmirit për shpirt, që thotë se e ka rregulluar me Shkëlzenin që në Fier të votohet për Mediun. Po ngeli derë më derë o, tregon fotografinë e Mediut me Shkëlzenin dhe thotë që ka fol Shkëlzeni me atë burrin.

- Po mos e dëgjo, se nuk e pyet ai burri Shkëlzenin për këto gjëra. Një herë e pyeti për Gërdecin dhe mori dynjanë më qafë. U thuaj njerëzve që është gënjeshtër.

- Po aman si t’u them që është gënjeshtër, vjen Mediu dhe bën sikur merr në telefon Shkëlzenin në çdo takim dhe thotë: “Ne, ose do fitojmë bashkë, ose do humbasim bashkë.” ǒtë bëj o aman, se na nxinë jetën?

Flamurit i plasi koka nga gjithë këto ankesa. “Bëni ç’të doni”, - tha dhe mbylli telefonin. E di që s’ka faj ajo zonja, tha me vete, që ia plasi në Shkodër. Hajt duro dhe Fatmir Mediun deputet tani.

Sikur të mos mjaftonte kjo, një telefonatë nga Tirana.

- Jam pronari i autobusëve të unazës, - u prezantua.

- Më fal, po jam në Kukës, - i tha Flamuri.

- E di, e di, po dua të qaj hallin për diçka. Më kanë vënë një gjobë ky Fatmir Mediu dhe më ka vënë posterat në gjithë autobusët e mi, se më ka pas bërë nder një herë. Të betohem që s’dua lekë për postera, po më ka rënë xhiroja e autobusit tri herë. Kanë frikë njerëzit të hipin, se thonë mos na shpërthen autobusi, se u kujtohet Gërdeci. Aman o më bë derman, si t’i heq posterat nga autobusi, se më vjen zor. Bëni sikur merrni një vendim partie që t’i heq, se më falimentoi.

- S’kam ç’të bëj, - i tha Flamuri. - Unë s’e heq dot nga koalicioni, ti do ta heqësh nga autobusët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›