I vetmi që punon deri në 3 të mëngjesit!

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, kujdeset shumë sa i përket orarit të punës për lokalet që zhvillojnë veprimtarinë në komunën e tij. Kur vjen ora 00:00 të gjitha lokaleve u vihet dryni, por jo edhe lokalit të djalit të tij, Ilirit.
Lokali “Fron Bar” që nuk ka shumë kohë që është hapur, vazhdon të punojë deri në 03:00 pa u penguar nga askush.
Madje mbrëmë siç raportojnë banorët e lagjes, ku ndodhet edhe lokali, ka pasur një rrahje masive me ç’rast ka intervenduar edhe Policia e Kosovës.
“Sot në orët e para të mëngjesit kemi dëgjuar një zhurmë të madhe dhe kur kam dal jashtë e kam parë se behët fjalë për një gjurulldi që është shkaktuar në lokalin e djalit të kryetarit. Aty nuk ka vonuar shumë ka ardhur edhe policia me alarme dhe është krijuar një “hallakam””, thotë një banore e kësaj lagjeje në kushte anonimiteti.
Sipas saj, kryetari Rugova me një udhëzim që e ka nxjerrë ua ndalon të gjitha lokaleve të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pas orës 00:00, por kjo nuk po ndodhë edhe me lokalin e të birin e tij, Ilirin.
Madje sipas saj, lokali i djalit të kryetarit është blerë rreth 300 mijë euro dhe pas kësaj janë bërë renovime me mija euro.
Banorët e kësaj lagjeje të Istogut ndihen të shqetësuar me zhurmën që lëshon ky lokal çdo natë dhe i bëjnë apel policisë që të marrin masa sa më shpejt, pasi që kryetari po tregohet “neutral” ndaj biznesit të tij./Indeksonline/