Vuçiq: Prishtina po e synon sistemin energjetik në veri

Zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se pala kosovare po përpiqet të bëjë trike në bisedime, të cilat nuk mund të kalojnë.
Vuçiq ka thënë se Prishtina po tenton ta ndryshojë marrëveshjen për gjykatat në Veri të Kosovës, transmeton KTV. Por, sipas tij, dredhitë e Thaçit nuk do të kenë sukses.
Ai ka pohuar se autoritetet e Kosovës kanë tentuar të ndikojnë që Mitrovica të ketë gjykatën themelore që do të kishte katër degë në katër komunat në veri të Kosovës dhe tri komuna në jug të Ibrit. Sipas tij, ideja ishte që të ndryshohet struktura etnike në komunat serbe.
“Thelbi i çështjes është se në pjesën veriore të Mitrovicës në këtë rast do të punësoheshin 85 për qind e shqiptarëve dhe kështu do të ndryshonin strukturën etnike. Nuk e di se si e mendojnë këtë, por isha i tronditur se si tentuan”, tha ai duke shtuar se trafostacioni i Valoçës do të jetë temë kyçe e bisedimeve teknike në Bruksel në sferën e energjetikës./indeksonline/