E Diel, 1 Nëntor 2026

I vihet eksploziv me telekomandë në makinë, policia shpëton 32 vjeçarin

Evakuohen banorët nga rreziku i shpërthimit
Zbulohet nën sediljen e një makine, një sasi eksplozivi me shpërthim elektrik por edhe me telekomandë nëpërmjet telefonit celular. Burimet zyrtare të policisë së Fierit kanë bërë të ditur se mjeti shpërthyes është gjetur nën sediljen e një makine tip mercedez benz. Ai që ka gjetur mekanizmin shpërthyes, ka qenë vetë drejtuesi i automjetit. Shtetasi Edmond Licaj, ka zbuluar gjithçka në moment që ka qenë duke ecur në rrugën kryesore të qytetit të Fierit. Menjëherë Liçaj ka njoftuar uniformat blu, të cilat kanë mbërritur në vendin e ngjarjes të shoqëruar edhe nga specialistët përkatës, duke bërë të mundur që brenda harkut kohor të 60 minutave bomba me telekomandë të çaktivizohej dhe çdo gjë të përfundonte pa shkaktuar viktima.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur në orën 22:40 të mesnatës së hënë, vetëm 100 metra larg qendrës së qytetit të Fierit, pranë disa lokaleve e banesave që ndodhen në pallate pesë kateshe. Shtetasi Edmond Liçaj, 32 vjeç, sapo ka dalë nga një lokal, është futur në automjetin e tij tip benz me targa FR 0214 C. Licaj ka treguar se makinën e kishte lënë me derë hapur dhe sapo është futur në automjet, sedilja e tij nuk ka qenë në rregull. Ai ka tentuar që ta shtyje pas, por ajo haste në pengesë. Liçaj ka pohuar për burimet policore se pasi ka vënë re këtë anomali në sediljen e makinës, ka ulur kokën për të parë se çfarë e pengonte sediljen që nuk shtyhej pas. Pikërisht në këtë moment, 32- vjeçari ka parë një pako poshtë sediljes, ku ishte ulur vetëm pak minuta më parë. I trembur, ai menjëherë ka dalë jashtë makinës dhe ka njoftuar policinë. Uniforma të shumta të komisariatit të Fierit kanë shkuar menjëherë në vendin ku ndodhej automjeti, duke e rrethuar atë dhe të gjithë zonën dhe duke larguar prej andej banorët dhe kalimtarët që ndodheshin pranë. Sipas burimeve zyrtare policore mësohet se pas ekzaminimeve të bëra në të gjithë automjetin, është zbuluar se poshtë sediljes ndodhej një sasi lende plastike 200 gramëshe së bashku me ndezës me bateri si dhe me aparat telefoni celular. Por megjithë ndërhyrjen e uniformave blu, është dashur ardhja e specialistit të demontimit, ajo që ka bërë të mundur çaktivizimin e bombës me telekomandë. Burimet zyrtare të policisë fierake pohojnë gjithashtu faktin se pjesë nga bomba me telekomandë janë dërguar për ekspertizë më të detajuar në laboratorin e kriminalistikës në kryeqytet nga dhe ku do të dalin gjurmët që do të përcaktojnë autorët, apo autorin e vendosjes së kësaj sasie lende plasëse me telekomandë. Gjithashtu, pas këtyre ekzaminimeve do të dalin në pah edhe motivet se për çfarë është vendosur kjo sasi lënde plasëse. Fatmirësisht nuk u aktivizua aparati celular, pasi mund edhe të kishte pasur viktima, duke qenë se automjeti ndodhej i parkuar në një zonë me shumë qarkullim në qytet. Policia është duke punuar për zbardhjen e ngjarjes dhe për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje.

Last Updated on Tuesday, 28 April 2009 22:30

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›