Zbulohen në Durrës figurinat prej balte, të vetmet në botë
Figurinat e baltës kanë qenë objekt studimi tepër interesant për disa arkeologë francezë të drejtuar nga zv/rektori i universitetit në Lilë, Artur Myler dhe profesori e historiani shqiptar Fatos Tartari. Arkeologët francezë që ndodhen në Durrës gjatë një konference për shtyp kanë bërë të ditur se sasia prej 180 kg e figurinave të terrakotës ka befasuar grupin e arkeologëve francezë, të cilët do të qëndrojnë një muaj në Durrës për këtë qëllim. Kjo ekspeditë franceze ka si qëllim kryesor studimin e figurinave prej balte të pjekur që i përkasin shekujve IV-II para Krishtit, ndërkohë që figurina të tilla nuk janë zbuluar në asnjë vend të botës. Këto figurina janë zbuluar në Sanktuarin e Çezmës së Ferrës në qytetin e Durrësit.
Ato e rendisin Dyrrahun antik në një qytet mjaft të rëndësishëm dhe të zhvilluar, sepse kjo tregon edhe fuqinë e tij të madhe në atë kohë. Profesor Fatos Tartari është shprehur se prioritet për këtë vit për këtë mision franko- shqiptar do të jetë koleksionimi dhe studimi i monedhave, ndërkohë që pas një muaji të qëndrimit të grupit të arkeologëve francezë, mendohet se do të mbyllet edhe faza e dytë e projektit të përbashkët. Ky projekt ka nisur që në vitin 2002 me dokumentimin dhe zbulimin e një pjese të materialit arkeologjik, e zbuluar në vitet 1970-1971 në Kodrën e Dautes, në qytetin e Durrësit. Duke iu referuar fazës së dytë të projektit të përbashkët me palën franceze, bëhet e ditur se zonja dominuese e këtij santuari është perëndia greke e gjuetisë, Artemisi. Referencat e fundit të kryera në bashkëpunim me arkeologët e universitetit "Charles de Gaulle" të Lilës, hedhin poshtë idenë e parë të autorit të gërmimeve Vangjel Toçi, i cili e personifikonte këtë objekt kulti si tempullin e hyjnisë së dashurisë, Afërditës. Artemisioni i Dyrrahchionit ka dhënë sasinë më të madhe të figurinave prej balte të pjekur, më shumë se 1800 kg, që është zbuluar deri më tani në një sit të vetëm arkeologjik në të gjitha qendrat e njohura të botës mesdhetare. Korrigjimi dhe plotësimi i topografisë së Durrësit të lashtë nëpërmjet përcaktimit të saktë kohor të përdorimit të tempullit shton vlerat arkeologjike dhe historike të qytetit, si dhe tërheqjen turistike. Ndërkohë, në qytetin e Durrësit është zbuluar dhe punishtja, e cila shërbente për të prodhuar dhe tregtuar figurinat që i blatoheshin kësaj hyjnie nga banorët e qytetit të lashtë.