E Shtunë, 31 Tetor 2026

I zbutet dënimi

Federata e Basketbollit e Kosovës ka vendosur që t’ia zbusë dënimin Safet Mustafës, i cili konsiderohej si iniciatori kryesor i përleshjes ndërmjet Bambit dhe Trepçës. Nga dënimi i përjetshëm, basketbollisti mitorivicas nuk do të ketë të drejtë loje vetëm një vit. Trepça e mirëpret këtë vendim. Nga Moral Pozhegu më 20 prill 2011 në ora 12:58

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), vetëm pas një jave, ka vendosur t’ia zbusë dënimin basketbollistit të Trepçës, Safet Mustafës, i cili ishte dënuar përjetësisht, pasi ishte konsideruar si iniciatori kryesor i përleshjes ndërmjet ekipit të tij dhe Bambit.

Pas ankesës së klubit ‘xehetar’, Komisioni Arbitrar pranë FBK’së në mbledhjen e mbajtur të martën ka marrë vendim që Mustafën ta dënojë me vetëm një vit moslojë nga data 3.4.2011 deri më 3.4.2012.

“Gjatë shqyrtimit të ankesës, komisioni ka pasur parasysh faktet e prezantuara në ankesë, raportin e delegatit, raportin mjekësor në lidhje me lëndimet të basketbollistit të Bambit, Igor Dashiç dhe provat tjera, të cilat gjenden në shkresat e lëndës”, thuhet në njoftimin e FBK’së.

“Në lidhje me aprovimin e pjesshëm të ankesës, e cila ka të bëjë me zvogëlimin e dënimit të basketbollsitik Safet Mustafa, komisioni mori parasysh raportin e delegatit në të cilin thuhet se Safet Mustafa është provokuar nga basketbollisti i Bambit, Igor Dashiç. Ky konstatim i delegatit të ndeshjes na jep të kuptojmë se Mustafa ka realizuar sulmin fizik në gjendje afekti”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Arsye tjera, sipas Komisionit Arbitrar, të cilat kanë ndikuar në zvogëlimin e dënimit për Mustafën kanë të bëjnë me faktin se pikërisht organizator i ndeshjes ka për obligim të kujdeset për organizimin e ndeshjes dhe sigurinë e akterëve të ndeshjes, gjë të cilën Bambi nuk e ka bërë dhe me këtë ka ardhur deri te tensionimi i situatës para përballjes me Trepçën.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga Gazeta Express, Mustafa nuk ka dashur të flasë rreth këtij vendimi. Ndërsa drejtori i Trepçës, Besim Braha, ka mirëpritur vendimin e Komisionit Arbitrar.

“Jemi të kënaqur me vendimin. Mirëpo, bordi do të mblidhet dhe do të shqyrtojë këtë vendim”, ka thënë shkurtë për Express Braha.

Ndërsa Komisioni Arbitrar ka refuzuar ankesën e Trepçës për heqjen e gjobave të basketbollistëve Brahim Veseli dhe Besnik Azemi (që janë dënuar me nga 150 euro) dhe zyrtarit të klubit Naim Hajrizi, i cili është dënuar me 100 euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›